Home KRYESORE Dështimi Kosovës në INTERPOL – Shkaqet kryesore

Dështimi Kosovës në INTERPOL – Shkaqet kryesore

Nga Prof. Lisen Bashkurti

Prej disa kohësh politika, diplomacia dhe media e Kosovës nisën të flisnin lidhur me kandidimin e Republikës së Kosovës në Interpol. Në këtë ‘fushatë’ nuk munguan edhe propaganda, retorika politike dhe euforitë diplomatike. Në një intervistë të dhënë në Evropa e Lirë, pak javë më parë, pyetjes se si e shihja unë kandidimin e Kosovës për antarësi në Interpol, i’u pata përgjigjur me bindje se Kosova më shumë po i largohet sesa po i ofrohet këtij objektivi. Nuk ishte aspak profeci, por opinion analitik.

Kosova e kishte për herë të dytë kandidimin për në INTERPOL. Aplikimi i parë për anëtarësim të Kosovës në INTERPOL është bërë në vitin 2010 nga MPB të Qeverisë së Kosovës. Kërkesa për aplikim, atëherë iu dorëzua Sekretarit të Përgjithshëm i INTERPOL-it, kërkesë e cila athere nuk u kalua tek organet tjera të INTERPOL-it për shqyrtim të mëtejshëm. Ndërsa kërkesa e dytë e institucioneve të Kosovës për anëtarësim në INTERPOL u bë në prill të vitit 2015, nga kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa. Aplikimi i dytë u dorëzua në INTERPOL përmes misionit të UNMIK-ut.

Në seancës e votimeve në Asamblenë e Përgjithshme të Interpolitik, me datë 20 Dhjetor 2018, Kosova dështoi për t’u bërë anëtare me të drejta të plota të kësaj agjensie të rëndësishme të Kombeve të Bashkuara. Pas dështimit në raundin e parë dhe përpjekjes për raundin e dytë, Kosova nuk arriti të merrte 2/3 e votave për t’u bërë pjesë e njërës prej Agjensive më të rëndësishme të sigurisë në botë, në kuadrin e Kombeve të Bashkuara.

Jo vetëm mosvotimi por edhe treguesit sasior të rezultatit përfundimtarë të procesit të votimit në Asamblesë e Përgjithshme të INTERPOL-it për Kosovën ishin mjaft shqetësuese. Konkretisht vetëm 68 vënde ishin pro, 51 vënde ishin kundër dhe 16 vënde abstenuan. Këto vota treguan një mbështetje mjaft të ulët për Kosovën në këtë agjensi të OKB. Madje votimi evidentoi tërheqje të shumë shteteve që e kanë njohur pavarësinë e Kosovës nga vijimi i mbështetjes së saj. Cilat janë shkaqet kryesore të këtij dështimi ndërkombëtar të Kosovës?

1.Lobimi Serb agresiv në rritje kundër Kosovës

Një prej shkaqeve kryesore të dështimit të antarësimit të Kosovës në Interpol dhe madje të arritjes së një rezultati shumë të ulët në këtë votim ishte lobimi shumë agresiv i politikës së jashtme dhe diplomacisë së Serbisë. Një sjellje e tillë politiko-diplomatike u ndoq nga Serbia edhe disa vite më parë kur Kosova tentoi të antarësohej në UNESKO. Politika dhe diplomacia Serbe po shfrytëzojnë gjithë avantazhet në marrëdhëniet ndërkombëtare përkundër Kosovës, për bllokimin e zgjerimit të njohjeve të mëtejshme, madje po punojnë fort për tërheqjen e njohjeve për Republikën e Kosovës nga shtete të caktuara.

Pavarësisht angazhimit formal të Serbisë në marrëveshjen e Prillit 2013 për të mos bllokuar antarësimin e Kosovës në agjensi ndërkombëtare dhe nisma Rajonale, e vërteta është se Serbia, jo vetëm që nuk po e zbaton këtë angazhim, por po e shkel atë me të dy këmbët. Ky qëndrim është një provë e re që Serbia aktuale nuk respekton marrëveshjet e firmosura me Kosovën, pavarësisht ndërmjetësimit dhe garantimit nga BE.

Për Serbinë Kosova ende mbetet një ndarje e thjeshtë administrative brënda kufijve politik të Shtetit Serb dhe asgjë më shumë. Ky qëndrim konsistent i Serbisë nuk jep shpresa edhe për shumë kohë se me të Kosova mund të arrije marrëveshje të gjërë për normalizimin e marrëdhënieve. Lidershipi i Kosovës nuk duhet të ushqejë asnjë iluzion lidhur me politikën dhe diplomacinë aktuale të Serbisë. Cdo iluzion në këtë aspekt do ishte me pasoja serioze për Kosovën.

2. Politika e jashtme, diplomacia e Kosovës dhe Shqipëria

Dështimi i Kosovës në INTERPOL dhe treguesit konkret të këtij rezultati shënojnë hapa serioz prapa të politikës së jashtme dhe diplomacisë së Kosovës. Politika e jashtme e Kosovës po përjeton një konfuzion të vërtetë. Po injorohen parimet kryesore kushtetuese për politikë-bërjen dhe vendim-marrjen në politikën e jashtme. Protagonizmi ekstremist i Presidentit, përplasjet institucionale Qeveri- Parlament- President si dhe rivalitetet politike partiake po rrënojnë bazat e politikës së jashtme të Kosovës, pozitën ndërkombëtare të saj dhe aftësinë negociuese me Serbinë.

Në politikën e jashtme dhe diplomaci, ku duhej të ishte më e fortë, Kosova po shpaloset më dobët. Në politikën e jashtme dhe diplomacy, ku duhej të kishte konstitucionalitet, Kosova po shpalos konfiktualitet. Në politikën e jashtme dhe diplomacy, ku duhej të kishte konsensus, Kosova po shpalos përqarje. Në politikën e jashtme dhe diplomacy, ku duhej të kishte sukses, Kosova po dëshmon regres. Dhe në këtë situatë tejet konfuze të politikës së jashtme të Kosovës protagonistët kryesor të lidershipit aktual Kosovar, Presidenti, Qeveria dhe Parlamenti po përpiqen meritat t’i rrokin për vete, ndërsa dështimet t’i lënë jetim. Konfuzion në vënd të strategjisë-kjo është situata aktuale e politikës së jashtme të Kosovës.

Kriza e politikës së jashtme të Kosovës e ka shndërruar institucionin kryesor të saj, Ministrinë e Punëve të Jashtme në një shtojcë të konjukturave politike të brëndshme, ndërsa diplomacinë po e bën përherë e më diletante dhe më të plogësht. Për këtë diletantizim dhe plogështi të diplomacisë së Kosovës pa pikë dyshimi kanë ndikuar lideshipi në Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe trupi diplomatik Kosovar i akredituar jashtë.

Udhëheqja e Ministrisë së Punëve të Jashtme e ka dobësuar së tepërmi rolin e saj në politikë-bërje dhe vendim-marrje, në përpilimin dhe zbatimin e politikës së jashtme të Shtetit të Kosovës. E përfshirë në kaosin e iniciativave të instancave të larta të vëndit, e ballafaquar me protagonizëm egoist Presidencial, e paralizuar nga përplasjet ndër-institucionale dhe e përfshirë në rivalitetet politike partiake, Ministria e Punëve të Jashtme e ka humbur funksionin e saj kushtetues, ndërkohë shefi i saj po luan më shumë si kryetar i një partie të vogël, sesa si drejtues i politikës së jashtme dhe i diplomacisë shtetërore të Republikës së Kosovës.

Nga ana tjetër, nepotizmi, politizimi dhe fryma e partitizmit e shtrirë në cdo celizë të administratës së Kosovës, kanë gulfatur dhe amatorizuar skajshmërisht edhe instrumentin kryesor të zbatimit të politikës së jashtme – diplomacinë e Kosovës. Për këtë krizë serioze të shërbimit diplomatik të Kosovës, përgjegjësine kryesore e mban Ministri i Punëve të Jashtme, z. Pacolli. Por, njëkohësisht, janë po aq përgjegjës edhe drejtuesit e Qeverisë dhe të Shtetit të Kosovës, respektivisht kryeministri Haradinaj dhe Presidenti Thaci. Edhe opozita pak po kontribuon sa dhe sic duhet në këtë aspekt.

Konfuzioni në politikën e jashtme dhe amatorizmi në diplomacinë e Kosovës ka nevojë për një mbështetje më të madhe nga Shteti Shqiptar dhe ekspertët e tij. Megjithë dobësitë që ka, Shqipëria është shtet i vjetër, ka përballuar pesë luftra rajonale e botërore, ka ndryshuar shumë sisteme politike e ndërkombëtare dhe është përballur me shumë konjuktura ndërkombëtare pro dhe kundër saj. Shërbimi diplomatik i Shqipërisë ka krijuar një establishment mjaft të mirë dhe të qëndrueshëm karriere. Diplomatët shqiptar kanë profesionalitet, aftësi dhe eksperiencë të admirueshme.

