Home KRYESORE Demokracia iliberale dhe përkeqësimi i saj nga qeveria Rama 1 dhe 2

Demokracia iliberale dhe përkeqësimi i saj nga qeveria Rama 1 dhe 2

Nga Kasem Seferi

Burra të mëdhenj në emër, veçanërisht, në historinë e SHBA, si trashëgim kanë lënë thëniet e mëposhtme:

“Demokracitë kanë qenë gjithnjë spektakle të turbullirës dhe grindjes; kanë qenë gjithnjë të papërputhshme me sigurinë personale ose të drejtat e pronësisë; dhe në përgjithësi janë të shkurtra në jetët e tyre aq sa ato janë të dhunshme në vdekjen e tyre.”.

“Në çështjet e pushtetit, mos lejoni të dëgjohet më në lidhje me besimin te njeriu por lidheni atë mirë nga të këqiat me anë të zinxhirëve të kushtetutës.”.

Merita e Kushtetutës tonë ishte jo se ajo promovon demokracinë, por se e kontrollon atë.”.

“Mekanizmi drejtues i një ekonomie tregu të lirë është shpallja e të drejtave, e detyruar nga një gjyqësor i paanshëm.”.

Që prej vitit 1992 e deri më sot është vërtetuar se politikanët shqiptarë, në fillim të karierës së tyre, e kanë përqafuar liberalizmin si mjet për të kapur pushtetin, dhe asnjë herë nuk ka qëlluar që të shfaqin frymë liberale pasi kanë fituar pushtet dhe që atë frymë liberale ta çojë deri në atë pikë, sa të rrezikojë të humbë të gjithë pushtetin.

“Liberalizmi kushtetues ka çuar në demokraci, por nuk duket se demokracia ka sjellë liberalizmin kushtetues.” – arrin në përfundimin analisti i shquar amerikan Fareed Zakaria.

Qeveritë Rama 1 dhe 2 të zgjedhura “në mënyrë demokratike“, në mënyrë rutinë, kanë dëshmuar injorimin e kufijve kushtetues në lidhje me përdorimin e pushtetit, duke ia privuar qytetarëve shqiptarë të drejtat bazë dhe liritë, ose një dukuri shqetësuese në jetën ndërkombëtare – njohur si demokracia iliberale.

Ka qenë e vështirë të njihet ky problem në Shqipëri, për arsye se për pothuajse më shumë se një shekull, në Perëndim demokracia ka nënkuptuar demokracinë liberale, pra atë sistem politik që dallohet jo vetëm nga zgjedhjet e lira dhe të ndershme, por gjithashtu nga sundimi i ligjit, ndarja e pushteteve dhe mbrojtja e lirive bazë të fjalës, tubimit, fesë dhe pasurisë.

Shkencëtari i politikës Philippe Schmitter ka theksuar: “Liberalizmi, si koncept i lirisë politike, ose si doktrinë mbi politikën ekonomike, mund të ketë koinçiduar me ngritjen e demokracisë, por ai kurrë nuk ka qenë në mënyrë të pandryshueshme dhe të padykuptimtë lidhur me praktikën e tij.”.

Fijet e demokracisë liberale, të mpleksura në fabrikën politike të Perëndimit, veças, erdhën edhe në Shqipëri, ku demokracia ekziston, ndërsa liberalizmi kushtetues jo.

Spektri i demokracisë iliberale në Shqipëri, radhitet nga shkelës modestë të të drejtave bazë dhe lirive dhe, përgjatë një pjese të mirë të spektrit tetë (8) vitet e fundit, zgjedhjet, nuk kanë qenë aq

të lira dhe të ndershme sa në Perëndim, sikundër janë deklaruar politikanët në pushtet dhe nuk kanë pasqyruar realitetin e pjesëmarrjes popullore në politikë dhe mbështetjen e të zgjedhurve.

Demokracia iliberale në Shqipëri është bërë një industri e rritur; larg prej të qenit një fazë e pëkohëshme ose tranzitore, duket se në Shqipëri janë zgjedhur forma të tilla qeverisje, që përziejnë një shkallë të rëndësishme të demokracisë me një shkallë të rëndësishme të iliberalizmit.

Më së pari dhe më së shumti, që nga koha e Herodotit, demokracia ka nënkuptuar sundimin e njerëzve, nëpërmjet proçesit të përzgjedhjes së qeverive, fillimisht e artikuluar nga Alexis de Toqueville, Joseph Schumpeter, Robert Dahl dhe e përdorur gjërësisht nga shkencëtarët shoqërorë.

Samuel P. Huntington thotë: “Zgjedhjet e hapura, të lira dhe të ndershme, janë thelbi i demokracisë, sine qua non i pashmangshëm; qeveritë e dala nga zgjedhjet mund të jenë inefiçente, të korruptuara, dritëshkurtëra, të papërgjegjëshme, të dominuara nga interesa të veçanta dhe të paafta për të adoptuar politikat që kërkon e mira publike.”.

Të kesh demokraci në Shqipërinë e ditëve të sotme, në mënyrë subjektive, nënkupton “qeveritë e mira Rama 1 dhe 2” që, në mënyrë analitike, i kthejnë atë në qeveri të padobishme.

Shumë prej vendeve të Europës Juglindore, në mënyrë të suksesshme, kanë lëvizuar nga nga komunizmi në demokracinë liberale, duke shkuar përmes së njëjtës fazë të liberalizimit pa demokraci, ashtu sikundër bënë vendet e tjera europiane gjatë shekullit të 19 – të

Tensioni ndërmjet liberalizmit kushtetues dhe demokracisë qendërsohet në fushën e veprimit të autoritetit qeveritar: liberalizmi kushtetues është rreth kufizimit të pushtetit, ndërsa demokracia rreth grumbullimit dhe përdorimit.

Tendenca e qeverise Rama 1 dhe 2 ka besuar (veçanërisht, në mandatin e dytë) se ka pasur dhe ka sovranitetin (pra pushtetin) absolut, gjë që ka rezultuar në qendërsimin e autoritetit, shpesh, me mjete ekstrakushtetuese dhe me rezultate që nuk janë mirëpritur në publik.

Gjatë viteve të fundit, qeveritë e zgjedhura Rama 1 dhe 2, që kanë pretenduar se përfaqësojnë njerëzit, vazhdimisht i kanë cënuar të drejtat dhe pushtetet e elementëve të tjerë në shoqëri, një uzurpim ky që është si horizontal (nga degë të tjera të qeverisë qendrore) ashtu dhe vertikal (nga autoritetet rajonale dhe vendore si dhe bizneset private dhe grupet e tjera joqeveritare).

Zakonisht, uzurpimi horizontal ka qenë më i dukshëm, por uzurpimi vertikal ka qenë më i përbashkët.

Qeveritë Rama 1 dhe 2, që janë dukur si legjitime, janë munduar ta mbajnë rendin dhe të ndjekin politika të ashpra me anë të ngritjes së koalicioneve (PS – LSI mandati i parë), në mandatin e dytë tregon me ngjarjet e fundit se centralizimi i pakontrolluar është bërë armik i demokracisë liberale.

Përvoja e deritanishme tregon se qeveritë Rama 1 dhe 2 nuk i kanë mbrojtur të drejtat e individit, që përfshijnë ato të pronësisë dhe kontratës, nuk kan krijuar një kuadër ligjor, administrim, kapitalizëm dhe rritje në vazhdim, ose mekanizmin drejtues të një ekonomie tregu të lirë, shpalljen e të drejtave, të detyruara nga një gjyqësor i paanshëm, duke treguar qartë dhe dukshëm se pushteti i fituar me votë për të bërë mirë (për ta “rilindur“) Shqipërin është përdorur për të bërë keq.

Mungesa e zgjedhjeve të lira dhe të drejta duhet të shihet si një e metë, pasi zgjedhjet janë një virtut i rëndësishëm i qeverisjes, por nuk janë i vetmi virtut; qeveritë Rama 1 dhe 2 duhet të gjykohen, gjithashtu, nga gjërat e krahasueshme lidhur me liberalizmin kushtetues, për arsye se liritë ekonomike, civile dhe ato të besimit janë në zemër të dinjitetit dhe të autonomisë njerëzore dhe, në qoftë se një qeveri me demokraci të kufizuar, me siguri nuk i zgjeron këto liri, ajo mund dhe duhet të cilësohet një diktaturë.

Konstitucionalizmi, është një sistem i komplikuar i kontrolleve dhe balancimeve (checks and balances), i hartuar për të parandaluar grumbullimin e pushtetit dhe abuzimin me detyrën dhe një gjë e tillë nuk bëhet thjesht duke shkruajtur një listë të të drejtave, por me anë të ndërtimit të një sistemi në të cilin qeveria nuk do t’i dhunojë ato të drejta.

Demokracia pa liberalizmin kushtetues, thjesht, nuk është vetëm në përputhje me kërkesat e kohës, por është e rrezikshme e rrezikshme, për arsye se me vete sjell erozionin e lirisë, abuzimin me pushtetin, ndarjet etnike madje edhe tronditjen e stabilitetit politik.

Kasem Seferi – ekonomist

Share: