Hungaria konfirmoi këtë të mërkurë marrjen e kërkesës për azil nga ish-kryeministri i arratisur maqedonas, Nikola Gruevski, një ditë pasi ai njoftoi përmes rrjetit social Facebook se kishte vendosur të largohej për shkak të dënimit me burgim për abuzim me pushtetin.
Budapesti zyrtar njoftoi se do të marrë në konsideratë aplikimin e Gruevskit, i cili ka dominuar skenën politike në Maqedoni për afro një dekadë deri në vitin 2016, në një lëvizje që padyshim do ta irritojë Shkupin, që nga ana e tij ka lëshuar një urdhërarresti ndërkombëtar për ndalimin e ish-kryeministrit, pasi ai nuk u paraqit përpara autoriteteve të drejtësisë për të vuajtur dënimin me dy vite heqje lirie.
Zyra e kryeministrit Viktor Orban konfirmoi se Gruevski “kishte dorëzuar kërkesën për azil” dhe se kishte deklaruar se synon “të dorëzojë edhe një kërkesë për statusin e refugjatit në Hungari”.
“Duke qenë se ai ka qenë kryeministër i vendit të tij për 10 vite, për shkaqe sigurie, autoritetet hungareze kanë lejuar zotin Gruevski të dorëzojë kërkesën për azil dhe të dëgjohet në selinë e Zyrës së Emigracionit dhe Azilkërkimit në Budapest”, shtohet më tej.
Budapesti zyrtar refuzoi të zbulonte detaje mbi vendndodhjen e Gruevskit, apo sesi ky shtetas maqedonas, të cilit i është hequr pasaporta, hyri në Hungari.
Konfirmimi vjen një ditë pasi Gruevski tha se ishte larguar për në kryeqytetin hungarez. “Jam në Budapest tashmë, ku kam kërkuar azil politik nga autoritetet hungareze”, shkroi 48-vjeçari në faqen e tij në Facebook. Shkupi i ka bërë thirrje Budapestit të mos ia plotësojë atij kërkesën.
Të mërkurën, kryeministri maqedonas Zoran Zaev i bëri thirrje Hungarisë “të respektojë praktikat ndërkombëtare dhe ligjin ndërkombëtar”, e të mos ofrojë “mburojë refugjati për kriminelët”.
Në të kaluarën, Gruevski, një kundërshtar i thekur që Maqedonia t’i bashkohej Bashkimit Europian dhe NATO-s, kishte lënë të kuptohej se ishte “mik” me kryeministrin hungarez Viktor Orban. Që të dy ata kanë akuzuar miliarderin liberal amerikan, George Soros, për nxitje të emigracionit të paligjshëm, pretendime që vet Soros i ka hedhur poshtë.
Aplikimi i Gruevskit do të testojë vullnetin e Budapestit për të aplikuar rregulla të ashpra për azilantët, si dhe masa të ashpra antiemigracion, si për shembull gardhet me tela me gjemba në kufi, apo kampet e paraburgimit për azilkërkuesit, gjë që kanë shkaktuar kritika të ashpra nga kundërshtarët e Orbanit brenda dhe jashtë vendit, përfshi edhe nga Brukseli.
Por, Budapesti këmbëngul se dëshiron të ruajë marrëdhëniet e mira me Shkupin.
“Ne nuk duam të ndërhyjmë në asnjë mënyrë në çështjet e brendshme të shteteve sovrane, ndaj ne konsiderojmë vlerësimin e kërkesës për azil nga ish-kryeministri maqedonas si një çështje thjesht ligjore”, shkruante qeveria në një deklaratë.
Marrë nga Top Channel