Home KRYESORE Homo intellectualis Illyrica! Harram e paçi qumështin e nënës!

Homo intellectualis Illyrica! Harram e paçi qumështin e nënës!

Nga Dr. Enriko Ceko

Homo intellectualis Illyrica ose thënë shqip njeriu intelektual shqiptar është një specie shumë e rrallë. Kjo specie gjendet vetëm në Shqipëri.

Në tërë botën tonë, në të tëra vendet e tjera, përveç Shqipërisë njeriu intelektual ka disa karakteristika të përgjithëshme që i bashkojnë të tërë intelektualët në botë.

Njerëzit janë specia e vetme që përdor sistemet e komunikimit (gjuha, arti, etj) për t’u vetëshprehur, për të shkëmbyer idetë dhe për t’u organizuar n grupe të ndryshme sipas qëllimeve në jetë.

Njerëzit kanë krijuar struktura sociale komplekse, duke filluar nga familja e duke vazhduar deri te shteti. Lidhja sociale midis njerëzve ka krijuar me kalimin e kohës shumë vlera, norma sociale, rite, e që të tëra së bashku përbëjnë bazat e shoqërisë njerëzore. Kurioziteti dhe dëshira e njeriut për të kuptuar mjedisin dhe për të ndikuar në mjedis u kanë dhënë njerëzve bazat e zhvillimit të shkencave, filozofisë, besimit fetar dhe të tjera fusha të njohjes.

Njerëzit dallohen nga specie e tjera nga disa karakteristika. Për shembull, motivimi që shërben te njeriu si një forcë lëvizëse për të gjetur kënaqësi dhe për të evituar konfliktet. Ose emocionet, që kanë një ndikim shumë të madh një kontrollin e sjelljes njerëzore. Ose prirja për të jetuar në grupe të mëdha sociale, duke përdorur sistemet e komunikimit për t’u vetëshprehur, shkëmbyer idetë, organizuar, etj. Ose prirja për të krijuar, që në ditët tona shprehet me zhanret e ndryshme të artit dhe kulturës. Ose dëshira për t’u dalluar, që ka zhvilluar sportet e ndryshme.

Në shoqëri, njerëzit krijojnë institucione, që në fund të fundit janë themeli i shtetit, që është një organizim politik i komunitetit, në një territor të caktuar, ku vepron një qeveri që ka sovranitet të brendshëm dhe të jashtëm. Qeniet njerëzore kanë krijuar politikën si një process nëpërmjet të cilit vendimet merren nëpërmjet një procesi debatesh dhe kompromisesh.

Gjithashtu, qeniet njerëzore janë të vetmet specie që bëjnë tregti dhe marrin vendime ekonomike mbi bazën e llogaritjeve dhe logjikës ekonomike. Kjo logjikë i drejton qeniet njerëzore për të prodhuar, shpërndarë, rishpërndarë dhe konsumuar produkte dhe shërbime,

Njeriu është e vetmja specie që grumbullon njohuri nëpërmjet observimit, shqyrtimeve sasiore dhe cilësore e verifikimit. Kjo ka bërë që njerëzit të përdorin metodologjitë dhe metodat e kërkimit shkencor për përmirësimin e mëtejshëm të cilësisë së jetës.

Në të tërë këtë rrugë të qenies njerëzore deri në ditët tona, është krijuar edhe një shtresë e popullsisë që quhen “intelektualë”. Intelektual është një person që angazhohet në mendimin kritik, kërkim dhe reflektim në lidhje me shoqërinë dhe propozon zgjidhje për problemet, që dalin përpara në rrugën e zhvillimit.
Intelektualët, pavarësisht nga fusha e tyre e kontributit, marrin pjesë në politikëbërje duke marrë një pozicion të caktuar, duke u përballur me padrejtësitë, duke hedhur poshtë apo duke krijuar një ideologji, apo duke mbrojtur sisteme të caktuara vlerash

Në aspektin shoqëror, intelektualët përbëjnë atë që quhet inteligjienca, që është një status i cili i atribuohet asaj shtrese që ka një formim të caktuar akademik dhe që merr pjesë me pikëpamje dhe mendime në nivele të ndryshme manaxheriale të pushteteve apo mjediseve ekzekutive, legjislative, gjyqësore, kulturore, sportive, mjedisore, etj. Pavarësisht nga pikëpamjet politike, në përgjithësi inteligjienca në vetvehte përmban, mbron dhe mbështet parimet e demokracisë dhe përmirësimin e cilësisë së jetës së qytetarëve.

Por, në Shqipëri, situate paraqitet krejt ndryshe.

Në Shqipëri njerëzit përherë e më pak përdorin sistemet e komunikimit për të shkëmbyer idetë dhe për t’u organizuar. Ata i përdorin më së shumti sistemet e konunikimit për të treguar ato që mendojnë se i kanë aftësi apo dhunti dhe për të shprehur individualizmin e jo idenë e organizimit dhe bashkimit. Në Shqipëri strukturat sociale janë drejt shkatërrimit apo bjerrjes së vlerave të tyre. Familja është në rrezik dhe kohezioni social as që mendohet të ekzistojë. Normat sociale, ritet dhe bazat e shoqërisë janë lënë mënjanë dhe shqiptarëve u ka ikur kurioziteti dhe dëshira për të mkuptuar jedisin dhe për të ndikuar në mjedis për zhvillim.

Duket se shqiptarët nuk kanë më motivim, nuk kanë më emocione nuk duan të krijojnë dhe të evidentohen duke u mbështetur në punë dhe përpjekje e talent. Shqiptarët bëhen VIP me mënyra e mjete të tjera, që për pjesën më të madhe të botës së qytetëruar janë antivlera dhe degjenerim moral e social.

Shqiptarët e përdorin politikën si mjet për të bërë para dhe si mjet nëpërmjet të cilit ai që është në pushtet nuk duhet të bëjë asnjë kompromis, por të zbatojë vetëm ato që ka në kokë.

Shqiptarët nuk dinë të marrin vendime bazuar në logjikë dhe aq më pak në logjikën ekonomike. Si rezultat në Shqipëri ka problem të shumta me prodhimin e produkteve dhe shërbimeve, me konsumin, shpërndarjen dhe rishpërndarjen e tyre.

Edhe në Shqipëri ka një grup njerëzish që e mbajnë vehten për intelektualë. Këta janë tipa që i japin vetë vehtes atributin e të qenit intelektual dhe që bëjnë sikur angazhohen në mendimin kritik, por në ditët e fundit ka plasur hapur sheshit se mendimet që ata shprehin gatuhen në tenxheret e grekut e serbit, ku këta intelektualë gëlltisin nga një lugë çorbë të vjetër dhe vjellin tërë ditën e ditës vrer për tokën ku kanë lindur, vendin ku janë rritur e ujin që kanë pirë e ajrin që kanë thithur.

Këta intelektualë bëjnë sikur japin zgjidhje për problemet që kalon vendi dhe marrin pjesë në procesin politik vetëm për përfitime personale, pa marrë asnjë pozicion të caktuar, pa u përballur me padrejtësitë dhe pa kritikuar apo mbrojtur sisteme të caktuara vlerash, duke marrë njëkohësisht edhe rroga të majme matanë kufirit.

Inteligjienca shqiptare tashmë përbëhet nga individë me diploma të dyshimta, që kanë arritur të ngrihen në nivele të ndryshme manaxheriale në të tëra pushtetet, por që nuk mbartin aspak vlera demokratike dhe as që u bie ndër mend çështja e përmirësimit të cilësisë së jetës së qytetarëve të këtij vendi.

