Komuniteti fetar në Shkodër reagon sërish për situatën kriminale pas vrasjes në mes të ditës dhe në mes të qytetit të Fatos Ferracakut dhe plagosjes së një personi tjetër.
Autorët u larguan me një motor të cilin e dogjën dhe ende nuk dihet asgjë për motivet e krimit.
“Sot kur Shkodra është zhytur nga një mjegullnaje e zezë, nga krimi, vjedhja, korrupsioni, përhapja e fajdeve, cenojnë identitetin tonë, kanë për qëllim të bëjnë ligjin e t’i ndryshojnë identitetin këtij qyteti, ne e kemi për borxh moral e kombëtar të kthehemi nga vlerat e besimit”, u shpreh Muhamed Sytari, Myfti i Shkodrës.
Ngjarja ka tronditur opinionin publik si dhe rendin dhe sigurinë në qytetin Shkodrës vetëm një ditë pasi në komisariatin e këtij qyteti ishte zëvendësministri Sandër Lleshaj.
Më herët mesazhe të ngjashme ka dhënë dhe komuniteti i krishterë ku në thelb ishte bashkëjetesa e mirë si dhe largimi nga veset që dëmtojnë shoqërinë si dhe ndalimin e vrasjes.