Kjo vlerë e madhe e krijuar me mund e sakrifica nga Shteti Shqiptar është një aset që mund të vihet më mirë në shërbim të Kosovës. Përgjegjësia është e dyanshme. Shteti Shqiptarë dhe ekspertët e tij nevojitet të kontribuojë më shumë për politikën e jashtme dhe diplomacinë e Kosovës. Nga ana tjetër, lidershipi i Kosovës lypet të jetë më modest e të zhvishet nga euforia dhe egoizmi, që herë herë kanë marrë trajtën e shpërfilljes, madje edhe të fyerjes së përpjekjeve të Shtetit dhe të ekspertizës së tij për të ndihmuar Kosovën.

Kosova e vetme është e dobët në sistemin ndërkombëtar multilateral dhe krejt e zhbalancuar përkundrejt Serbisë në nivelin bilateral. Në kushtet e kësaj situate ndërkombëtare dhe të kësaj zhbalance forcash Kosovë-Serbi, nuk mund të ketë kurrë negociata normale që do prodhonin rezultat pa humbës. Ndërsa bashkëpunimi aktiv dhe profesional Kosovë- Shqipëri në politikën e jashtme dhe diplomaci do të mund të përmirësonte ndjeshëm pozitën ndërkombëtare e multilaterale të Kosovës dhe do të ndryshonte dukshmën balancën bilaterale të saj me Serbinë.

Situata konfuze e politikës së jashtme dhe mefshtësia dhe dilentantizmi i diplomacisë së Kosovës mund të përkeqësohen akoma më shumë në të ardhmen, duke sjellë pasoja më të rënda në marrëdhëniet ndërkombëtare të Shtetit të Kosovës. Konstitucionalizmi, institucionalizmi dhe bashkëpunimi duhet t’i zënë vëndin konfuzionit dhe konfrontimit në politikën e jashtme të Kosovës. Ndërkohë meritokracia, profesionalizmi, arsimimi dhe përvoja duhet t’i zënë vëndin nepotizmit, politizimit dhe partizimit të sëmurë të stafit diplomatik në Ministrinë e Jashtme dhe jashtë vëndit. Nevojitet një ndryshim i shpejtë dhe radikal i gjendjes për daljen nga ky kolaps politiko-diplomatik, me qëllim që të parandalohen hapat prapa në ecurinë e njohjeve ndërkombëtare të Kosovës, në procesin e integrimit në organizatat rajonale dhe universale, si dhe në përballjen sfidante të negociatave me Serbinë.

3. Situata e brëndshme e rendit dhe ligjit në Kosovë

Politika e jashtme dhe diplomacia janë pjesë e politikave publike dhe interesave shtetërore te Kosovës, të shtrira në marrëdhënie ndërkombëtare. Për këtë arsye zhvillimet e brëndshme në Kosovë kanë impakt të madh dhe të drejtpërdrejtë edhe në përformancën e politikës së saj të jashtme dhe të efektivitetit të diplomacisë kosovare.

Ndonëse ka një farë makrostabiliteti të saj, Kosova po demonstron aktualisht situatë jo të kënaqshme të sundimit të ligjit dhe të rendit. Krimi i organizuar, trafiqet e paligjshme, cënimi i rendit publik dhe mos adresimi nga drejtësia vëndase dhe ndërkombëtare i akuzave për krime lufte kanë cënuar rëndë imazhin ndërkombëtar të Kosovës dhe të udhëheqjes së saj.

Është pikërisht kjo situatë që ka ndikuar edhe në vonesën e liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës në hapsirën SHENGEN, por edhe në mjediset e INTERPOLIT për refuzimin e pranimit të saj në këtë organizatë. Situata problematike sundimit të ligjit dhe rendit në Kosovë dhe sfida e adresimit të ballafaqimit me drejtësinë vëndase dhe ndërkombëtare të krimeve të luftës dhe të pas luftës janë përdorur dhe po përdoren si argumente kryesore nga diplomacia Serbe dhe aleatët e saj të dukshëm dhe të padukshëm në qarqet Evropiane të Shengenit dhe në Asamblenë e INTERPOLIT, sikundër edhe në mjedise të tjera ndërkombëtare.

Dështimet e Kosovës në UNESKO disa vite më parë dhe në INTERPOL disa ditë më parë përbëjnë këmbana alarmi shumë serioz për Shtetin e Kosovës dhe liderët e saj. Në mënyrë të vecantë politika e jashtme dhe diplomacia e Kosovës kanë nevojë për një rishikim tërësor, duke nisur nga strategjia, prioritetet, planet e veprimit, procesi vendim-marrës e deri te aftësitë diplomatike, implementuese e negociuese ndërkombëtare.

Share: