Për këtë shkrim marr shkas nga Konferenca vjetore e Bankës së Shqipërisë zhvilluar në datën 1 Nëntor 2018.
Politika monetare konsiston në procesin e hartimit, njoftimit dhe implementimit të planit të veprimeve që ndërmerren nga bankat qendrore dhe struktura brenda saj dhe jashtë saj që përcaktojnë fokusin dhe ndikimin e faktorëve dhe aktorëve kryesorë të veprimtarisë ekonomike të vendit.
Në lidhje me veprimtaritë që janë pjesë integrale të politikës monetare, theksoj se ato janë manaxhimi i ofertës për para dhe normave të interesit që synojnë arritjen e objektivave makroekonomike si kontrolli i inflacionit, konsumi, rritja dhe likuiditetet. Objektivat makroekonomike synohet që të arrihen duke modifikuar normat e interesit blerjen apo shitjen e bonove qeveritare, rregullimin e kursit të këmbimit dhe ndryshimin e sasisë së parave që bankave u kërkohet për të mirëmbajtur rezervat.
Ekonomistët, analistët, investitorët dhe ekspertët financiarë në tërë globin presin me ankth raportet e politikave monetare të vendeve të ndryshme dhe rezultatet e takimeve ku përfshihen edhe debate për marrjen e vendimeve në lidhje me politikat monetare dhe kjo sepse kjo politikë ka një ndikim shumë të madh në ekonominë e vendeve dhe në ecurinë e sektorëve të ndryshëm të saj.
Politika monetare ndikon shumë në pamjen e ekonomisë dhe kryesisht në rritjen ekonomike, punësimin, normat e interest, kursin e këmbimit dhe mirëmbajtjen e këtyre parametrave.
Politikat monetare janë dy tipe: zgjeruese dhe kontraktuese. Nëse një vend ka papunësi të lartë dhe rënie ekonomike, politika monetare mund të jetë zgjeruese për të patur rritje ekonomike dhe zgjerim të veprimtarisë ekonomike, normat e interesit ulen dhe kjo dekurajon kursimin e parave dhe nxit shpenzimet, duke nxitur shpenzimet konsumatore për mallra dhe shërbime, duke sjellë rritje të ofertës për para. Meqë normat e interesit janë të ulëta, bizneset dhe qytetarët nxiten për të marrë kredi, kjo sjell investime në sektorët e prodhimit, duke shtuar punësimin, kjo shton të ardhurat e qytetarëve, që nxiten për të shtuar blerjet dhe investimet. Pjesa më e madhe e vendeve që u prekën nga kriza e vitit 2008 kanë ndjekur këtë rrugë për daljen nga kriza dhe riformësimin e ekonomisë së tyre kombëtare dhe asaj botërore.
Pas një farë kohe, rritja e ofertës për para dhe normat e larta të rritjes të çojnë në një inflacion më të lartë. Me rritjen e çmimeve të podukteve dhe shërbimeve të jetës së përditëshme, energjisë, ushqimeve, etj, fillon dhe preket kosto e jetesës, kostot e bërjes së biznesit dhe të tjera zona të jetës politike, ekonomike dhe sociale. Kjo bën që politika monetare të mos jetë më zgjeruese por kontraktuese. Duke rritur normat e interesit, synohet që të ulet inflacioni, të reduktohet oferta e parasë në treg, shtohet kosto e borxhit, dekurajohen shpenzimeve, duke nxitur kursimin. Kjo mund të sjellë një rritje ekonomike më të ulët dhe rritje të papunësisë dhe kjo bëhet për të mbajtur nën kontroll inflacionin.
Kjo është pak a shumë se si operohet me politikën monetare.
Në fakt, në rastin e Shqipërisë, duket se politika monetare nuk ka ose ka fare pak ndikim në ekonominë e familjeve shqiptare, sepse shqiptarët janë përherë e më të varfër. Politika monetare duket se nuk ka ose ka fare pak ndikim në punësim, sepse gjatë viteve të fundit janë larguar nga Shqipëria rreth 560.000 qytetarë për shkak të mungesës së punës.
Politika monetare duket se nuk ka ose ka fare pak ndikim në investime, sepse në fatk, në Shqipëri nuk prodhohet asgjë kur bëhet fjalë për produkte industriale dhe prodhimi bujqësor është në ditët e tij më të këqija.
Nëse e lidhim politikën monetare me integrimin ekonomik, duhet theksuar se integrimi ekonomik është një marrëveshje midis vendeve për të reduktuar dhe eliminuar barrierat tarifore dhe jotarifore për rrjedhje të lirë të mallrave dhe shërbimeve dhe faktorëve të prodhimit dhe bashkëveprim për koordinimin e tregtisë, politikave monetare dhe fiskale, etj. Pra, politika monetare është një element i integrimit ekonomik dhe jo integrimi ekonomik vetë.
Integrimi ekonomik është një proces dhe si i tillë ka disa faza. Këto faza janë: Zona e lirë ekonomike (zona ku tregtia, prodhimi, transporti, etj bëhen pa tarifa), bashkim doganor (tarifa doganore të unifikuara), treg i vetëm (unifikim i politikave ekonomike), bashkim monetar dhe ekonomik (treg unik me një monedhë), bashkim politik (integrim i plotë). Objektivi madhor i integtimit ekonomik është rritja e mirëqenies, nëpërmjet rritjes së GDP-së për vendet që hyjnë në marrëveshje.
Në rastin e Shqipërisë, duket sheshit se politika monetare nuk ka asnjë lidhje dhe asnjë ndikim në intergrimin ekonomik, jo vetëm për faktet e mësipërme që kjo politikë nuk ndikon në jetën e përditëshme të qytetarëve dhe në rritjen ekonomike dhe investimet, por edhe për faktet se integrimi i Shqipërië për në Evropë po shtyhet e shtyhet në vazhdimësi, por edhe sepse as që mund të bëhet fjalë apo të pretendohet se Shqipëria mund të krijojë zonat të lira ekonomike, të bashkojë doganat, të unifikojë tregun, të bëjë bashkim monetar dhe ekonomik apo edhe bashkim politik me grekët dhe serbët, të paktën në periudhën afatshkurtër dhe afatmesme.