Pas një hetimi disa mujor Autoriteti i Konkurrencës ka gjobitur koncesionarin që kryen shërbimin e kontrollit tenik të mjeteve, me 5,69% të xhiros vjetore të vitit 2017, për shkelje të rregullave të konkurrencës, duke abuzuar me pozitën dominuese.
Autoriteti i Konkurrencës ka hetuar periudhën 1 qershor 2016-31 dhjetor 2017 dhe ka zbuluar se kompania SGS, duke operuar si e vetme në treg, i ka vënë klientët e saj përpara kushteve të padrejta të tregtimit.
Radhëve të gjata në pikat e kolaudimit, kompania nuk u është përgjigjur duke sjellë qendra kontrolli teknik të lëvizshme për të ulur fluksin, edhe pse një gjë e tillë është e parashikuar në kontratën e koncesionit.
Madje këto qendra të lëvizshme nuk janë përdorur në asnjë rast dhe nuk janë të plotësuara me të gjithë elementet e nevojshëm për kryerjen e kontrollit të kolaudimit.
Hetimi administrativ ka zbuluar po ashtu se klientët kanë nënshkruar pa të drejtë një deklaratë ku përjashtohet nga përgjegjësia koncesionari, në rast se mjeti dëmtohet gjatë procesit të kontrollit teknik. Kolaudimi i mjeteve është një monopol 10-vjeçar i dhënë me kontratë koncesioni kompanisë zvicerane SGS në vitin 2009.
Më 3 shtator të vitit të ardhshëm mbaron afati i kontratës së koncesionit të koaludimit të mjeteve dhe Autoriteti i Konkurrencës i rekomandon Ministrisë së Infrastrukturës, që të liberalizojë tregun e këtij shërbimi.
Kurse koncesionari është i detyruar të zbatojë në mënyrë të menjëhershme detyrimin ligjor për ofrimin e shërbimit cilësor, të kënaqshëm, duke vënë në përdorim Qendrat e kontrollit teknik të lëvizshme, pranë pikave me fluksin më të madh të klientëve dhe vendojen në fuksionin të të gjitha kapaciteteve teknike./Opinion.al