Home KRYESORE Sikur të dinin ata… Nga Lis Bukuroca

Sikur të dinin ata… Nga Lis Bukuroca

Sikur të dinin ata, se nuk dinë, atëherë do të dinin pak, por aq sa duhet për të mësuar shumë, mirëpo, deri kur ata të mendojnë, se janë më të dijshmit, dhe derisa ne t’ u dëshmojmë, se ata janë më të padijshmit, ata do të zbaviten dhe tallen me dijen tonë të pakët, kurse ne, do të skuqemi me padijen e tyre marramendëse! Kjo periudhë e zbavitjes, talljes dhe turpit, imponon me forcë dhe përbuzje, zhvendosje shtresash: Shkëmbim të pozitave në mes dijes dhe padijes. Dhe, kur padija të jetë ngritur në sistem dhe të mbizotërojë dijen, ajo do të konstatojë krenare:

„Kurrë nuk kemi qenë më mirë!“

Dhe, kanë të drejtë, kur vërtetojnë gjendjen reale:

Ata kurrë nuk kanë qenë më mirë!

Ata kurrë më parë nuk kanë pasur këto pozita!

Ata kurrë më parë nuk kanë pasur atë pasuri

Ata kurrë më parë nuk kanë pasur këtë imunitet!

Por, nuk janë armiq të dijes vetëm ata në majë, mirëpo edhe ata rreth tyre. Ajo zogori, që pranon të punojë për ta, që mendojnë se dinë tepër shumë dhe me qindra këshilltarë, synojnë të theksojnë gatishmërinë për të mësuar akoma më shumë, por në fakt jo, sepse numri argumenton injorancën e tyre teatrale, sepse, sikur të dëshironin dije, do të angazhonin disa të dijshëm dhe jo një lukuni zvarranikësh antishtet dhe antidije!

Pra, sikur ata të dinin, se nuk dinë, do të ishin aq shumë të mençur, sa do ta largonin veten nga pozita, por meqenëse nuk dinë si duhet dhe sa duhet, ata nuk do të zbythen, përkundrazi, ata do të gozhdojnë veten tutje nëpër karrige, duke qenë të bindur, se Sokrati, ishte çoban, e ata filozofë! Kështu, jeta do të vazhdojë dhe ne, në vend se të përvetësojmë dije të reja, do të humbim kohën dhe do të merremi me analizimin e pallavrave të tyre, edhe atë, derisa ata të shtrihen nga mirëqenia, kënaqësia, përqeshja, përbuzja dhe shpërfillja, kurse ne, të ngujuar dhe përtokë, nga turpi, nga stigmatizimi, nga zhbërja e imazhit, nga uria dhe plogështia!

Sepse, kur ne nuk intervenojmë në fatin tonë, fati huaj ndërhyn në tonin dhe na integrohet përdhunshëm në atë pak sedër të mbetur! Kjo është jeta! Ose je ndërtues, ose pasojë  kalimtare e saj!

Po, Kefalos, bërtiti Sokrati, çfarë është e drejtë (drejtësia)?

– Drejtësi është kur njeriu thotë të vërtetën dhe kthen borxhin!

– Po nëse i ke marrë një shpatë hua dikujt, a është e drejtë t‘i kthehet?

Po, natyrisht, Sokrat!

– Po nëse ai njeri ndërkohë është çmendur dhe me atë shpatë, ka ndërmend të vrasë dikë?

– Atëherë jo, thotë Kefalos, tashmë i bindur, se nuk ishte e drejtë ajo, që ai dinte se ishte e drejtë universale! Jo kur me atë drejtësi, mund të shkaktohet dëm!

Po sikur filozofi, – që dinte se nuk dinte asgjë dhe që i bënte athinasit të flasin vet me vete,- të ishte gjallë, do të kishte pyetur Dardanin:

A është e drejtë të udhëheqin shtetin ata që kontribuuan në lindjen e tij?

– Natyrisht, kanë rrezikuar jetën për ato themele!

– Po nëse ata nuk dinë dhe me mosdijen e tyre shkaktojnë dëme imazhit nacional, interesit publik, a është e drejtë të prishin shtetin me guximin e djeshëm, ndërlidhur me injorancën e sotshme?!

– Jo, nuk është e drejtë!

– E pra, nuk është gjithmonë e drejtë merita e djeshme, të bartet në detyra të reja, sepse mosdija e sotshme, rrënon ardhmërinë!

– E çfarë duhet bërë?

– Për ta shpëtuar heroin nga rrënimi i veprës së vet, ai duhet të detyrohet të zbresë nga maja, ose, nëse ka arsye, të arrestohet! Përndryshe, Kuvendi mbushet me rrugaçë dhe njerëz pa ndërgjegje, pa sedër dhe pa dije elementare!

– Të arrestohet? Sokrat, je në vete?

Po! Dardan! Dje merituan lavdinë, ne u brohoritëm, iu përkulëm me falënderime dhe mirënjohje, sot disa meritojnë burgun! Si unë ekzekutimin, sepse kisha rrënuar bindjet e atëhershme dhe tundoja rininë. Edhe pse nga 501 porotë, vetëm 31 arsyetuan akuzën e ngritur, unë nuk iu nënshtrova gjykimit të popullit, por ndërgjegjes time, sepse kisha shkelur ligjet në fuqi, prandaj, duhet t’i shpërblejmë me burg për t’i çliruar jo nga armiku, por nga rrënimi i ndërgjegjes së vet, nga makutëria e tyre! Duhet të çlirohen nga vetvetja e shtrembëruar, Dardan! Njeriut duhet t‘i jepet ajo që i takon në jetë: Si lavdia, ashtu edhe burgu, përndryshe paaftësia në pozita me përgjegjësi, shndërrohet në normë morale, gjegjësisht, në zakon! Prandaj, shpëto shtetin dhe demokracinë nga atdhetarët e shpërfytyruar, shpëto disa atdhetarë nga vetëvrasja etike dhe politike! Është çasti i fundit! Dërgoi në burg me respektin më të madh, sepse disa, kanë merituar mirënjohjen dhe qelinë!

– Po nëse nuk kanë kohë të shfaqen në burg!?

– Atëherë merri me makinë të Presidentit, ose të Kryeministrit, ose me atë të Ministrit të Drejtësisë…

E nëse thonë se tani nuk mund të vijnë, se kanë një takim të rëndësishëm?

– Atëherë arresto gjyqtarin Dardan! Shpëto edhe atë nga detyrimi për t’iu nënshtruar mosdijes, sepse mosefikasiteti i gjykatës, dëshmon mosekzistimin e shtetit! Nesër ai gjyqtar, do të jetë mirënjohës! Sepse kjo periudhë e talljes dhe turpit, imponoi me forcë dhe përbuzje, zhvendosje shtresash: Shkëmbim të pozitave në mes dijes dhe padijes trishtuese. Ngadhënjeu sedija mbi dijen, Dardan. Dhe, meqenëse padija u ngrit në sistem dhe mbizotëron tërësisht dijen, madje kjo e fundit i shërben me përkulje, në çdo vend udhëheqës, gjendet pakdija, ose injoranca absolute. Edhe në gjykata, edhe në prokurori, edhe në administratë, edhe në Qeveri, edhe në Presidencë. Kur shfaqen ato dukuri njëkohësisht, atëherë Kryeministri, mund të pohojë: “Do të kisha dashur të kemi Qeveri me njerëz të paakuzuar!” Mos lejo të vijë ai çast, sepse mu aty përfundon humori Dardan! Aty përfundon pushteti! Aty mbaron shteti dhe ngrihet krimi në elitë politike!!!

– Ndjen përzierje stomaku?

– Jo, po më merren mëndet vetëm…

Share: