Home KRYESORE Interpretimet e krizës së Maj/Qershorit 1968 ne France

Interpretimet e krizës së Maj/Qershorit 1968 ne France

Nga Philipe Beneton dhe Jean Touchard,   publikuar për herë të parë në Revue francaise des sciences politiques, Verë e vitit 1970

Përktheu nga anglishtja Elvis Zaimi

“Ta përshkruash një ngjarje do të thotë ta shkruash atë. Por si mundet të shkruhet një ngjarje? Çfarë kuptimi gjendet në fjalët “ta shkruash një ngjarje”?”  R.Barthes “L’ecriture de l’evenement”

Sipërmarrje e projektuar me një frymëzim që ka nga pikënisja synime subversive? Kriza e një qytetërimi? Në shpjegimin e krizës të Maj/Qershorit 1968 janë mobilizuar një numër tepër i madh interpretësh, por të cilët, duke qenë se më të shumtët syresh kanë qenë ose të pranishëm në to, ose shumë afër tyre, japin edhe shpjegime me argumenta që u përngjasin më tepër  rrëzëllitjeve të ardhura nga botëkuptime vetjake lirike, sesa ndriçimit që sjellin studimet shkencore. Sakaq të tjerë, më të paktë në numër, na shpojnë duke na dëftuar drejtimin që në fund kërkon prej nesh të marrim qëndrimin e një prokurori dhe jo të një analisti. Të shkruara thuajse gjithmonë me pasion, ato komente prapëseprapë zbulojnë, madje ndihmojnë në shpjegimin e një krize komplekse dhe heterogjene, tek e cila secili interpret mund të gjejë më të mirën apo më të keqen, të gjejë se nga burojnë justifikimet dhe arsyet për të dënuar dikë apo diçka. Edhe pse është e vështirë për ta rrokur dhe zbuluar me saktësi  dhe imtësi çdo shkak rrënjësor apo periferik, përgjegjës për shfaqjen e kësaj krize, ajo u përhap me kaq shpejtësi dhe duke marrë me vete elementë nga më të ndryshmit, dhe mu për këtë pranon edhe interpretime nga më të ndryshmet, të tilla si; një invazion barbar apo ripërtëritje shpirtrash, revoltë poetike apo luftë klasash, revolucion rinor apo krizë shpirtërore.

Të gjitha shpjegimet e dhëna për ato ngjarje, nga një aksident i rastësishëm historik deri tek ai i një revolte shpirtërore, gjejnë vend në nivele të ndryshme brenda gjirit të zhvillimit të ngjarjeve, të  afta ose së  paku të përshtatshme t’i shpjegojnë pjesërisht ose plotësisht ato, me argumentime që u bëjnë apel disiplinave të ndryshme të dijes shoqërore dhe humanistike: sociologjisë, psikologjisë, biologjisë, psikanalizës, dhe kështu me radhë .Klasifikimi i tyre është një operacion i vështirë, qëkur se këta interpretë nuk kanë të njëjtat ambicie. Disa analistë janë të interesuar vetëm për njërin aspekt të krizës, ndërkaq të tjerët parashtrojnë shpjegime përgjithësuese, dhe pasi kanë shpërfillur si të parëndësishme ecurinë kronologjike të ngjarjeve, shkrijnë duke i shqyrtuar në një të vetme, krizën universitare me atë shoqërore dhe politike. Ne ende e shohim të mundshme të mendojmë për ato ngjarje duke dalluar tek to, tetë tipe interpretimesh në nivele të ndryshme, të cilat, të renditura për nga rëndësia, nuk janë me domethënie të barabartë.

-një sipërmarrje me synime subversive

-një krizë universitare

-një ndezje gjaku si atëherë kur të hipën gjaku në kokë nga një duf zemërak, pra një revoltë rinore

-një revoltë shpirtërore, një krizë e qytetërimit

– një konflikt klasor, një tip i ri lëvizjeje shoqërore

-një krizë politike

-një kombinim i rastësishëm rrethanash

NJË KRIZË UNIVERSITARE

 

Duke folur për  Universitetin në 24 maj 1968, Gjenerali De Gaulle denoncoi “pafuqishmërinë e këtij institucioni të madh për t’iu përshtatur kërkesave moderne të kombit, ashtu edhe rolit të pritshëm prej tij në lidhje me punësimin e të rinjve”. Në këtë mënyrë, qysh prej asaj date, I vënë nën akuzë nga vetë Presidenti, universiteti francez u shndërrua në objektin e analizave të shumta dhe madhore, shumë nga të cilat bëheshin me një frymë të rreptë kritike. Por, ndërsa gjykimet vlerësuese dhe pohimet e prera autoritare gjenden me bollëk, shumë më të rralla janë rastet kur ndesh përpjekje për interpretime të zhveshura nga pasionet, apo dëshmi kaq të sakta si ajo e Epostimon  në Fakultetin e Letrave të Nantës.

Midis këtyre analizave, mundemi të dallojmë ato që theksojnë kalcifikimin e universitetit, si dhe ato që synojnë të na e tërheqin vëmëndjen duke i mëshuar marxhinalizimit shoqëror të studentëve.

Universiteti i kalcifikuar

 

Duke nisur nga fundpranvera e vitit 1968, denoncimet e “universitetit napoelonik” u bënë më se të zakonshme, ndërkohë që një numër i madh njerëzish denononconin po njëlloj me forcë “strukturat e akullta zyrtare, të skllavëruara nga një centralizim mbytës”. Centralizimi I organizimit universitar nënkuptonte uniformitet, kontroll paralizues, mungesë autonomie. Ai nënkuptone si ngurtësinë e hasur në linjë vertikale- domethënë ndarjen e rreptë që ekzistonte, si me një “perde të hekurt”, të fakulteteteve nga disiplinat e dijes- ashtu edhe ngurtësinë horizontale-ndarjen tërësore ndërmjet  atyre me doktorë dhe atyre pa të në  Fakultetin e Letërsisë, ndërmjet atyre me aggregation, dhe tyre pa të në Fakultetet e Drejtësisë dhe Mjeksisë.

Gjyqi i strukturave universitare filloi nga lektorët e një konference në Caen, dy vite para krizës së majit të vitit 1968, shumica e të cilëve vinte prej fakulteteve  të shkencave. Këta lektorë zhvilluan debate të zgjatura rreth autonomisë universitare, studimeve “shumëdisplinore” si dhe “heqjen e postit të shefit të katedrës, që vinte nga profesorati”, duke mbrojtur në thelb financimin e universiteteve në kuptimin e plotë të fjalës, jo thjesht duke i grupuar fakultetet që përshtateshin për nga strukturat e tyre sipas të njëjtit model rregullues, me synimin për të pranuar një numër sa më të madh studentësh. Pas konferencës u paraqitën propozime konkrete, të cilat u ndeshën me kundërshtime të forta në Fakultetet e Drejtësisë dhe Letërsisë, mirëpo sakaq Ministra e Arsimit kishte përgatitur edhe ajo disa dokumenta me shkrim. Këto tekste, të cilat hamendësohej se duhet të ishin publikuar aty nga pranvera e 1967-ës, ende nuk I kishin parë dritën e daljes nga shtypi në Prill të 1968-ës.

A i bëniin universitetet rezistencë çdo lloj ndryshimi? Kështu e mendonte Michel Crozier, i cili zbatoi për universitetet të njëjtën analizë të tij si për “fenomenin e burokracisë”:

“ Një sistem i tillë natyrisht se është i papërshkueshëm nga çdo lloj ndryshimi. Ai as nuk mund t’I perceptojë ndryshimet shoqërore, dhe as nuk mund të përshtatet në përputhje me kërkesat e rrjedhura prej tyre. Ndryshimi i kurrikulave vë në pikëpyetje perspektivat për karrierë dhe për pushtet të trupës akademike mësimdhënëse. Ndryshimi I marrëdhënieve dhe metodave të punës do ta zhbalanconte organizatën, së këndejmi çdo ndryshim organizativ është edhe i bllokuar nga opozicioni i lektorëve dhe lufta ndërmjet grupeve të ndryshme që ndajnë pushtetin” (vijon)

 

Share: