Home KRYESORE ARRSH kërkon dialog me banorët: Hajdeni bëjmë vlerësimin e banesave

ARRSH kërkon dialog me banorët: Hajdeni bëjmë vlerësimin e banesave

Autoriteti Rrugor Shqiptar kërkoi sot mirëkuptimin e banorëve të Unazës së Re, njohur ndryshe si “Astiri” të mirëpresin grupet e punës në terren për të bërë vlerësimin e banesave që do të shemben për ti hapur rrugë projektit të Unazës së Madhe.

Zëdhënësi i Ministrisë së Infrastrukturës sqaroi për Opinion.al se deri më tani është bërë një verifikim paraprak dhe janë vendosur shenjat aty ku bien konturet e rrugës. Më tej, tha ai, është faza e dytë që nis ditën e hënë (26 Nëntor) ku pronarët e banesave duhet të bëjnë vetëdeklarim. “Punonjësit e ARRSH-së bëjnë matjet në perzence të familjarëve dhe më tej i verifikojnë edhe pranë Hipotekës. Mbi bazë e këtyre të dhënave del edhe Vendimi i Këshillit të Ministrave për dëmshpërblimin e secilit banor që disponon certifikatë pronësie”, shtoi ai.

Nis nga situata e krijuar, protesta, bllokimi i rrugës, etj. ARRSH-ja kërkoi sot që banorët e zonës nga Pallati me Shigjeta deri tek Rrethrrotullimi Shqiponja të paraqiten sa më shpejt pranë zyrave të këtij institucioni për të dorëzuar dokumentet.

Lidhur me pretendimin tjetër të banorëve se kompania Salillari ka fikur dritat dhe ka prerë pemët, zëdhënësi për mediat i ministrisë tha se “kompania ka kërkuar pranë bashkisë që të nisë përgatitjen për punimet në mënyrë graduale që të mos bllokohet trafiku”. Ai tha se lejen për heqjen e shtyllave të ndriçimit e ka dhënë bashkia. Punimet në rrugë do të nisin në kahun e pallateve dhe mandej pasi të ketë dalë VKM-ja do të kalohet në kahun tjetër të rrugës (aty ku janë aktualisht banesat private dhe bizneset).
/Opinion.al

Share: