Home KRYESORE Mbështetja për studentët është mbështetje për liri

Mbështetja për studentët është mbështetje për liri

Nga Dr. Enriko Ceko

Mendoj se në shqiptarët në përgjithësi nuk kemi ditur të zgjedhim njerëzit që na drejtojnë, por këto pesë vitet e fundit ka qenë variant më i keq i qeverisjes që ka patur ndonjëherë Shqipëria. Them se kemi variantin më të keq të qeverisjes sepse në krye qendron një grup feudalësh injorantë që kanë frikë nga liria. Dhe ky është pra variant më i keq i qeverisjes. Kemi një grup feudalësh ku sejcilën ministri e drejton një feudal dhe mbi të gjithë këta ministra feudalë qendron një kryefeudal, që është variant më i keq i drejtuesit, i liderit, i cili ka krijuar një lidership psikopatik, që drejton Shqipërinë.

Përse kanë frikë nga liria në përgjithësi dhe nga cilat liri kanë frikë?

Këta kanë frikë nga liria e grumbullimit të njerëzve dhe e diskutimit të lirë të pikëpamjeve dhe ideve midis qytetarëve.

Këta kanë frikë nga liria medias. Shikoni se ç’farë i kanë bërë medias. E kanë futur të tërë median në një thes dhe e injorojnë duke i thënë “kazan”, sepse e mbajnë median pas vehtes me ca reklama, tip shiringash, për ca para më shumë.

Këta kanë frikë nga liria a votës. Në Shqipëri mungon liria e votës dhe kur them liria e votës e kamë fjalën për lirinë e votës për të zgjedhur, lirinë e votës për t’u zgjedhur, lirinë për të numëruar votat, lirinë për të nxjerrë rezultatet e procesit të votimit. Shikoni draftin e ligjit zgjedhor që po përgatitet, varianti më i keq i mundshëm i organizimit të zgjedhjeve, të cilat duhet të jenë të lira, të barabarta dhe me standarde.

Këta kanë frikë nga liria ekonomike. Në Shqipëri mungon liria ekonomike. Shqiptarët janë të kufizuar në lidhje me konsumin, krahasuar me qytetarët e vendeve të tjera evropiane.

Shqiptarët janë të privuar nga e drejta për të patur më shumë të ardhura, për të prodhuar, konsumuar, shpërndarë dhe rishpërndarë të ardhurat, produktet dhe shërbimet, që është thelbi i ekonomisë.

Këta kanë frikë nga liria akademike. Në Shqipëri është e cënuar liria akademike. Shkoni e shikoni në universitetet publike se kush punon atje, bashkëshortë e bashkëshorte, fëmijë e nipa e mbesa të deputetëve e ministrave, që janë rektorë, zëvendsrektorë, dekanë e përgjegjësa departamentesh, të cilët, të tëra paratë për kërkimin shkencor i bëjnë udhëtime jashtë shtetit, kinse për të shkuar në konferenca shkencore dhe përgatisin ato temat e doktoraturave të falsifikuara, me anë të të cilave arrijnë e bëhen edhe ministra.

Në këto kushte, studentët nuk dalin të protestojnë thjesht dhe vetëm për përgjysmimin e tarifave apo për disa kërkesa të tjera që lidhen vetëm me disa çështje arsimore dhe akademike. Jo. Jo.

Ata studentë atje kanë dalë për lirinë. Ata studentë atje janë për lirinë e votës, janë për lirinë e shrehjes, për lirinë e mendimit, dhe unë i ftoj të tërë qytetarët që t’i mbështesim studentët.

I bëj thirrje prindërve të studentëve që të qendrojnë pranë studentëve. Nëse studentët janë në shesh, prindërit të qendrojnë aty pranë.
I bëj thirrje të tërë pedagogëve si në institucionet publike të arsimit të lartë, ashtu dhe në ato private. Dilni dhe mbështesin studentët, sepse ata janë e ardhmja e Shqipërisë.

I bëj thirrje komunitetit të biznesit, firmave të vogla dhe të mesme që të mbështesin studentët me sa mundësi që kanë.

Ky organizim i studentëve është revoltë dhe jo proteste. Kjo nuk është revoltë partiake. Kjo është një revoltë me kërkesa politike (sepse kërkon ndryshimin e ligjeve dhe akteve nënligjore). Studentet janë ngritur në revoltë edhe për prinderit dhe të afërmit e tyre (që nuk kane para për t’i ndihmuar këta studentë të kryejnë studimet e t’i përfundojne ato), për fermerët (e varfër), për bizneset e vogla dhe të mesme (në falimentim), për pensionistët (me pensione qesharake), për të papunët (e mjerë), për gjimnazistët (pa drejtim në jetë), për mjedisin (në shkatërrim), për koncesionet, PPP-të dhe prokurimet publike (korruptive), etj.

Këto janë vetëm disa nga arsyet e shumta se përse ne duhet që të mbështesim studentët në revoltën e tyre. Duke mbështëtur këta studentë ne mbështesim lirinë tonë si individ dhe si komb.

Share: