Ministri i Financave dhe Ekonomisë, Arben Ahmetaj, dje në prezantimin e projektbuxhetit të ri në Komisionin e Ekonomisë, deklaroi se viti 2019 do të konsiderohet si vit i rritjes së pagave, së paketës sociale dhe uljes së taksave.
Arben Ahmetaj dekarate
Ministri i Financave, Ahmetaj, konfirmoi rritjen e pensioneve me 3 për qind dhe të pagave me 7 për qind për vitin e ardhshëm. Buxheti parashikon që për rritjen e pensioneve fondi të jetë në rreth 2,5 miliardë lekë. Fondi do të përdoret për rritjen 3 për qind të pensioneve për të gjithë pensionistët në vend. “Niveli i shpenzimeve për skemën e sigurimeve shoqërore për vitin 2019 parashikohet të jetë 130,63 miliardë lekë ose 7,5 për qind e PBB-së.
Ky raport është i njëjtë me vitin 2018, nga e cila për indeksimin e pensioneve është parashikuar gati 2,45 miliardë lekë”, shpjegoi ministri Ahmetaj. Përveç rritjes së pensioneve, kjo kategori vitin e ardhshëm do të përfitojë edhe shpërblimet me festat e fundvitit. Ministri i Financave deklaroi se fondi do të përcaktohet me akt normativ, ashtu siç u përcaktua me aktin normative të vitit 2018. Buxheti i ri do të rrisë pagat edhe për 65 mijë punonjës së administratës.
Kreu i Financave tha se nga rritja e pagave do të përfitojnë mësuesit, mjekët, infermierët, punonjësit e burgjeve, ushtarakët dhe diplomatët. “Për sektorin e shëndetësisë rrogat do të rriten 7 për qind, në arsim 7 për qind, në mbrojtje minimumi 7 për qind, por mund të shkojë dhe 10 për qind, sistemit penitenciar 7 për qind dhe punonjësit e përfaqësive diplomatike 20 për qind apo mbi 20 për qind. Vlen të theksohet se nga kjo rritje e konsiderueshme e pagave përfitojnë: 4,650 mjekë, 13,765 ndihmësmjekë/infermierë, 35,783 mësues, 6,800 ushtarakë, 3,559 efektivë të Policisë së Burgjeve dhe 308 diplomatë”, u shpreh ministri.
PRONARËT
Ministri Ahmetaj tha se fondi për kompensimin e pronarëve do të jetë 5 miliardë lekë. Kreu i Financave sqaroi edhe shpërndarjen e fondit. “Për herë të parë, në buxhetin e vitit 2019 jo vetëm që do të jetë një shumë e nominuar prej 5 miliardësh, në bazë të ligjit që kemi hartuar për trajtimin e ish-pronarëve me kompensim, qoftë fizik, qoftë monetar, shuma prej 5 miliardë lekësh nuk do të jetë në fund të vitit, pra të periudhës fiskale, objekt i deficitit. Do të thotë se, në qoftë se shuma prej 5 miliardësh nuk do të jetë harxhuar plotësisht, ajo do të transferohet si mbetje për vitin pasardhës, në mënyrë që fondi i kompensimit të ish-pronarëve të mos preket, duke iu referuar ligjit që kemi aprovuar në Parlament”, u shpreh Ahmetaj.
TIRANË-DURRËS, ME PAGESË
Ministri i Financave u shpreh në Komisionin e Ekonomisë se autostrada TiranëDurrës do të zgjerohet me 6 korsi. “Po përgatitet procedura për Tiranë-Durrës me zgjerimin me tri korsi, pra në total 6 korsi të aksit kryesor të vendit dhe vazhdimin e përmirësimit më tej nëpërmjet një aksi të ri, Vorë-Rrogozhinë”, tha ministri. Ahmetaj shpjegoi se ndërtimi do të jetë me koncesion nga privati, pa kosto të buxhetit, por kalimi do të jetë me pagesë.
“Projekti i prezantuar zyrtarisht në Ministrinë e Infrastrukturës dhe i shpërndarë në autoritetet që marrin pjesë në konsiderimin e projektit, duke përfshirë dhe Ministrinë e Financave, është një propozim, i cili në potencë kërkon zero lekë nga buxheti i shtetit. Nëse plotësohen të gjitha kushtet do të jetë një Partneritet Publik Privat, i cili do të financohet tërësisht nga investitorët dhe në afatgjatë rikthimi i investimit do të vijë nga tolli, nga financimi nëpërmjet tollit, qoftë të operacioneve, qoftë të mirëmbajtjes, qoftë të investimeve”, deklaroi kreu i Financave.