Home KRYESORE Studentët nuk janë jetimë! Nga Prof. As. Dr. Enver Bytyçi

Studentët nuk janë jetimë! Nga Prof. As. Dr. Enver Bytyçi

Sot në Universitetin “Aleksandër Moisiu” studentët organizuan një protestë. Shkova që t’i mbështes ata. Por nga 400 pedagogë, ishim aty 4 prej tyre! Akademikët u fshehen. Disa kalonin aty pranë dhe ironizonin. Një turmë studentësh filluan të provokojnë protestuesit. Ishte e qartë se ata po luanin rolin e grevëthyesit. Thërrisnin kundërparulla, hidhnin batuta ndaj studentëve protestues dhe akuzonin se “Protesta ishte e politizuar”!

Kjo situatë vazhdoi deri në orën 11.20 minuta, kur dikush u largua prej godinës qendrore të Kampusit në Spitallë. Sapo makina kaloi postbllokun studentët provokatorë e grevëthyes u zhdukën. Po mos e kisha parë me sy këtë skenë, nuk do ta kisha besuar!

Prej këtij momenti protesta mori gjallërinë e vet. Studentët e grmubulluar sfiduan grevëthyerjen dhe ia arritën qëllimit!
Me këtë rast kam disa këshilla dhe sugjerime:

– Mos i nxitni studëntët dhe rininë kundër njëri-tjetrit. Ky do të ishte fundi i procesit të rrënimit të shoqërisë sonë!

– Hiqni dorë nga grevëthyerja. Kjo është metoda më antidemokratike dhe më dinake e pushtetit!

– Një lutje për kolegët e mij pedagogë dhe akademikë: – Ju mund t’i përkisni bindjeve të ndryshme politike, por ne jemi në auditore, sepse studentët janë aty! Ne u mësojmë atyre se si në Athinën e Lashtë të Perikliut njerëzimi fitoi të drejtën e protestës. E nga ana tjetër u japim mesazhet e nënshtrimit! Mos i përbuzni ata. Studentët kanë nevojë për ju, për fjalën tuaj, për mbështetjen tuaj! Së paku mos u tallni me hallet e sakrificën e tyre!

– Askush të mos guxojë t’i fyejë studentët, sepse fyerja nuk harrohet gjatë gjithë jetës!

– Një lutje për vetë studentët: – Kërkoni që të gjithë doktorët e shkencave dhe profesorët të publikojnë punimet e tyre shkencore e t’i nënshtrohen ekspertizës, si dhe kontrollit të imtë! Ndryshe do ushqeheni me paditurinë dhe mashtrimin!
– Ndërsa në fund një lutje për rektoratin dhe drejtuesit e tjerë: – Pastrojeni universitetin nga ndikimi dhe kërcënimi i bandave dhe kriminelëve që janë fut brenda tij!

Durrës, 06.11.2018

Share: