Home KRYESORE Intervistë me drejtorin e Emigracionit, të Athinës Ilia Hronopoulos. Gjithçka për lejet...

Intervistë me drejtorin e Emigracionit, të Athinës Ilia Hronopoulos. Gjithçka për lejet e qëndrimit

 Tribuna TV 27 Shtator 2018

Drejtori i Drejtësisë së Emigracionit Athinë, Ilias Hronopoulos shpjegon procedurat për lejet e qëndrimit, hapat që duhen bërë dhe afatet…

Cilat janë hapat që duhet të bëjë një emigrant për të rinovuar lejen e qëndrimit?

Procedura është shumë e thjeshtë. Do të vijë të mbyllë një takim, dy muaj para skadimit të lejes, siç parashikon ligji. Do të duhet të tregojë se ka siguracion – kjo del automatikisht në sistemin e IKA-s, të sjellë pasaportën, fotografitë, paravolo për lejen dhe paravolo për kartën biometrike. Dhe deklaratën e fundit tatimore. Këto…

Nga momenti që depoziton aplikimin dhe dokumentacionin, sa duhet të presë që ta marrë në dorë lejen?

Nëse dosja është e plotësuar, nuk vonon shumë. Sigurisht, tani me biometriket nuk mund të dalë brenda ditës, siç mund të dilte dikur… Por ka një procedurë. Procedura është kjo: Nëpunësi këtu nxjerr projektvendimin, e rakordojmë në sistem. Pastaj shkon në Ministrinë e Emigracionit, në drejtorinë e Informatikës, ku kontrollohet sërish. Pastaj vendimi dërgohet në drejtorinë e Pasaportave të Policisë Greke, që të prodhohet karta. Pasi prodhohet karta i dërgohet një kompanie Currier, e cila e çon në drejtorinë përkatëse, ku do t’i jepet të interesuarit. Është një procedurë e rëndë, e cila, në varësi të volumit të punës mund bëjë edhe 10-15 ditë, deri në një muaj.

Normalisht, leja biometrike do të merret atëherë kur do të skadojë leja ekzistuese. Cilat janë hapat që do të ndjekë i interesuari?

Duhet të sjellë fotografi pasaporte, dhe jo çfarëdo fotografie; me dimensione të caktuara dhe parametra të caktuar. D.m.th., nuk shikon lart apo poshtë apo anash, por drejt përpara; nuk del me syze. I dinë fotografët parametrat. Paguan paravolon 16 euro, që është kostoja për nxjerrjen e kartës biometrike. Kjo është procedura. Kuptohet, nevojiten dhe gjithë dokumentet e tjera që kërkohen zakonisht për rinovimin e lejes.

Dikush ka një leje pa afat (aoristi) apo 10 vjeçare, por nuk mund të punojë në Europë. Çfarë duhet të bëjë për të marrë lejen europiane, që ka një afat 5 vjeçar?

Fillimisht duhet të ketë deklaratën tatimore të vitit të fundit, me të ardhura 8.500 euro. Por ne e pranojmë edhe me rreth 7.000, pasi zbriten kontributet e paguara për siguracionet. Duhet të sjellë kontratën e shtëpisë, siguracion. Dhe me kryesorja, duhet të mos ketë munguar nga Greqia më shumë se 10 muaj në 5 vitet e fundit. D.m.th., të ketë munguar jo më shumë se dy muaj në vit. Ose, ndryshe, të mos mungojë më shumë se 6 muaj një vit të caktuar… Nuk e di nëse kuptohem te kjo…

Janë pak të rrepta kushtet dhe shumica kanë problem pikërisht me mungesat.

Se këtu ka dhe diçka që nuk shkon. Le ta bëjmë pak më të hapur bisedën.

Ligji i jep të drejtën emigrantit që ka leje për punë të varur, të mungojë nga vendi 6 muaj në vit. Mirëpo, kur shkon për të kërkuar leje europiane, i thonë “Mungoje 30 muaj (6 muaj x 5 vjet). Nuk mund të marrësh leje”.

Për mendimin tim – mund ta kem gabim- është pak kontradiktor ky sistem. Ndoshta do të duhet të pakësohet koha që lejohet emigranti të ndodhet jashtë Greqisë, kështu që të vijë në një ekuilibër për lejen europiane.

Ligji thotë që lejet 10 vjeçare apo pa afat do të duhet që, pasi të skadojnë, të shndërrohen në leje europiane, 5 vjeçare. Përndryshe nuk do të mundin të marrin leje qëndrimi 5 vjeçare, me kushtet që kërkohen për këtë dhe do të duhet të marrin sërish leje 3 vjeçare, d.m.th., do të kthehen mbrapa, aty ku ishin dikur.

Po të shikoni statistikat e Ministrisë së Emigracionit, do të konstatoni që rreth gjysmat e lejeve që qarkullojnë në sistem, janë të tilla, pra afatgjata. D.m.th., nëse ka 550.000 – 600.000 leje qëndrimi, nga këto 250.000 – 300.000 janë 10 vjeçare dhe pa afat. Nga këto, shumë pak, 10 % kanë marrë leje europiane. Ky është një problem dhe duhet ta shqyrtojë ministria. Sepse duhet të mos vrapojmë “si kofini pas të vjelit”. Pasi vitin e ardhshëm, nga 2019-a, lejet afatgjata nisin të skadojnë.TribunaTv

Share: