Ines Nurja, ish-drejtoresha e INSTAT ishte e ftuar në “Ditarin” e orës 13:00 në A2 ku foli për largimin e shqiptarëve jashtë vendit, duke komentuar shifrat e fundit të publikuara nga Instituti i Statistikave, nëse janë apo jo ato alarmante.
Ekspertja shprehet se të dhënat e fundit nuk janë të mirëfillta pasi nuk na tregojnë se çfarë ka ndodhur në vitet e fundit pasi janë të dhëna para censusit dhe sipas saj, të dhëna të sakta, janë ato të EUROSTAT. Nurja, duke u referuar të dhënave të EUROSTAT, u shpreh se në 4 vitet e fundit janë larguar 170 mijë veta dhe pjesa më e madhe e tyre janë deri në 34 vjeç.
Ish-drejtoresha e INSTAT, bazuar në shifra, shprehet se sot mund të flasim për një emigracion të mirëfilltë masiv. “Emigracioni është rilindur dhe ka filluar sërish me të njëjtën forcë”, shprehet Nurja.
Më tej, Nurja u shpreh se largimi i të rinjve është një problem shumë i madh për vendin tonë, i cili do të ndjehet shumë në të ardhmen. “Shteti duhet të marrë masa si me shtimin e vendeve të punës, por edhe me rritjen e rrogave”, thekson ekspertja.
Për Ines Nurja, aktualisht Shqipëria nuk prodhon më, por vetëm shërben. “Kur kam parë shifrat e fundit, kam kuptuar se Shqipëria ka ndaluar të prodhojë. Shqipëria nuk prodhon më, por vetëm shërben. Duhet të kthehemi në një vend që prodhojmë pasi në rast të kundër nuk do të kemi të ardhme. Aktualisht rritja ekonomike vjen nga energjia dhe jo nga prodhimi”.
v.l/ Dita