Nga data 5 Dhjetor e këtij viti asnjë makinë nuk do të importohet në Shqipëri nëse nuk është Euro 5. Thënë ndryshe bllokohen automjetet e vjetra. Vendimi i qeverisë përpos se penalizon shtresën e mesme të popullsisë që nuk ka mundësi të blejë makina të shtrenja, lë pa punë edhe qindra njerëz që jetojnë me tregtinë e automjeteve të përdorura. Pikërisht këta të fundit, kanë protestuar sot në Durrës, aty ku është i vendosur prej vitesh tregu më i madh i automjeteve të përdorura që vijnë nga jashtë.
“Kemi dalë sot në protestë sepse është logjike. Nëse një punëtor krahu në Shqipëri e ka rrogën 200 mijë lekë-300 mijë lekë, si mund ta blejë ai një makinë të vitit 2009? Një makinë e 2009-ës minimalisht është 5 mijë euro, plus doganën. Ne i marrim makinat nga Gjermania, Italia, Zvicra, nga gjithë shtetet e Europës. Kur nuk e kanë këtë këtë ligj shtetet e zhvilluara, pse duhet ta vëmë ne?”, shprehen pronarët e automjeteve.
Po kështu ata shprehen të pakënaqur edhe për faktin se vendimi i qeverisë parashikon që deri në muajin Mars të targohen të gjitha automjetet e përdorura që kanë hyrë aktualisht në vend.
“Thotë edhe të nxjerrin targat e makinave, pse duhet të nxjerrim targat? Unë paguaj license, i paguaj të gjitha. Të paguaj edhe 400 mijë lekë, i bie një doganë e dytë. Pastaj, vitin tjetër të paguaj prapë 400 mijë lekë unë? Nuk është domate dhe e shita brenda javës, ajo mund të vonojë dhe një vit për tu shitur”, thonë ata.
Protestat do vazhdojne
Në këto kushte, pronarët e makinave do të vijojnë protestat edhe në qytetet e tjera, nëse qeveria nuk do të kthejë vendimin deri në fund të muajit. Sipas tyre, vendimi duhet të ndryshohet, duke lejuar edhe importin e automjeteve “Euro 4”
“Afati do të jetë deri në fund të muajt. Protestat do të vazhdojnë pasi janë shumë tregtarë, janë në gjithë Shqipërinë. Do shkojmë në Tiranë e do protestojmë, nuk do ta lëmë me kaq”, thotë një prej pronarëve të makinave të përdorura.
Vendimi i qeverisë është hartuar nga Ministria e Mjedisit me argumentin se hyrja e makinave të reja në Shqipëri do të ndikojë në uljen e ndotjes.
Por sipas protestuesve ky nuk është argument. “Nëse ndotja do të vinte nga këto automjete, atëherë kolaudimi do të bënte punën duke i nxjerr nga qarkullimi. Ndotja e mjedisit vjen nga fabrikat të cilat lëshojnë re të zeza tymi dhe nga cilësia e dobët e naftës!”, tha njëri prej qytetarëve në protestë.
Ky vedim që pritet të hyjë në fuqi në fillim të dhjetorit, është një sulm i drejtpërdrejtë që i bëhet biznesit të vogël dhe jo vetëm, por çdo qytetari i cili nuk ka luksin të blejë një automjet me vit prodhimi 2009 e lart.
Përpos tregtarëve, të prekur direkt nga VKM-ja janë edhe ata që merren me procesin funksional të automjeteve, si xhenerik, motorrist, tapicier, elektroaut , karotrecet e brendshme dhe internacional etj. Gjë e cila përkthehet në mijëra të papunë të shtuar. Si çdo ligj apo VKM tjetër në Shqipëri, edhe ky vendim është marrë pa asnjë konsulte me grupet e interesit dhe pa marrë parasysh faktin se qindra njerëz dalin pa punë. /Opinion.al