Nga Dr. Enriko Ceko
Shqipëria dhe shqiptarët duan siguri, prosperitet dhe paqe. Këto janë tre çështje për të cilat shqiptarët ndër shekuj janë përpjekur që t’i kenë por nuk ka qenë e mundur.
Edhe në 106 vitet e ekzistencës së shtetit shqiptar, asnjëherë nuk i kemi patur së bashku në të njëjtën kohë edhe sigurinë, edhe prosperitetin edhe paqen dhe kjo tregon as më shumë dhe as më pak, veçse paaftësinë tonë si komb për të garantuar një të ardhme të sigurt, me prosperitet dhe në paqe për vehten tonë dhe për trashëgimtarët tanë. Siguria është të qenit të pafrikësuar përkundrejt rreziqeve potenciale, nga forcat e jashtëme. Përfitimet e sigurisë janë individuale, për shtresat shoqërore, objektet, institucionert, ekosistemet, etj. Në aspektin kombëtar dhe shtetëror, siguria kërkon përcaktimin dhe aplikimin e kushteve më të përshtatshme dhe më të përparuara për të patur siguri dhe këto kushte janë reformat ekonomike, garantimi i mbrojtjes mjedisore, programet e mbrojtjes dhe manaxhimit së territorit, programet sociale, etj. Në aspektin kombëtar, siguria ka të bëjë me sigurinë e kombit dhe shtetit, përfshirë edhe popullsinë e tij si dhe ekonominë dhe institucionet. Në fund të fundit, siguria lidhet me diplomacinë, fuqinë ekonomike dhe aftësitë ushtarake. Prosperiteti është gjendja e zhvillimit të vazhdueshëm, pasjes së sukseseve të vazhdueshme dhe lidhet edhe me konceptet e lumturisë, shëndetit dhe mirëqenien e popullsisë dhe individëve.
Paqja është koncepti të qenit mire dhe në harmoni pa agresione. Në aspektin social, paqja ka të bëjë me mungesën e konflikteve dhe mospasja e frikës nga dhuna midis individëve në një shoqëri. Por, siguria, prosperiteti dhe pqaja nuk mund të arrihen pa legjislacion, institucione dhe kohezion midis aktorëve kryesorë të jetës politike, ekonomike, sociale, kultutore, sportive, mjedisore, etj në vend, aktorë që janë shteti, biznesi, familjet dhe individët.
Legjislacioni ka të bëjë me korupsin ligjor në fuqi në një vend, nëpërmjet të cilit rregullohet, autorizohet, sanksionohet, jepet, përmirësohet, deklarohet apo ndalohet një veprimtari e caktuar e aktorëve të jetës politike, ekomomike, sociale, sportive, kulturore, mjedisore.
Institucionet janë ato që duhet të veprojnë mbështetur në legjislacion, të respektojnë ligjin dhe të hedhin ide për përmirësimin e legjislacionit. Institucionet janë mekanizma formale për politikë bërjen dhe forcimin e ligjit. Janë aktorët e jetës politike, ekonomike dhe shoqërore në një vend që në përputhje me legjislacionin dhe institucionet realizojnë veprimtarinë e tyre. Por legjislacioni në Shqipëri paraqitet me problem. Pjesa më e madhe e ligjeve janë ligje “speciale”, të kaluara nga Kuvendi për përfitime individuale dhe jo për përfitimin e tërë shoqërisë. Një pjesë e ligjeve janë të këqija dhe kanë sjellë një problematikë shumë të madhe dhe konfliket nga më të ndryshmet në vend dhe edhe ato ligje që janë të mira, nuk respektohen.
Institucionet janë elemente të sjelljet apo mekanizma të rregullit social, që qeverisin sjelljen e individëve në një komunitet. Institucionet identifikohen sipas qëllimit social për të cilin krijohen dhe funksionojnë, duke përcjellë te qytetarët rregullat me të cilat qeveriset jeta dhe sjellja njerëzore. Në rastin e Shqipërisë, administrata publike është e tejmbushur me të paaftë, të korruptuar, të paedukatë, të papërgjegjshëm, të pashkollë, të patrainuar, etj. Ka mjaft institucione që nuk dihet se përse ekzistojnë dhe ka institucione që duhet të ishin dhe nuk janë apo nuk funksionojnë. Pushteti ekzekutiv, gjyqësor, legjislativ, mediatik dhe prokurorial janë nën kontrollin e një individi. Si pasojë, aktorët e tregut, shteti, biznesi, familjet dhe individët operojnë në kaos dhe anarki.
Shteti është një organizatë politike me qeverisje qendrore dhe vendore që ka monopolin për të përdorur forcën në një territory të caktuar. Brenda shtetit duhet dalluar qeveria, që është një grup njerëzish, që kontrollojnë aparatin shteteror. Shtetet janë vazhdimësi e qeverisjeve të ndryshme. Nga mënyra se si qeveriset vendi, format e qeverisjes janë monarki, aristokraci, timokraci, oligarki, demokraci, teokraci, tirani, etj. Duket se është e vërtetë që çdo popull, në aspektin e qeverisjes, ka aq sa i takon.
Familja është një grup njerëzish që janë bashkë për shkak të gjakut, martesës dhe marrëdhenieve të tjera.
Për shumë shoqëri, familja është institucioni kryesor i organizimit dhe njësi shumë e rëndësishme ekonomike. Një nga funksionet kryesore të familjes është prodhimi dhe riprodhimi i jetës në aspektin biologjik dhe shoqëror. Nga aspekti i fëmijëve, familja është njësia që realizon orientimin e tyre, është ajo që krijon fëmijë të kulturuar dhe të shoqërizuar. Në fakt, në Shqipëri vihet re bjerrje e vlerave morale dhe familjare, duke i dhënë përparësi individit, që merr vendime pa logjikë. Në vend mungon logjika dhe edukata politike, ekonomike, shoqërore, kulturore, sportive, mjedisore, etj.
Individi duhet që të ekzistojë si një njësi e veçantë, që ka synime, të drejta dhe përgjegjësi. Të tërë individët janë lindur të lirë dhe të barabartë në dinjitet dhe të drejta. Ata janë duhet të jenë të pajisur me arsye dhe koshiencë. Në fakt, në Shqipëri, individi kryesisht trajtohet si qenie pa dinjitet dhe në mungesë të barazisë në të drejta dhe detyrime.
Sa më lart, duket mjaft hapur se gjendja politike, ekonomike, sociale, sportive, kulturore, mjedisore në vend është mjaft e papërshtatshme. Kjo sepse mungon siguria, prosperiteti dhe paqja. Në kushtet aktuale të vendit, siguria, prosperiteti dhe pqaja mund të vijnë vetëm nëpërmjet një qeverie tranzitore, e cila duhet të përgatisë kushtet për zgjedhje pas një periudhe qendrueshmërie, përgjatë së cilës të punohet për një Kushtetutë modern dhe për një Kod të ri Zgjedhor, që garanton liti, barazi dhe standard në zgjedhje, të cilat duhet të jenë në të njëjtën kohë edhe për pushtetin qendror dhe atë vendor.
Kushtetuta e re dhe Kodi i ri Zgjedhor janë të domosdoshme për të relizuar ndryshimin e njëpasnjëshëm dhe zevendësimin e elitave politike, ekonomike, sociale, sportive, kulturore në vend, sepse ata që e kanë qeverisur vendin për rreth 30 vite tashmë janë jashtë loje, janë pikërisht këta që kanë vënë në rrezik sigurinë, prosperitetin dhe paqen në Shqipëri, midis vetë shqiptarëve dhe midis shqiptarëve dhe fqinjëve e më tej.