Home KRYESORE Politikanët hibridë! Nga Lis Bukuroca

Politikanët hibridë! Nga Lis Bukuroca

Hibridizim është kur te kafshët, ose te bimët, kryqëzohet një lloj a një racë me një lloj a me një racë tjetër, për të krijuar një racë me veti dhe tipare të reja. Kur aftësitë politike, kryqëzohen me zotësitë kriminale, atëherë prodhohen politikanë të hibridizuar, që ndërtojnë një tallava – sistem, të cilit as dreqi nuk i bie në fije!

Demokraci hibride është edhe kur një shoqëri jeton me mendësi fisnore, por ka kushtetutë moderne. Ato dyja njësohen në një tërësi, e cila shpien në eksod masiv! Aty respektimi i ligjit quhet shtirje, ose qëndrim banal, kurse shkelja e tij, vepër normale, ose atdhetare!

Gjykatat në demokracitë hibride shërbejnë për të dënuar njerëz pa ndërveprim me pushtetin, (kriminelët e pavarur) si dhe për të shpallur ligjërisht të pafajshëm politikanët hibridë!

Nëse arrin të bindësh popullin, se je duke mbushur arkën, pikërisht në çastin gjersa je duke e zbrazur, atëherë quhesh politikan i aftë në Kosovë, por edhe në Ballkan.

Nëse arrin të bindësh të tjerët, se je duke shkulur kanabisin, pikërisht në çastin kur je duke e mbjellë para syve të policisë, quhesh shtet në Shqipëri, por edhe në Ballkan!

Aq sa m shumë vjedh politikani në Ballkan, aq më shumë ka nder. Aq më shumë nder, aq më shumë ndikim në shoqëri. Aq sa më shumë ndikim që ka, aq më shumë dërgon para jashtë vendit dhe aq më shumë ka frikë prej tij prokuroria dhe gjykata! Madje, këto dy institucionet e fundit, kriminelët e mëdhenj, i nderojnë dhe respektojnë si pjesëtarë gjenial të Akademisë së Arteve dhe të Shkencave Humane! Gjykatësit dhe prokurorët më shumë do të dëshironin të dinin prej tyre, se si vidhet me sukses, por jo si mund të burgosen me sukses.

Në Ballkani nuk çuditen nëse vjedh politikani, por nëse ai nuk vjedh! Nëse hajni vjedh shumë, fiton respekt, nëse vjedh pak, burgoset!

Politikë kanceroze kemi në një shoqëri, kur njerëzit e zgjedhur për ta udhëhequr, dëmtojnë ekonominë e popullit, nga i cili paguhen. Ashtu si qelizat e kancerit, që shkatërrojnë indet dhe organet në trupin në të cilin jetojnë, politika kanceroze tubon rreth vete të etur për pushtet dhe të nënshtrueshmit, zhvatësit, sepse ata krijojnë metastazat për ta rraskapitur dhe trullosur një popull të tërë!

Dëbimi i shqiptarëve nga atdheu ishte traditë greke dhe serbe, tanimë edhe shqiptare, që i mbush mendjen popullit, se jeta, ka kuptim, vetëm nëse jetohet jashtë vendit!

Share: