Home KRYESORE Zhdukja mafioze e 2 personave në Shkodër/ Familjarët: Të paktën të dimë...

Zhdukja mafioze e 2 personave në Shkodër/ Familjarët: Të paktën të dimë ku janë trupat

Emisioni “Top Story” në TCH ka bërë një investigim mbi historinë e përplasjeve në Shkodër. Një ngjarje që iu kushtua vëmendje ishte ajo e ndodhur në fshatin Myselim në Postribë me 23 gusht 2018. Në këtë ditë u zhdukën nga banesat dajë e nip, Gëzim Hysaj dhe nipi Agron Mollaj. Ngjarja fillimisht kaloi në heshtje, por pas rreth një jave, familjarët e tyre reaguan për mediat.

Në banesën e Gëzimit, bashkëshortja e tij Sajmira qëndron ende me sytë nga dera. Edhe pse shpresat e saj që bashkëshorti të kthehet i gjallë thuajse janë shuar, ajo pret të paktën të dëgjojë qoftë edhe lajmin e keq. E lodhur dhe e drobitur shpirtërisht, Sajmira e ka të pamundur të flasë para kameras. Ajo tregon se sa herë dëgjon që dikush afrohet te dera, e kapin të dridhurat për të pritur lajmin. Ndërsa Qemal Hysaj tregoi atë që kishte ndodhur natën e zhdukjes së vëllait të tij Gëzimit.

“Pasdite na thotë që më kërkon një shok, Faroku, i thotë gruas së tij: “Më bëj bukën gati se po vi”. Iku dhe nuk u kthye më”, – rrëfen vëllai i Gëzim Hysaj që shton se personi që Gëzimi takoi në të vërtetë nuk u gjet kurrë.

Teksa muajt kanë kaluar, në familjen e Gëzimit shpresa mungon, dhe apeli i familjarëve të tij është që të paktën të gjendet trupi.

“Të gjendet të paktën një shenjë, por varet se nga i kanë tretur ata”, – thotë i vëllai.

Vëllai i tij, zbuloi për “Top Story” edhe detaje të pathëna lidhur me atë që mund të ketë ndodhur. Ai zbulon se nipi i Gëzimit, Agron Mollaj, i zhdukur në të njëjtën mbrëmje, ka qenë i përfshirë në një konflikt të hershëm.

“Para 20 vitesh, në një klub, kanë qenë vrarë nja dy persona, dhe dyshojmë se ato mund ta kenë bërë këtë lojë”, – tha i vëllai që tregon se mes zonave ku është kërkuar për gjetjen e Gëzimit dhe nipit të tij Agronit, ishte edhe Dobraçi.

“Në Dobraç i kanë prerë përpara, i kanë këputur kamerat e sigurisë… edhe dritat… në atë kohë e kanë bërë veprimin ato banditët”, tha i vëllai.

Dyshimet janë se këta dy persona, pra Gëzimi dhe nipi i tij Agroni, janë vrarë për shkak të përplasjeve mes fiseve Lici dhe Bajri.

“Banorët e zonës kanë qenë aty, nuk flasin asnjë. Asnjë nuk flet… kanë frikë…”, – tha i vëllai.

Familja e Agron Mollajt nga Dobraçi, ka marrë kërcënime edhe pas zhdukjes së tij. Djali 19-vjeçar i Agronit, ka kërkuar ndihmë nga kryetari i shoqatës së “Misionareve të Paqes dhe Pajtimeve të Shqipërisë”.

“Është takuar me mua, më tha që: “Më kanë njoftuar dhe mua se do të kesh fatin e babës dhe dua të largohem”.

I bëra letrën se si rrezikohet jeta në Shqipëri, dhe me sa di unë është larguar nga ky vend”, – tha për Top Story Nikollë Shullani, Shoqata e Pajtimit të Gjaqeve.

Share: