Home KRYESORE Zemra ime do të jetojë!.. Nga Tielma Karabina

Zemra ime do të jetojë!.. Nga Tielma Karabina

Përktheu: Elona Caslli

Keni kaluar ndonjëherë një periudhë në jetën tuaj që ju ka dërrmuar keq?

Unë po. Kohët e fundit përjetova diçka të vështirë që ma këputi shpirtin.

U përballa me një nga frikërat e mia më të mëdha.
Humba një njeri që e kisha fort përzemër, gjyshin tim.

Ndaj dua të jem e çiltër dhe ta pranoj se jam e dobët dhe lëndohem. Nuk jam ai lloj njeriu që e lëshon veten për kohë të gjatë, sepse kjo është jeta: Jeta është kaq e bukur dhe kaq e shkurtër dhe të takon ty ta rrokësh. Dhe këtë e kuptova më mirë se kurrë kohët e fundit.

Megjithatë, dua të qaj sa të enjtem dhe të mërzitem ndoshta një ditë apo më shumë, sepse në të kundërt nuk do të jem në gjendje të ringrihem në këmbë më e fortë se kurrë.

Sikundër e përmenda, humba një njeri të dashur. Të humbësh dikë që do, qoftë kur ai del nga jeta jote, apo si në këtë rast shkon përtej saj, është me të vërtetë diçka që askujt nuk i pëlqen ta provojë.

Por jeta priret të t’i servirë këto skenare mbi tryezën tënde.

Trishtimi është i bukur. Nuk e kisha njohur trishtimin, deri në çastin kur një prej njerëzve të mi të dashur shkoi përtej jetës. Megjithatë, kuptova se sa bukur shkoi ai përtej jetës.

Jam aq e rritur sa të kuptoj se kjo gjë do t’i ndodhë çdo shpirti të gjallë në një moshë të caktuar, por ai burrë, ai burrë fisnik me shpirtin flori, vendosi të ishte i vetëdijshëm dhe të na falte dashurinë që buronte nga ashti i tij, deri në frymën e fundit.

Nuk e besoja, por krejt papritur u duk se një lloj force hyri në shtëpi dhe m’u duk sikur kisha kocka dhe muskuj të hekurt dhe mund të mbaja gjithçka dhe gjithkënd.

A nuk është e çuditshme..?! Mua më duket sikur ai është pranë meje tani. Është për t’u habitur, apo jo?

Kështu ndodh gjithmonë kur humbasim një njeri të dashur. Kujtimet janë të çmuara dhe na mbajnë në jetë, pranë njerëzve që duam.

Kjo përforcon besimin tim kur të them: Jetoje jetën vërtetësisht dhe në paqe. Ji i gëzuar dhe i trishtuar, por mbi të gjitha vlerësoji dhe krijoji kujtimet e bukura dhe jeto shpirtin tënd.

Lufto, rrëzohu, qaj, qesh, këndo,dokumento, shkruaj, dashuro, udhëto, mëso, lexo dhe më e rëndësishmja: Kupto se ka vetëm një jetë dhe ne duhet të ekzistojmë vërtetësisht. Mos mendo keq. Mos ji i ashpër; ji i butë me veten.

Do të doja t’i thoja dy fjalë Ëngjëllit tim dhe kujtdo që po më lexon dhe përfshihet në këtë rrëfim..

Ti je njeriu më i fortë që kam njohur në jetë. Gjithçka që unë do të bëj në jetë, do të jetë shumë e vogël para gjithçkaje që ti ke thënë apo ke bërë për ne.

Faleminderit që besove tek ne dhe faleminderit që ma dhe rastin të ta shtrëngoja dorën teksa hyje në Portën e Parajsës.

E di që po më sheh dhe e di që përlotesh çdo herë që unë bëj mirë diçka.

Të falenderoj gjysh.

Kujtimi yt është i çmuar dhe i paharrueshëm.
Lejomë t’i mbyll sytë dhe të jem vajza dy vjeçe në krahët e tu.
Pushofsh në paqe dhe mos harro të ma kapësh dorën sa herë do të kem nevojë.

Share: