Home KRYESORE “Pikturë” në politikë, “financë në gjuhën angleze”. Të marrsha të ligat O,...

“Pikturë” në politikë, “financë në gjuhën angleze”. Të marrsha të ligat O, Shqipëri!

Nga Kasem Seferi

“Në politikë, ngjyra nga një kryeministër hijerëndë dhe piktor

Në financë, Shekspiri, një ministër si “Kopraci”aspak si actor.”.

Ja dhe më shumë fjalë të thëna shumë vite më pare.

“Ju nuk mund ta fiksoni atë që është thyer duke e thyer atë përsëri: ndaloni dhënien e kreditimit; ndaloni procesin e inflacionit; mos inkurajoni konsumin, por më saktë inkurajoni kursimin dhe ripagimin e borxhit; i lini të gjitha bizneset e dobta të falimentojnë (të mos i ndihmoni për të dalë nga telashet financiare). Shtrembërimet duhen hequr, ose humnera, nga e cila do të bijë sistemi në mënyrë të pashmangshme thjesht diku tjetër, do të bëhet gjithnjë e më e thellë.”.                                                                                                                  Ludwig von Mises

Bankat qendrore duhet të ruanin stabilitetin e çmimeve dhe jo të hidhnin para me shumicë në ekonomi, sepse deflacioni, si dukuri, ka qenë është dhe do të jetë produkt i kapacitetit të tejkaluar të ekonomisë botërore si rezultat i rritjes së kapacitetit botëror të prodhimtarisë nga globalizimi, përqindjet e larta të investimit, rritja e shpejtë e prodhimtarisë, kapacitetit të tejkaluar nga kërkesa si rezultat i shpërndarjes së padrejtë të të ardhurave, ose nga ngopja e konsumatorëve që bën presion mbi çmimet, si dhe nga kurthi i likuiditetit që ndodh në atë kohë kur kërkesa nuk rritet edhe pse rritet paraja në qarkullim.

Ekspertët dhe analistët kanë argumentuar se risku madhor që duhet përballuar në përpjekjet për të luftuar disinflacionin dhe deflacionin, si forcë madhore ekonomike në ekonomi që pritej, qendron te emetimi i monedhës dhe te depozitimi i tregjeve të kreditimit për të kompensuar kolapsin e tregut të kreditimit.

Ekonomisti nobelist Joseph Stiglitz, në ditët e fundit të Tetorit 2009 paralajmëronte përsëri se ekonomia botërore ishte në buzë të një deflacioni që këmbëngulte dhe, si shumë ekonomistë të tjerë të njohur, e mbështeti paralajmërimin e tij për rrezikun e deflacionit te rritja e sheshtë e indeksit të çmimit të konsumit, duke e krahasuar atë me muajt paraardhës dhe me një vit më parë, duke e fiksuar atë si rënien e shtatë pasuese vit pas viti (gjë që vihet re më shumë në rënien e qirasë së banesave një përbërës kyç të shportës).

Paralajmërimi u bë në kontekstin e papunësisë së lartë, e cila bënte presion për uljen e pagave (sepse, atëhere, sipas Bloomberg, me papunësinë që rritej, bizneset mund të mos kishin nevojë të rrisnin pagat për të tërhequr punëmarrës, madje edhe në ato raste kur ekonomia mund të ngrihej) duke ndikuar kështu në zvogëlimin e kërkesës për mallra dhe shërbime, çka i detyronte bizneset të ulnin çmimet.

Çmimet e ulta favorizojnë konsumatorët, por ekonomia nuk përfiton, përkundrazi goditen të ardhurat nga presioni për shkurtimin e pagave.

Familjarët, kësisoj, mund të kishin më pak para për të paguar huatë e marra në banka duke i shtyrë bankat të rrisnin sekuestrimin e pasurisë së hipotekuar; bizneset mund të kenë më pak të ardhura për të paguar detyrimet e tyre duke mundësuar falimentimin e tyre.

“Kreditimi privat po tkurret në të dy anët e Atlantikut. Të dhënat e parasë nga M3 po hedhin në ajër sinjale ndriçuese që paralajmërojnë krizën e deflacionit në vitin 2010 në pothuajse gjysmën e ekonomisë botërore.”, do të vinte në dukje ato ditë Telegraph, ndërsa një ekspert bankar britanik në komentin e tij këshillonte bankat qendrore perëndimore të “monetizonin” defiçitet në shkallë shumë të gjërë për t’i dalë përpara deflacionit të borxhit.

Deflacioni (në fakt disinflacioni) si zvogëlim i parasë dhe i huadhënies (kreditimit) ndodh kur sistemi ekonomik mban shumë borxhe të cilat duhen mbështetur nga niveli i të ardhurave që gjenerohet nga veprimtaria ekonomike.

Deflacioni ndodh nga krijimi i borxhit shumë të madh për shkak të aseteve joprodhuese që nuk gjenerojnë të ardhura; deflacioni është një proçes korigjues, atëhere kur tregu nuk është në gjendje t’i shërbejë borxhit, kështu që njerëzve nuk u ngelet gjë tjetër veçse të dorëzohen. Ekonomisti i njohur që paralajmëroi krizën financiare botërore,

Nouriel Roubini do të thonte se politikëbërësit duhej të shqetësoheshin nga një bishë e çuditëshme e quajtur “stag – deflation” (një kombinim ky i stanjacionit ekonomik/rënies ekonomike dhe deflacionit), kurtheve të likuiditetit (kur përqindjet zyrtare të interesit i afrohen zeros dhe politika monetare tradicionale humbet efektivitetin dhe deflacionit të borxhit (rritjes së vlerës reale të borxhit nominal, rritjes së riskut të falimentimit për familjarët, bizneset, institucionet financiare dhe qeveritë e vendeve të varfëra).

Nobelisti Michael Spence do të thonte se tregjet nuk i zgjidhin mirë, ose aspak fare të gjitha problemet e caktimit të burimeve dhe kjo nuk është ide e re dhe e rëndësishme, do të theksonte ai, është ajo se njerëzit dhe shoqëritë, nëpërmjet përgatitjeve dhe strukturave organizative, politike dhe institucioneve të tjera, vlerave, nxitësve dhe njohjes, si dhe menaxhimit me kujdes të informacionit, gjejnë mënyra për t’i zgjidhur këto probleme.

“Në të vërtetë – do të thonte Michael Spence – shkenca ekonomike nuk është në mënyrë thelbësore mbi tregjet, por për caktimin e burimeve dhe problemeve të shpërndarjes.”.

Përgatitjet alternative krijuese institucionale janë shpikur dhe përsosur me kalimin e kohës për t’u marrë me ato probleme që tregjet nuk i zgjidhin në mënyrë të përkryer, kështu që institucionet, përfshi dhe bizneset, krijohen për të zgjidhur problemet e caktimit të burimeve atje ku tregjet dështojnë.

Nobelisti tjetër Robert Solow mendonte se të thuaje se ekonomia po përmirësohej nuk ishte e njëjta gjë me atë që ekonomia po ecën mirë, sepse diferenca ndërmjet rënies së PBB – së reale dhe rritjes së kapacitetit të ekonomisë tregonte se sa më pak prodhonin nga ajo që do të donin të prodhonin më parë dhe ky boshllëk duhej ngushtuar për të zvogëluar papunësinë.

Në kushtet e një ekonomie të vogël kërkesa më e vogël për eksporte do të zgjeronte boshllëkun e prodhimit dhe një rënie e mëtejshme të çmimeve të importit dhe do të përshpejtonte rënien e çmimit të konsumit.

Krahasimi i kostos ndërkombëtare kundrejt një ekonomie të vogël, në kuptim të prodhimit për eksport dhe prodhimit industrial në vend, do të inkurajonte spostimin e mëtejshëm të tregjeve të mallrave dhe të punës, duke zvogëluar investimet dhe punësimin.

Për pasojë bizneset prodhuese do të shkurtonin pagat dhe kosto të tjera për të përballuar humbjet e mëtejshme nga konkurrenca e çmimit ndërkombëtar, gjë që do të shoqërohej me lëvizjet e kursit të këmbimit dhe vlerën reale të monedhës vendase.

Në studimin e bërë Instituti i Vienës për Studime Ekonomike Ndërkombëtare, në lidhje me kapacitetin e korigjuar të ekonomisë së vendeve të Ballkanit Perëndimor, përsa i përket ndikimit të shock – ve të jashtme, përqendruar te tregjet e punës, vihej në dukje se zevendësimi i lartë i monedhës vendase me euron lidhet me kredibilitetin e ulët të bankave qendrore të vendeve të Ballkanit Perëndimor, ku tregjet e punës luajnë një rol vendimtar.

Në mënyrë të veçantë për shkak të detyrimit në lidhje me karakteristikat e përgjithshme të proçesit europian të tranzicionit (për integrimin në BE) dhe, pjesërisht për shkak të përqindjeve fikse të këmbimit (me përjashtim të Shqipërisë), tregtia dhe defiçitet korente prireshin kah rritja e lartë, ose shumë e lartë.

Studimi në fjalë (mbi bazën e gjetjeve), sugjeronte se, në pjesën më të madhe, ky nuk ishte rasti që elasticiteti i pagave dhe i rregullave të punësimit të mbështesnin nivelet e ulta të punësimit dhe nivelet e larta të papunësisë.

Për vendet ku dërgesat nga emigracioni janë të larta (Shqipëria, per shembull, në vitet 2004 – 2006 i kishte 25 – 30 për qind të PBB – së) dhe me rënie të kërkesës së jashtme për eksporte, vënia në jetë e rekomandimeve të mëposhtme si: rritja e elasticitetit të tregut të prodhimit për të mbështetur dhe inkurajuar sipërmarrjen; zbatimi më i fortë i politikave të konkurrencës, me qëllim që të eleminoheshinn monopolet dhe shtrembërime të tjera në treg, si dhe mbështetja e të rinjve që sapo kishin hyrë në treg.

Mbështetja për prodhimin industrial; ribalancimi i peshave relative të punësimit të sektorit publik dhe atij privat; investimi për rritjen e aftësive profesionale; trajnimi i të rinjve të papunë; përmirësimi i përqindjeve të ulta të papunësisë së grave; heqja e barrierave për papunësinë e lartë rajonale; korigjimi i politikave fiskale dhe stimujt për zvogëlimin e punësimit informal; mbështetja e politikës monetare nga politika e të ardhurave; zvogëlimi i mëtejshëm i punësimit në sektorin publik; reforma e sigurimeve shoqërore, veçanërisht, pensioneve si një prioritet, dhe nuk kishte gjasa të ishte, thjesht, zbatimi i një recete aq më shumë në rast se marrim në konsideratë faktin e parashikimeve kontradiktore të zhvillimeve të pritshme të krizës ekonomike botërore.

Çfarë bëri Qeveria Rama 1 dhe 2 në kontekstin e mësipërm deri tani?

“Pallatin me shigjeta” dhe “malin” e konçensioneve!

Si lum ne, o Lali Eri, që të kemi kryetar në kryeqytet!

“Lule trima, o more lule

Pushka bam, ju s’bëni tutje.”.

Kasem Seferi – ekonomist pensionist

Share: