Home KRYESORE Lojërat e fatit, komunitetet fetare përkrahin nismën e qeverisë

Lojërat e fatit, komunitetet fetare përkrahin nismën e qeverisë

Bashkësitë fetare kanë reaguar, pas vendimit të qeverisë për heqjen e të gjitha reklamave publicitare mbi lojërat e fatit, nga mediat dhe portalet si dhe të kazinove nga qendra e banuara.

Në lidhje me këtë iniciativë të qeverisë ka reaguar edhe Komuniteti Mysliman i Shqipërisë që ka mirëpritur vendimin.

“Komuniteti Mysliman i Shqipërisë ka mirëpritur vendimin e qeverisë për mbylljen e kazinove elektronike dhe basteve sportive në zonat e banuara. Ky është një vendim i mirëpritur dhe i gëzueshëm për të gjithë qytetarët shqiptarë dhe një masë e rëndësishme në mbrojtjen e të rinjve nga rënia në kthetrat e këtyre veseve që sjellin dëme të pariparueshme në familje dhe në shoqëri. Duke parë rëndësinë e kësaj nisme, KMSH shpreson që instancat përkatëse do të veprojnë maturisht si për parandalimin e lojërave të fatit ashtu edhe të çdo fenomeni që është në dëm të qytetarëve. Ne inkurajojmë dhe jemi përkrah çdo nisme, e cila i shërben shoqërisë shqiptare dhe që sjell zhvillim dhe mirëqenie në vendin tonë. Gjithashtu, përkrahim dhe inkurajojmë qeverinë dhe instancat shtetërore në luftën pa kompromis kundër trafikut të drogës dhe krimit të organizuar, të cilat janë të ndërlidhura dhe cënojnë sigurinë dhe paqen sociale në vend.”- thuhet ne reagimin e KMSH.

Ndërkohë përmes një njoftimi, Kryegjyshata Boterore Bektashiane shprehet se ka mirëpritur me optimizëm iniciativën e qeverisë që sipas këtij komuniteti fetar ruan rininë dhe familjen larg veseve.

“U njoftuam nga mediat mbi iniciativën e fundit qeveritare lidhur me lojrat e fatit. Në këtë rast e shikojmë me optimizëm nismën, e cila i bashkohet vlerave të bektashinjve, për të ruajtur rininë dhe familjen tonë të pastër, larg veseve. Le të shpresojmë që nisma të tilla në dobi të shoqërisë të shtohen”- thuhet nga Kryegjyshata Boterore Bektashiane.

Share: