Home Gjeo-Ekonomia Konçesionet/ Pas Tiranë-Durrës edhe Kashar-Rrogozhinë: Sa do të jenë tarifat

Konçesionet/ Pas Tiranë-Durrës edhe Kashar-Rrogozhinë: Sa do të jenë tarifat

Autostrada Tiranë-Durrës do të jepet me koncesion dhe kalimi në këtë aks do të jetë me pagesë. Qeveria parashikon të japë me koncesion edhe një aks tjetër, siç është ai Kashar-Rrogozhinë.

Të dhënat për vlerat e kontratave jepen në relacionin e projektbuxhetit të vitit të ardhshëm. Kontrata e koncesionit të autostradës, sipas buxhetit, do të përfshijë ndërtimin, operimin dhe mirëmbajtjen e saj nga privati. Vlera e investimit të kryer nga privati llogaritet në 49,1 miliardë lekë.

Në relacionin e buxhetit përcaktohet se dhënia e tyre me koncesion do të bëhet në vitin 2019. Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë konfirmoi dje se është depozituar një propozim nga një subjekt privat për realizimin e projektit me koncesion për të dyja autostradat, Tiranë-Vorë-Durrës dhe Kashar-Rrogozhinë.

Ministria e Infrastrukturës sqaron se e gjithë kostoja e ndërtimit do të përballohet nga privati dhe kalimi në këtë aks do të jetë me pagesë. Përveç kësaj, ministria sqaron se do të ketë edhe një rrugë alternativ pa pagesë.

“Propozimi ka për qëllim të ofrojë një zgjidhje të qëndrueshme për të ulur ngarkesën në të gjithë rajonin, Tiranë, Durrës dhe Rrogozhinë. Skema e propozuar parashikon ndërtimin e veprave në fjalë në dy faza. Së pari, zgjerimin e aksit Tiranë Vorë-Durrës, rehabilitimin e rrugës dytësore Tiranë-Durrës përmes Ndroqit dhe asaj të aksesit për bizneset.

Së dyti, në një fazë të mëvonshme, përtej 2025, parashikohet ndërtimi i aksit tjetër KasharRrogozhinë. Skema e propozuar parashikon që të gjithë koston e ndërtimit e përballon koncesionari privat, i cili vendos një tarifë për kalimin duke garantuar shlyerjen e investimit dhe fitimin e arsyeshëm pa rënduar mbi buxhetin e shtetit. Qytetarëve u krijohet edhe mundësia e kalimit pa pagesë përmes rrugës alternative”, sqaron Ministria e Infrastrukturës.

Nga ana tjetër, ministria e Infrastrukturës shprehet se ende nuk ka një vendimmarrje dhe se do të analizojë propozimet. “Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë është duke analizuar këto propozime, nuk ka asnjë vendimmarrje dhe në rast të një konkluzioni pozitiv, do të ndiqen me transparencë të plotë të gjitha procedurat e përcaktuara në ligj, duke garantuar mbrojtjen maksimale të interesave të qytetarëve shqiptare. Projektet e paraqitura kanë për referencë kosto tavan dhe jo kosto konkrete të realizimit. Kostot finale të projekteve përcaktohen vetëm pasi të ketë projekt zbatimi të miratuar për realizimin e veprave në fjalë”, thuhet në reagim.

360grade.al

Share: