Home KRYESORE ANA KARENINA IME! Nga Agim Xhafka

ANA KARENINA IME! Nga Agim Xhafka

(Tregimi i së dielës)

Kur punoja gazetar,një pjesë të shërbimeve e bëja Korçë e rreth saj. Malli pêr prindërit më nxiste. Ata ishin relativisht të rinj,por sërish unë i shihja si të moshuar,se vajzat e mija shkonin në 8-vjeçare. Dhe sot ndjej emocion kur trokisja tek porta e nëna gati sa nuk rrëzonte pallatin nga gëzimi që më shihte. Lumturi mund ta quaj. Se ishte më shumë.

Një radhë mbërrita të djelë mbasdite. Ishte dimër e errësira nxinte më shumë nga që në rrugë xhanxhin njeri. Pas përqafimeve,më dhanë një gotë raki e ata,babai e nëna,po shihnin një film amerikan tek tv Shkupi.

-Mos më bërtit mua,-tha nëna
-Hë?- pyeta me çudi se askush nuk foli.
-Hahaha,-qeshi ajo.-Mos u shqetëso. Po përkthej filmin.

Dhe vazhdoi:

-Të dua,-i thotë Xheku.-Edhe unë,-i tha ajo.
-Mama po ajo goca nuk foli fare,-i thashë.
-Po ama qeshi. Kupton?
-Po ti nuk di anglisht asnjë fjalë,si e merr vesh ç’thuhet?
-Kjo nuk eshtë radio,bir. Eshtë televizor. Nuk duhet gjuha. Se ka ngritje zëri,ka përqafime,ka bërtitje,këngë,ledhatime. Kështu flet filmi. Ku hyn anglishtja këtu?

Babai nuk ma zgjati. Dëgjonte përkthimin e unë luajta menç. Në darkë,duke ikur për te vëllai,pyeta babain:

-Kam vënë re se e dëgjon verbazi nënën. Nga mosha e ke apo u lodhe e nuk do që ta kundershtosh?
-Unë e di që ajo nuk kupton gjuhë të huaj. Por e di që pa film nuk jeton. Sidomos për romanca vdes. E ke dëgjuar që përmend shpesh filmin “Nata e syrit të zi”? E kemi parë bashkë para 40 e ca vitesh. Eshtë prologu i dashurisë sonë. Atje nisi. Dhe ajo nuk i shenjon ngjarjet me data. I kujton me filma. Sic më vonë di filmin kur linde ti. Ishte “Fan Fan Tulipani” kur u bëra me djalë,u thotë të gjithëve.Më vonë,kur shteti solli në ekran kinezë,ajo nuk i ndiqte, nisi leximin e “Zonja Bovari”,”E kuqja dhe e Zeza”,”Gjeniu”… Kështu e ndërton jetën. Mban mend p.sh.kur i vdiq i ati. Po ta pyesësh thotë:”Sapo kisha lexuar “Ana Karenina”.

Ndalova dhe i tronditur pyeta:

-Vërtet,mo ?Mamaja ime?

Ai qeshi. Më pa drejt në sy e vazhdoi:

-U martua sa mbaroi maturën. Në vend të shkonte në Evropë për shkollim si vërsniket e saj,u prangos tek dashuria jone. Bëri fëmijë,mori zanate,punoi me norma e si skllave dhe nuk u qa. Botën e saj të gjithën e dorëzoi tek unë. Ndaj ia kam borxh çdo fjalë pa vend a përkthim kot.”

Nënën e paskam njohur për aq sa më është dashur. Kaq pak.Turpi është imi,o botëmadhja ime.

-Shkojmë pak tek Spase,komshiu?
-Ok,-thashë.

Babai hyri e doli pas dhjetë minutash. Qeshte.

-Eshtë maqedonas. E pyeta për filmin qëparë. Nuk e ka përkthyer gabim jot ëmë.
U përlota. Ç’të thoja? Doja shumë atë çast ta përqafoja fort nënën artiste. Edhe ajo më shumë nuk kërkoi . Kaq pak donte.Derisa iku.Si një kometë dashurie që pas le shkëlqim.

Share: