Pas një rënie me 3 për qind në tremujorin e parë të vitit, paga mesatare ne ekonomi u rrit me 2.5 për qind në tremujorin e dytë të 2018 në krahasim me të njëjtën periudhe të një viti më parë, raportoi INSTAT.
Paga mesatare mujore arriti në 50,392 lekë në prill-qershor 2018 nga 49,150 lekë që ishte në të njëjtin tremujor të 2017. Në po këtë masë paga mesatare në ekonomi është rritur edhe në krahasim me tremujorin e parë.
Gjithsesi, në krahasim me dhjetorin 2017, kur ishte 50,614 lekë, paga mesatare mbetet lehtësisht më e ulët.
Rritja në tremujorin e dytë është shtyrë më së shumti nga pagesat më të larta në sektorin e ndërtimit dhe në sektorin e shërbimeve kryesisht në hoteleri dhe turizëm.
Paga mesatare në Shqipëri është rritur gati me ritmet e inflacionit. Inflacioni mesatar gjatë tremujorit të dytë të vitit ishte 2.2 për qind, duke bërë që paga reale të jetë është rritur me vetëm 0.3%.
Përllogaritjet e INSTAT në lidhje me pagat mesatare në vend i referohen listëpagesave në tatime si për punonjësit në sektorin privat dhe ata në sektorin shtetëror.
Drejtoria e riskut në Tatime më herët këtë vit ka marrë në analizë nivelin e deklarimit të pagave të punonjësve për profesione të ndryshme, duke i krahasuar me pagat reale të tregut të punës.
Nga këto analiza, është konstatuar se disa punëdhënës deklarojnë paga, për profesione të caktuara, që janë ndjeshëm nën nivelin mesatar të tregut apo janë afër pragut të pagës minimale të përcaktuar për efekt të kontributeve të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore.
Punësimi në Shqipëri po përmirësohet, por vendet e reja të punës janë me produktivitet të ulët. Banka e Botërore zhvilloi një anketë për shpërndarjen e vendeve të reja të punës në periudhën 2014-2016 dhe gjeti se rritja e punësimit ishte e shoqëruar me një ofertë punë që kërkon kualifikim shumë të ulët.
Me fjalë të tjera, megjithëse u krijuan vende të reja pune (punësimi u rrit me 11 për qind në periudhë, ose 114,000 vende pune), këto punë të reja ishin, mesatarisht, më pak produktive sesa vendet ekzistuese të punës. Për pasoje Shqipëria ka nivelin e pagave më të ulëtin në vendet e Ballkanit Perëndimor, shkruan ‘monitor’.
Ndërmjet viteve 2015 dhe 2016, rritja e punësimit ishte më e madhe në prodhim me (27 %), ndjekur nga bujqësia (18 %), tregtia (19 %), shërbimet e biznesit (14 %), TIK (10%) dhe turizmi (7%).
360grade.al