Home KRYESORE SHBA anulojnë manovrat ushtarake me Korenë e Jugut

SHBA anulojnë manovrat ushtarake me Korenë e Jugut

Sipas një njoftimi të Pentagonit, SHBA dhe Koreja e Jugut anuluan përsëri të premten manovrat ushtarake mes tyre, të quajtura “Vigilant Ace”, në vijim të një tjetër përpjekjeje diplomatike.

Zëdhënësja e Pentagonit, Dana White, tha se kjo masë po merrej me synimin për t’i dhënë procesit diplomatik “çdo mundësi që të vazhdojë”.

Vendimi u njoftua pas bisedimeve tri-palëshe mes Sekretarit amerikan të Mbrojtes Jim Mattis dhe homologëve të tij koreanojugor dhe japonez. Ministrat e Mbrojtjes janë duke u takuar në Singapor në kuadrin e takimit të Shoqatës së Vendeve të Azisë Juglindore, ASEAN.

Ndalimi i manovrave ajrore pason një numër vendimesh ushtarake të SHBA gjatë vitit të fundit, që synojnë ta bindin Korenë e Veriut të negociojë përmes një rruge diplomatike për t’i dhënë fund armëve bërthamore.

SHBA dhe Koreja e Jugut i shtynë fillimisht manovrat e para në shkallë të gjerë “Foal Eagle”, që të mos përkonin me Olimpiket Dimërore.

Më vonë, ata anuluan manovrat e tjera, “Ulchi-Freedom Guardian”, të dytat për nga madhësia, të cilat ishin planifikuar për në gusht.

Anulimi i këtyre manovrave erdhi pas takimit të rrallë të qershorit mes Presidentit amerikan Donald Trump dhe udhëheqësit koreanoverior Kim Jong Un në Singapor, ku Trump njoftoi se SHBA do t’i jepnin fund atyre që ai i cilësoi “lojëra luftarake provokuese dhe të kushtueshme” me Korenë e Jugut.

Pentagoni thotë se manovrat e përbashkëta ushtarake në gadishullin Korean kanë natyrë “mbrojtëse” dhe jo “provokuese”, një term i përdorur shpesh nga Kina dhe Koreja e Veriut, kur përshkruajnë manovrat.

360grade.al

Share: