Home KRYESORE Viti i Skënderbeut, Papa Françesku organizon një audiencë të veçantë

Viti i Skënderbeut, Papa Françesku organizon një audiencë të veçantë

Papa Françesku do të presë në një audiencë të veçantë përfaqësues të popullit shqiptar. Në kuadër të vitit mbarëkombëtar të Skënderbeut, me kërkesë të veçantë të kreut të Ambasadës së Shqipërisë pranë Selisë së Shenjtë, zonjës Majlinda Dodaj, në datë 19 Nëntor, Ati i Shenjtë Papa Françesku ka pranuar të presë në Vatikan në një audiencë të veçantë qytetare shqiptare, përfaqësues të shtetit dhe shoqërisë, të besimeve fetare në Shqipëri, intelektualë e artistë.

Nuk do të mungojë edhe kardinali i vetëm shqiptar Ernest Simoni, si dhe përfaqësuesit fetarë arbëreshë nga Kalabria dhe Siçilia. Ky takim special i përfaqësuesve të popullit shqiptar me Atin e Shenjtë, vjen në kuadër të vitit mbarëkombëtar të Skënderbeut, por dhe si një pelegrinazh i popullit shqiptar, si shenjë falënderimi nga Papa Françesku që zgjodhi pikërisht Shqipërinë, si vendin e parë për ta vizituar.

Ky takim në Selinë e Shenjtë mbledh të gjithë shqiptarët e bashkuar ashtu siç është vetë figura e heroit tonë kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu, simbol i unitetit dhe fuqisë së kombit që në të gjitha kohërat i ka bashkuar shqiptarët pa dallim feje.

Një audiencë e tillë e veçantë nga një Papë për popullin shqiptar në nderim të heroit tonë kombëtar, është bërë vetëm para 50 viteve nga Papa Pali i 6.

Pas audiencës me Papa Françeskun, artistë të famshëm shqiptarë, të cilët do të jenë të pranishëm në këtë takim historik, do të mbajnë një koncert të titulluar: “Të bashkuar në muzikë dhe në kujtim të Skënderbeut”.

Emra të njohur të muzikës shqiptare si Inva Mula, Olen Çezari, Genc Tukiçi, Elhaida Dani, Ermal Meta, Eno Peçi dhe madje vetë artistja më e re në moshë, por më e njohura sot në skenat ndërkombëtare Dua Lipa, do të performojnë në këtë koncert ku nuk do të mungojnë edhe pjesë nga repertori i tyre dedikuar edhe vetë Papa Françeskut.

v.l/ Dita

Share: