John Macris mund të jetë vrarë nga një shqiptar i kontraktuar me pagesë, për shkak të një konflikti me mafien greke, e cila besohet se ka organizuar edhe 6 vrasje të tjera të ngjashme në Athinë që nga fillimi i këtij viti. Kështu shkruan gazeta australiane “The Sydeny Morning Herald” në një artikull ku flet për vrasjen e gangsterit australian.
Trupi i 46-vjeçarit do të kthehet në Australi edhe pse prej 7 vjetësh ai kishte nisur një jetë re të shtetin grek. Mediat kanë treguar pamjet e të atit 82-vjeçar që është kthyer në atdhe për të organizuar funeralin.
Ndërkohë mediat greke kanë bërë me dije se autoritetet vendase ishin të informuara lidhur me faktin, që Macris ishte një personazh i njohur në Australi dhe kishte kryer burg për trafik droge në vendin e tij.
Megjithatë ai nuk kishte rekorde kriminale në këto 7 vite në Greqi ku kishte ndërtuar një jetë të një profili të ulët. Ai mori sërish vëmendje veçanërisht pas martesës me modelen ukrainase Victoria Karida në vitin 2016.
Milioneri, pronar i një klubi nate u qëllua 4 herë në gjoks rreth orës 20:00 përpara banesës së tij, ku ndodhej brenda në një makinë smart.
Videoja e marrë nga kamerat e vëzhgimit të instaluara jashtë shtëpisë së Macris tregon se autori është rreth 170 centimetra i gjatë. Ai mbante një kapele dhe iu afrua Macris në këmbë dhe e qëlloi. Dy fëmijët e tij të vegjël ndodheshin shtëpi kur ndodhi vrasja.
Autoritetet po hetojnë nëse vrasja e tij ka lidhje me një luftë të nëndheshme të grupeve më të mëdha kriminale. Mafizoët grekë njihen edhe më parë për përdorimin e vrasësve me pagesa nga Shqipëria, të cilët me makina apo motorrë largohen nga Greqia pas kryerjes së krimit.
Një tjetër pistë që po hetohet është edhe përfshirja dhe zgjerimi i 46-vjeçarit në biznesin e sigurisë private. / Përgatiti: Opinion.al