Karl Jaspers humanist dhe ekzistencialist gjerman i pas Luftës së Dytë botërore, i njohur ndërkombëtarisht, i cili, ndër të rrallët filozofë të rangut të tij jo vetëm i kushtoi vëmendje idesë së universitetit në veprën që shkroi, por theksoi domosdoshmërinë për drejtimin kulturor dhe filozofik të jetës universitare dhe kërkimit shkencor që ndodh në të.
Përktheu nga anglishtja, Elvis Zaimi
“E ardhmja e universiteteve tona, përsa kohë asaj do t’i jepet një shans, qëndron në përtëritjen e shpirtit krijues që i ka pjellë ato” Karl Jaspers
Universiteti është një bashkësi dijetarësh dhe studentësh, të cilët i janë përkushtuar detyrës së kërkimit të së vërtetës. Të përfaqësuar si një trup i vetëm, universiteti i administron vetë punët e tij, pavarësisht se nga e kanë prejardhjen mjetet që përdor për këtë qëllim, nga dhurimet që i bëhen si ndihmesë, nga të drejtat e lashta të pronësisë, apo nga shteti, dhe pavarësisht nga fakti nëse publikisht sanksionimin si të tillë kjo trupë e përbashkët dijetarësh dhe studentësh e ka marrë nga një bulë papale, kartë perandorake, ose nga dekrete të një province apo shteti. Në cdo rast ekzistenca e pavarur e një universitet reflekton ose vullnetin e shprehur, ose tolerimin e vazhdueshëm të saj, nga ana e themeluesit. Ashtu si edhe kisha, universiteti e nxjerr dhe e merr të drejtën për të pasur autonominë e
tij- për t’u respektuar madje edhe nga vetë shteti- nga një ide e paperëndueshme mbikombëtare, me karakter mbarëbotëror, ajo e lirisë akademike. Kjo është cfarë universiteti kërkon, dhe cfarë i jepet. Liria akademike është një privilegj që nënkupton dhe pasjell për universitetin detyrimin për të mësuar vetëm të vërtetën, duke kundërshtuar prerazi dhe shpërfillur cilindo brenda ose jashtë tij, i cili kërkon ta shkurtojë dhe zvogëlojë detyrimin për të kërkuar dhe mësuar vetëm të vërtetën.
Universiteti është një shkollë-por e një lloji tejet të vecantë. Ai ka për synim të jetë jo thjesht vetëm vendi ku zhvillohet mësimdhënia, por më tepër dhe më mirë sesa kaq, nga studenti në unversitet pritet të marrë pjesë aktivisht në punën akademike hulumutuese dhe kërkimore, duke përfituar dhe përvetësuar nga kjo eksperiencë një disiplinë akademike, e cila do t’i mbetet atij përgjatë gjithë jetës. Idealisht, studenti mendon në mënyrë të pavarur, dëgjon në mënyrë kritike dhe është i përgjegjshëm ndaj vetvetes. Ai ka lirinë për të mësuar.
Universiteti është ai vend ku në sajë të lëshimeve të dyanshme, si nga shteti ashtu edhe nga shoqëria, një epokë e caktuar mund të kultivojë për veten e saj vetë-ndërgjegjësimin më të qartë të mundshëm. Njerëzve u lejohet kështu të mblidhen në universitet sëbashku, me të vetmin qëllim, kërkimin e së vërtetës. Sepse është një e drejtë e njeriut që sekush duhet të lejohet diku që, i pakushtëzuar, të ndjekë dhe kërkojë për ta gjetur të vërtetën, dhe thjesht dhe vetëm për hir të gjetjes të së vërtetës.
Në të njëjtën kohë, megjithatë, shteti dhe shoqëria kanë një interes aktiv për mbarëvajtjen e universitetit, sepse ai përgatit të diplomuarit për ato karriera në shërbimin publik që kërkojnë aftësi shkencore dhe trajnim intelektual. Të paktë janë ata që e mohojnë dobishmërinë potenciale të këtij lloj trajnimi intelektual të cilin të diplumuarit nga universitetet, e nxjerrin dhe përfitojnë nga pjesëmarrja në veprimtarinë e ndershme kërkimore dhe hulumtuese, pavarësisht objektit të saj dhe rezultateve specifike që ajo jep. Por edhe sikur kjo dobishmëri praktike të vihej në dyshim, vendosmëria themelore e njeriut për të kërkuar të vërtetën, i pakufizuar dhe me cdo cmim, mbetet e patundur.Pa këtë vendosmëri që e shtyn dhe e nxit atë, njeriu nuk mund të ngrihet në ato nivele të mendimit të ndritur dhe depërtues, për të cilat ai është i aftë. Kështu pra, universiteti është një institucion me objektiva praktike, por ai i arrin ato i paraprirë nga përpjekje transhendentale e shpirtit, e cila fillimisht shkon përtej duke i lënë pas këto objektiva, për t’iu rikthyer më pas atyre me më shumë qartësi, forcë, dhe qetësi. Është e pamundur ta shprehësh me fjalë se çfarë është e vërteta dhe sesi fitohet ajo. Në këtë fushë, përgjigjet e shfaqin kuptimin e tyre vetëm tërthorazi, në vetë jetën e universitetit, madje edhe atëherë ato nuk janë përfundimtare. Në këtë mënyrë, ajo që vjen në vijim, nuk është veçse një tentativë e përkohshme për të formuluar disa prej tyre.
Universiteti është përmbushja përmes një forme korporative e vendosmërisë themelore njerëzore për të njohur dhe ditur.Qëllimi i tij më i parë dhe i drejtpërdejtë është të zbulojë se çfarë është për t’u njohur, dhe çfarë ndodh me të për ne, pas dhe nëpërmjet njohurive të fituara. Ky zell dhe dëshirë për të ditur e shpreh vetveten me anë të vëzhgimit, nëpërmjet të menduarit metodik, dhe nëpërmjet vetë-kriticizmit si një trajnim që synon objektivitetin e dijes. Ajo është aktive edhe atëherë kur përballemi me kufijtë e mirëfilltë të gjithçkaje të ditur, si dhe me rreziqet e veçanta apo tensionet, që karakterizojnë dhe janë të qenësishme në çdo kërkim intelektual. Dëshira për të arritur njëjtësinë dhe tërësinë në lidhje me sa dimë, janë vetë thelbi motivues i shtysës dhe vullnetit njerëzor për të njohur.Në praktikë, kjo
njëjtrajtëshmëri dhe tërësi e të njohurit është e realizuar vetëm në fusha të specializuara, por prapë mbetet e vërtetë gjithsesi se këto fusha të specializuara e ruajnë “të gjallë” identitetin e tyre, vetëm si pjesë e një uniteti integrues që e përfaqëson një lëndë e njëjtësuar e të mësuarit. Integrimi i disiplinave të ndryshme I bashkon ato në një kozmos, i cili kulmon në një vizion të shkencës të unifikuar, në teologjinë, dhe në filozofinë. Për të qenë i sigurtë, ky kozmos përfshin polaritete të llojeve nga më të ndryshme, të cilat herë pas here dhe krejt papritur shpërbëhen duke u shkatërruar dhe copëtuar me forcë, për të krijuar dhe u zëvendësuar nga kundërvënie konfliktuale, të cilat e përjashtojnë njëra-tjetrën.Uniteti i dijes, megjithatë I mbijeton kësaj. Sepse megjithë ndryshueshmërinë e madhe të objekteve dhe problematikave të hulumtimit, dijetarët mbeten të bashkuar nga një botëkuptim dhe perspektivë e përbashkët shkencore.
Universiteti, në këtë mënyrë, është institucioni që bashkon njerëzit të cilët i janë përkushtuar profesionalisht kërkimit dhe transmetimit të së vërtetës në terma shkencore. Për shkak se e vërteta është e aksesueshme për kërkimin sistematik, puna kërkimore është preokupimi më i parë dhe kryesor i universiteteve.Për shkak se sfera ku shtrihet e vërteta është më e madhe sesa ajo e shkencave, shkencëtari duhet t’i përkushtohet të vërtetës si një qenie njerëzore, jo si një specialist.Prej këndej mund të thuhet se kërkimi dhe ndjekja pas e të vërtetës në universitete kërkon angazhimin serioz të dijetarit apo studentit me të gjithë qenien e tij njerëzore. (vijon