Home Gjeo-Ekonomia Autostrada Tiranë-Durrës me pagesë, ja kush e ka marrë koncesionin

Autostrada Tiranë-Durrës me pagesë, ja kush e ka marrë koncesionin

Autostrada Tiranë-Durrës do të bëhet me pagesë, njësoj si Rruga e Kombit. Ministria e Infrastrukturës nuk ka pranuar ta bëjë publike ofertën për koncesionin, por disa detaje të saj tashmë publikohen nga media.

Ofertuesi është një grup i madh indian me disa koncesione autostradash në Azi, por që në Shqipëri është i përfaqësuar nga dy kompani lokale, Albstar, e cila po ndërton stadiumin Arena kombëtare si dhe kompania Trema Inxhiniering, raporton TCH.

Por si do të preken qytetarët nga dhënia me koncesion e kësaj rrugë? Studimi i fizibilitetit, që edhe ky nuk është bërë publik nga qeveria, parashikon dy tarifa.

Për automjetet e vogla do të paguhet 2 euro për çdo kalim, ndërsa për automjetet e mëdha tarifa do të jetë 5 euro.

Projekti për dhënien me koncesion të rrugës Tiranë-Durrës parashikon që kompania private të zgjerojë me dy korsi të tjera rrugën kryesore si dhe do të sigurojë rrugë alternativë kalimi pa pagesë.

Bëhet fjalë për rrugën e vjetër Tiranë-Ndroq-Plepa, e cila do të rikonstruktohet po nga kompania private.

Në projektbuxhetin e vitit 2019, qeveria ka vënë si vlerë tavan për këtë koncesion shifrën 49.1 miliardë lekë ose rreth 380 milionë euro.

Dhënia me koncesion e rrugës Tiranë-Durrës është ende në fazë projekti.

Qeveria ka pranuar zyrtarisht se ka marrë një ofertë të pakërkuar, por Ministria e Infrastrukturës deklaroi se kjo ofertë është në fazë shqyrtimi dhe nuk është vendosur ende nëse do të pranohet ose jo.

Ndaj edhe shifrat si ajo e ndërtimit të rrugës, si tarifa e kalimit, janë ende jo zyrtare dhe do të përcaktohen përfundimisht vetëm nëse ministria e Transporteve vendos ta pranojë ofertën e koncesionit./TCH

Share: