DUKE KOMENTUAR NJE PERKTHIM ME VLERE TE Elvis Zaimi-it
Nga Robert Martiko
Hegeli, filozofi i famshëm gjerman, ka shkruar se Bota e Grekëve ka qenë një botë ku çdo individ e hero ishte një botë e tërë. Është diçka krejt ndryshe nga bota e sotshme moderne me karakter një dimensional. Figura më e ndriçuar e letërsisë së Antikiteti Grek, që përmbledh këtë cilësi është Odiseu. Artikulli i Simon Goldhill, profesor i letërsisë e kulturës greke në Universitetin e Kembrixhit, trajton pikërisht këtë temë. Analizon fjalën e parë, ‘‘Andras’’, të veprës së dytë të Homerit: ‘‘Odisea’’, që ka kuptimin ‘‘Burrë’’ dhe, në një kuptim më të gjerë, ‘‘Njeri’’.
Pa u futur në hollësitë e trajtimit filozofik që i bën figurës së Odiseut profesori anglez, do të përpiqem të shpjegoj temën në fjalë, në mënyrë sa më të kuptueshme. Një tipar i veçantë që dallon personalitetin e Odiseut ka të bëjë me guximin në përballimin dhe tejkalimin e negatives. Bie gjithashtu në sy ndjenja e përgjegjësisë ndaj shokëve për ti shpëtuar nga rreziku, por edhe për ti orientuar në mendimet e tyre. Ata përfaqësojnë një botë shpirtërore të ulët, karakteristikë e gjithë luftëtarëve të Trojës. Odiseu është një individ me guxim të rrallë po aq sa Akili, veç me ndryshimin se mendon më parë se sa të vërsulet me vendosmëri mbi prenë e tij. Përveç kësaj ai është edhe simbol i poliedricitetit, i zhdërvjellësisë së mendjes, diçka që në gjuhën greke shprehet me fjalët: ‘‘politropos’’ ‘‘polimorfos’’, ‘‘polimihanos’’, d.m.th. i shumanshëm, në kuptimin e shkathtësisë, për t’ia dalë në krye në çdo situatë kritike. Simbas Hegelit, Odiseu është gjithashtu edhe simbol i gjetjes së masës duke e kapërcyer atë. Është individi që kundërshton kufizimet edhe pse Kultura Greke e asaj kohe mësonte që të shkosh kundër kufizimit, është një gjë e keqe që duhet mënjanuar.
Simon Goldhill shkon më tej nga sa kam shprehur më sipër, duke parë Odiseun në raport edhe me ambientin shoqëror. Jo më kot bën fjalë për ‘‘Modelin Paradigmatik’’ dhe ‘‘Individin Unik’’. Kjo ka mjaft rëndësi veçanërisht në shoqëritë e pa emancipuara ku Individi Unik jo pak herë bie në kundërshtim me Botën e Grupit Tradicional. Duhet një karakter i fuqishëm, dinamik, për të vepruar me kurajë e mençuri kundër negatives. Në të kaluarën, nën Diktaturë, këtë lloj pozicioni të jashtëzakonshëm e mbajtën vetëm individë tepër të rrallë që nuk u thyen në hetuesitë e ish Sigurimit, krahasuar me tre milionë duartrokitës.
Një aspekt tjetër që preokupon profesorin Goldhill, duke iu referuar figurës së Odiseut, ka të bëjë me kompletimin e mëtejshëm të personalitetit të heroit, në sajë të vendeve që ka parë dhe eksperiencës që ka përfituar. Pas Luftës së Trojës, si dhe pas dhjetë vjetësh peripeci të pambaruara në det e stere, Odiseu kthehet në familje. Është sikur të përfytyrojmë një individ, apo një njeri të thjeshtë që, pas stuhish të shumta në jetë, gjen më në fund një liman shpëtimi, ku së bashku me qetësinë dallon se ka plotësuar edhe Vetveten. Kjo është më rëndësishmja! Njerëzve në shoqërinë e grupit iu mungon Vetvetja. Vetëm një mendje e hapur është në gjendje të analizojë gjërat e përbindshme që ka hasur në jetë me mençuri. Shumica e njerëzve, sado të vuajë apo të ketë vuajtur, vijon të mos kuptojë asgjë, për të ndryshuar fatin.
Një Individi të veçantë si Odiseu i bie për detyrë edhe të verë rregull në shtëpinë e tij. Edhe kjo ka një rëndësi mjaft të madhe për të kuptuar mesazhin e Homerit prej thellësive të lashtësisë mesdhetare, drita dhe dielli i së cilës u bënë shkak të lindnin Logjikën që ndryshoi Botën. Nuk ka aq shumë rëndësi skena e vrasjes së pretendentëve, të cilët kërkonin Penelopën dhe fronin mbretëror, se sa detyra imediate e Heroit të korrigjojë kulturën ekzistuese. Në këtë prizëm, nuk ka detyrë më imediate për intelektualët e një vendi, (për fat të keq në Shqipëri shumica e tyre, me tituj akademikë, fle gjumë), se sa të nxisë Hapjen e Shpirtit. Është pikërisht kjo lloj cilësie që bëri Nënë Terezën të shkonte nga Ballkanet e urrejtjes klasike në Indi. Pa Hapjen shpirtërore shqiptari nuk do të shikojë kurrë një ditë të bardhë. Kaq shumë rëndësi ka hapja e shpirtit, si një koncept themelor që ndryshoi vendet që kaluan Rilindje Evropiane.
Në këtë kuptim, matanë asaj mburrjes pa pik kuptimi në Shqipëri: ‘‘Na nderon Ky apo Ai’’, profesori i Kembrixhit përmend fjalën greke ‘‘Kleos’’ që do të thotë famë apo lavdi. Veç nuk bëhet fjalë për një lavdi kot më kot, si një copë xhami në gjoksin e një indigjeni, por diçka me vlera shpirtërore, apo shembuj konkretë për ndryshimin e shoqërisë. Njerëzit e dëgjuar kanë vlerë kur fute në thelbin e veprës së tyre.
Veçanërisht vendet e shumta që udhëtoi Odiseu, deri në ditën e kthimit në Itakë, dërgojnë në ditët e sotshme një mesazh të veçantë. Pas rënies së Murit të Berlinit u krijuan mundësitë që edhe shqiptari të udhëtojë nëpër botë. Pra, vendet e reja, deri dje të ndaluara nga Diktatura, simbolizojnë gjithçka të re e të dobishme për udhëtuesit: janë njerëzit që shikon, vendet, eksperienca dhe gjithë ato gjëra të shumta me vlera pozitive, që krijojnë mundësi për përfitim shpirtëror apo largim nga Vetvetja.
Në këtë pikë ftoj gjithkënd që Odiseu modern të mos jetë vetëm Individi me Mendje të Hapur por kushdo tjetër. Dhe kjo, për të mos ndodhur fenomeni që dallonte aq shumë heroin e mësipërm nga gjithë luftëtarët e tjerë, grekë apo trojanë: pa Vetvete.