Nga Mentor Kikia
Jashtë çdo qëndrimi nacionalist….
Ajo që u demonstrua sot në Bularat të Gjirokastrës ishte një shfaqje e shëmtuar e vulgut të shoqërisë greke dhe politikës që e mbështet. Flamuj pa fund, si në asnjë ceremoni, askund, edhe mbarë Greqisë, u shpalosën shoqëruar me një kor korbash që heroizonin një njeri që u vra në përpjekje të armatosur me policinë.
Kam lexuar shumë qëndrime sot, mes të cilave kritikë që akuzonin qeverinë për tolerimin e kësaj shfaqeje, deri në grotesk. Por unë mendoj që qeveria bëri shumë mirë që nuk ndërhyri. Bëri shumë mirë që i la të dehen sot me një copë pëlhurë bardhe-blu, pasi as flamur s’mund të quhet kur me të vishen edhe pemët, e të këndojnë këngë çetnikësh.
E di që do të thoni: A do ta bënim dot ne një gjë të tillë në Greqi? Padyshim që jo, kurrë nuk do të na lejonin, madje do të na zhvishnin në kufi e të na merrnin çdo flamur të fshehur deri në mbathje. A do të na lejonin grekët në gazetarëve të bënim transmetime Live një javë rresht? Padyshim që jo. Mua më kanë refuzuar dy herë të kaloj kufirin sepse Ambasada Greke në Tiranë është kujdesur të listojë gazetarët në pro dhe anti-grekë.
Por më mirë kështu, pikërisht ky është ndryshimi.
Shfaqja histerike e sotme në Bularat është një dëshmi e fortë për të gjithë, grekët vetë në radhë të parë.
Merrni këto pamje tani dhe tregojuani Botës mbarë se sa të lirë janë minoritarët grekë në Shqipëri. Tregojuani kokave të sëmura në Athinë që kërkojnë të ndezin zjarr edhe kur nuk kanë as eshkë e as strall, edhe “panhelenikëve” në Amerikë që vajtojnë për dhunimin e minoritarëve.
Edhe Vangjel Dules që jeton në Tiranë.