Personalisht nuk kam parë asnjë pedagog universiteti bie fjala të lëndës së Financave Publike apo Taksimit, që të dalë hapur dhe të thotë se sistemi fiskal në Shqipëri është i papërshtatshëm dhe të tregojë si duhet të jetë. Gjithashtu, nuk kam parë asnjë pedagog të lëndës E Drejta e Biznesit, që të dalë hapur në publik dhe të deklarojë se çështjet e së drejtës së biznesit në Shqipëri lenë shumë për të dëshëruar dhe se si duhet të përmirësohet gjendja. Ose, një pedagog të Mikroekonomisë dhe Makroekonomisë që të denoncojë monoplet dhe oligopolet në pothuajse të tërë sektorët e ekonomisë shqiptare dhe të tregojë se cilat janë strukturat më të përshtatshmë te tregut. Ose një pedagog të lëndës Manaxhim, që të dalë hapur e të tregojë se në sektorin publik dhe privat në Shqipëri nuk ka manaxhim, nuk ka drejtim nuk ka organizim, nuk ka kontroll, nuk ka planifikim dhe nuk ka motivim dhe më tej të japë rrugët e zgjidhjes së problemit.

E kështu me radhë, agronomët, veterinerët, inxhinierët e pyjeve, ujrave, mekanikës, elektronikës, etj.

Përveç këtyre që e mbajnë vehten për pedagogë, ka me mijëra të diplomuar me mastera e doktoratura, që gëlojnë në zyrat e shtetit dhe që i bëjne lepe e peqe shefit kur ky jep urdhëra të jashtëligjshme, që i bëjnë fresk këshilltarëve të ministrave, që, bëjnë çdo gjë por vetëm këshilla nuk japin. Këta arrogantë dhe mendjemëdhenj, që u ka rënë thika në gjalpë për faktin e vetëm se janë nipa e mbesa të deputetëve e ministrave, të zgjedhur në mënyrë të jashtëligjëshme si të tillë, nuk dinë mirë as gjuhën shqipe dhe të vetmen gjë që dinë të bëjnë mjaft mirë janë selfiet gjysëm nudo në plazhet më të shtrenjta të botës, po mesa duket kanë se ku të marrin shembull për këtë nudizëm, sepse në krye kanë një kryeministër që e ka për mburrje që ka dalë nudo dhe fotografia e tij ka bërë xhiron e botës dhe që nuk ka asnjë anëtar të kabinetit me veti intelektuale. Merret vesh fare lehtë se ku po shkon intelektualizmi në Shqipëri, kur kabineti qeveritar aktual është më i paafti dhe më i pashkolluari në tërë historinë e shtetit shqiptar,

Ju rrofshin diplomat. Të kesh master e doktoraturë nuk do të thotë se je intelektual. Ju rrofshin dajat, xhaxhallarët, tezet e hallat deputetë e ministra, prej të cilëve i keni pozitat ne zyrat e shtetit, por kjo nuk do të thotë se jeni të aftë dhe inteligjientë. Trutë tuaja nuk i ha as edhe qeni më i paushqyer i ndonjë vendi afrikan. Jeni thjesht palaço të varur pas rrogës minimale që u hidhet në gojë si këlysh … sa për të mbajtur shpirtin gjallë. Shushunja të shitura te një regjim që e ka kthyer vendin në një çiflig ku pushtetarët bëjnë ç’të duan dhe ku qytetarët mezi presin të ikin nga sytë këmbët.

Harram e paçi qumështin e nënës. Harram i paçi shpenzimet që janë bërë për ju me paratë e taksa paguesve shqiptarë. Harram e paçi bukën që hani në tavolinë së bashku me familjarët tuaj.

Si s’ju vjen turp. Ju zëntë buka grykën, sepse nuk ka ç’ju duhet më zëri përderisa nuk flisni as edhe një fjalë për gjendjen katastrofike që ekziston në Shqipëri.

Jeni një specie që ju kanë lënë trutë e kokës. Ju nuk jeni intelektualë dhe kjo sepse ju nuk jeni as edhe inteligjientë. Ju jeni thjesht vemje. Të paaftë. Të korruptuar. Të paedukatë. Ja ç’farë jeni ju: Homo intellectualis Illyrica ose thënë shqip: Njeriu Intelektual Shqiptar. Hahaha … sa për të qeshur (Fatkeqsisht.)

Share: