Kryeministri Rama u ndal në Kukës pasditen e sotme, për fushatën e anëtarësimeve të reja në Partinë Socialiste. Gjatë fjalës së tij, Rama u shpreh i bindur për një fitore të partisë që drejton në zgjedhjet e ardhshme lokale, ndërsa ‘thumboi’ edhe opozitën.
“Për fat të keq kemi kundërshtarë që nuk na sfidojnë, por përpiqen të na godasin me mjete që s’janë mjete jo të politikës, por asnjë tradite shqiptare. Kanuni nuk e ka shpifjen mjet për të komuniku apo bashkëjetu me të tjerët. Shpifja nuk konsiderohet si një mënyrë komunikimi as në Kanun, as në Kushtetutë, as në ligj, mirëpo nga ana tjetër duhet ti mirëkuptojnë, nuk ka mundim dot. Ky është problemi, është problem shumë i madh”, tha Rama.
“Nuk na mundin dot, nuk dinë sesi mund të na mundin dhe i bien vetes, gjithë kohës, janë bërë si ata që thonë, ‘o tani më jep këtë që dua o do hidhem në erë bashkë me ty’. Por në fakt ajo që do ndodhur është se, do hidhen në erë vetë, se ne prapë këtu do jemi”, shtoi kreu i qeverisë.
“Ne nuk jemi më sot në Shqipëri, të ndarë në të majtë dhe të djathtë. Kjo është shumë e qartë. Ne në Shqipëri, sot, jemi të ndarë në njerëz që punojnë, që bëjnë gabime, këtu jemi në një vend përshembull që kemi bërë një gabim të madh, por që kanë aftësinë të reflektojnë dhe kanë aftësi ti bëjnë gjërat që thonë, dhe me njerëz që nuk kanë aftësi të kujtojnë as çfarë flasin vetë, jo më ti thonë të tjerëve ndonjë gjë të hairit, lërë më pastaj, të bëjnë ndonjë gjë të hairit për të tjerët. Dhe jam i bindur që s’ka demokrat, nuk ka njeri që i thotë punës-punë dhe që i thotë Atdheut-Atdhe, ti besojë votën, ti besojë qytetin, ti besojë vendin jo e jo, një partie që ka vetëm një mënyrë për ta ndihur që të shpëtojë: duhet çu në fund fare, duhet çu aty ku s’ka më shans të thotë që shih sa mirë që jam”, u shpreh kryeministri.
“Më vjen shumë mirë që ta mbyll duke thënë dhe duke ia u thënë të gjithëve, mbajeni mend mirë… tani kam hall se po përsëris shumë dhe do na ikin fare nga zgjedhjet ata. Po unë besoj se ata do thonë ‘nuk hyjmë, nuk hyjmë, nuk hyjmë’, do hyjnë dhe në fund siç hyjnë gjithmonë dhe pastaj do dalin më keq se ç’kanë dalë çdo herë tjerët”,e mbylli Rama fjalën e tij.