Home KRYESORE Nga kriza financiare dhe ekonomike botërore te politikat proteksioniste të SHBA –...

Nga kriza financiare dhe ekonomike botërore te politikat proteksioniste të SHBA – së

Nga Kasem Seferi

Shumë vite më parë, pikërisht atëhere kur ekonomia botërore përjetonte “dallgët më të mëdha” të saj, vendet më të fuqishme të planetit u mblodhën për t’i dhënë zgjidhje së ardhmes së afërt dhe duke lënë mënjanë dijet e së kaluarës nga i ashtuquajturi “Depresioni i Madh”.

Ishin përgatitjet dhe takimi i G – 20 (ës).

Roli dhe reputacioni i politikanëve dhe politikës në botën e ditëve tona, varet nga ndikimi në të mirë të qytetarit që do të japë secili për ngritjen e shpresës te populli për një jetë më të mirë.

Kapërcimi i ndikimit të krizës financiare dhe ekonomike botërore në këtë “valë dallgësh dytësore” ishte dhe mbetet zgjidhja e rradhës, për arsye se parandalimi i krizave në të ardhmen do të kërkojë gjithnjë e më shumë zhvillimin dhe përsosjen e institucioneve të ekonomisë së globalizuar, për të ngritur nivelin e jetesës anekënd planetit tonë.

Globalizimi, përhapja e specializimit dhe e ndarjes së aftësive njerëzore (njohur si ndarja e punës) në shkallë botërore, përfaqësojnë hapësit kryesorë për të parandaluar një krizë tjetër ekonomike të mundshme, sepse rritja e vazhdueshme e përballimit të risqeve në të gjithë botën krijon me të vërtetë një ekonomi botërore, që po ndërkombëtarizohet përditë e më shumë: një mall ky, zakonisht, që përbëhet nga pjesë të prodhuara në shumë vende.

Mundësia e gjetjes së burimeve më konkurruese të fuqisë punëtore dhe të materialeve në të gjithë botën, vërtetë ul koston dhe çmimet e prodhimit, por ngre, veçanërisht, treguesin e produktivitetit/prodhueshmërisë, që është faktori kryesor i rritjes së nivelit të jetesës të çdo shoqërie njerëzore.

Përqëndrimet e të ardhurave në rritje në proçesin e globalizimit, në shkallë vendi, e kanë ashpërsuar betejën ndërmjet kulturave të shtetit të mirëqënies dhe të kapitalizmit, duke bërë që mbi kokat e qytetarëve shqiptarë të vërtitet fantazma e frikës dhe e pasigurisë, ose kërcënimi i vërtetë për rendin, ligjshmërinë dhe për pasojë për mirëqënien.

Shqetësimi i parë vjen nga përqëndrimet e tepruara të të ardhurës, të cilat përfaqësojnë një kërcënim për zhvillimin normal dhe stabilitetin e shoqërise shqiptare (që e quajmë me modesti demokratike) sepse këto lloj pabarazish e kanë shtyrë Qeverinë Rama 2 drejt zbatimit të një politike shoqërisht të jutifikueshme, por ekonomikisht me pasoja katastrofike.

Duhet marrë në konsideratë të veçantë fakti se qytetarët përshtaten shpejt me nivelet më të mira të jetesës dhe po të jetë se këto nivele ngadalësohen, atëhere ata mendojnë se po privohen nga diçka, prandaj do të fillojnë dhe do të kërkojnë interpretime të reja dhe një udhëheqje të re.

Historia ka paralajmëruar se globalizimi mund të bëjë edhe hapa mbrapa.

Shumë nga arritjet tona historike të çerekshekullit të fundit, janë rezultat i rrëzimit të barrierave tregtare, sidomos pas Luftës së Dytë Botërore dhe, ringritja e tyre përsëri, siç thënë analistë me emër do të sillte pasoja si ato të rënies katastrofike të bursës në vitin 1929.

Pas Luftës së Dytë Botërore gjallërimi ekonomik u bë i mundur kur ekonomistët dhe udhëheqësit politikë pranuan gjerësisht se katastrofa e Krizës së Madhe, u shkaktua kryesisht nga proteksionizmi i vendosur menjëherë pas Luftës së Parë Botërore.

Përparimi i globalizimit u nxit në dhjetëvjeçarin e vitit 1970, gjatë të cilit u rimendua më thellë filozofia ekonomike e ndërhyrjes dhe e rregullimit shtetëror, që përfaqësonte krijesën e viteve të Krizës së Madhe.

Zhvillimi i globalizimit të tregjeve të kapitaleve uli koston e financimeve dhe rriti në të gjithë botën gjendjen e kapitalit real, që përbën motorrin lëvizës të produktivitetit, por gabimet e pashmangshme dhe periudhat e euforisë të pjesmarrësve në tregjet botërore, si dhe keqfunksionimet që lindin nga ato, shkaktuan ndonjë disbalancim ekonomik të vogël dhe të madh si kriza aktuale.

Kriza e fundit financiare dhe ekonomike, me disbalancimet e mëdha, u ndikua nga euforia dhe frika e njerëzve, që përkohësisht, nxorri nga shtrati normal marrëdhëniet e zakonshme dhe funksionale që karakterizojnë tregjet, për shkak të nxjerrjes së fitimeve shumë të larta nga shitblerja e shërbimeve financiare dhe e elementëve të tjerë pasurorë, duke ushtruar presion mbi çmimet, kurset e këmbimit dhe normat e interesit.

Ritmi i shpejtë i globalizimit të tregtisë, u shoqërua nga globalizimi i sistemit financiar, pasi sistemi global financiar duhet të jetë i aftë për të drejtuar kursimet botërore në financimin e atyre investimeve që do të prodhojnë më shumë ato mallra dhe shërbime që vlerësohen më tepër nga konsumatorët.

Sektori që kërkon vëmendjen më të madhe në lidhje me ndërhyrjen e Qeverisë është lufta kundër mashtrimeve, gjë që kërkon më tepër fonde për krijimin e rregullave të reja që ndihmojnë në forcimin e ligjshmërisë për të luftuar dhe shmangur praktikat e mashtrimit dhe të korrupsionit politik, pasi miratimi “pas dasme” i ligjeve dhe rregullave të reja për të luftuar dështimet dhe gabimet, sikundër po ndodh me Qeverinë Rama 1 dhe 2, ka qenë dhe do të jetë humbje kohe e konsiderueshme dhe një kosto tepër e lartë për korigjimin e gabimeve në vitet që vijnë.

Proteksionizmi i Qeverisë së SHBA, pavarësisht petkut politik ose ekonomik, në të gjitha rastet ka përfaqësuar dhe përfaqëson recetën e stanjacionit ekonomik dhe të autoritarizmit politik që nga koha kur SHBA merrte para hua nga Rusia dhe Kina.

Pikërisht fundi i proçesit të diskutimit të politikave TRUMP mbi të ardhmen e globalizimit dhe kapitalizmit do të përcaktojë rrugën në të cilën do të vazhdojë të ecë tregu botëror dhe mënyra e jetesës së kombeve në dhjetëvjeçarët që vijnë.

Ku është ekonomia shqiptare, e orientuar nga “politikat ekonomike Rama – Ahmetaj” në këtë kontekst?!

Le ta shohim!

Share: