Intervista “ What’sAPP” e Ed Ramës e kishte titulluar Arian Çani, intervistën tënde. Vendosa dhe unë të ndiqja titullin e tij, meqënëse më pëlqejnë emrat e përveçëm, kur paraqiten në trajtën e pashquar.
Ishte një intervistë e gjatë. Për të qenë e sinqertë m’u desh ta shihja me ndërprerje. Më krijonte ndjesinë e frezës së dentistit. Dukej se çdo fjalë që thoje, gërryente pambarimisht muret e kafkës sime. Dhe nga gërryerja në gërryerje më duhej një pushim.
Ai përemër që preku nervin e fjalës sime, ashtu siç preket gabimisht nervi i një dhëmballe, ishte përemri vetor “ ata”, kur Çani të pyeti mbi protestuesit e Sheshit në Teatrin Kombëtar.
Kush janë “ata”?! Kush?!
Kush janë “ ata” që na qenkërkan të padenjë për vëmendjen tënde dhe për mendimin tënd?!
Në ditën zhuritëse të korrikut 2018, kur për herë të parë u votua ligji yt , mbi Teatrin Kombëtar, përballë Parlamentit në orët e vona të mbrëmjes, ishte edhe një Zotëri i moshuar në Shesh, i cili thërriste pambarimisht veçse një emër- Avzi Nela.
Është ngulitur thellë në kujtesën time imazhi i Zotërisë, pasi nëse fjala “ revoltë” do të kishte një fytyrë, jam e bindur se do të ishte fytyra e atij Zotërie , me lëkurën e bardhë si cipë qepe dhe me dhëmbët e lëvizshëm që i dilnin nga goja, sa herë që një shkulm revolte i rridhte nga gjoksi.
Dhëmbët dilnin dhe ai i fuste përsëri në gojë. Ishin nga ata dhëmbët e lëvizshëm, apo dhëmbë të vënë siç quhen ndryshe. Nga ata dhëmbët që futen në një gotë uji para se të flesh.
Dhe kur të vrasin, shkon tek dentist dhe i thua- A mund t’i hash pak tek kjo anë se më vrasin?!
Dhe dentisti gërryen anën dhe ti i fut në gojë dhëmbët e tu të lëvizshëm.
Pse nuk ndodh kështu edhe me zemrën , me trurin, me veshët, me sytë e me gjithçka tjetër brenda njeriut?!
Jeta do të ishe fort e rehatshme, nëse truri dhe zemra do të mund të viheshin brenda një gote me ujë dhe ti mund t’i rimerrje sa herë që doje.
Në këtë vend është e dhimbshme ta mbash zemrën gjithmonë me vete. Në pjesën dërrmuese të rasteve duhet ta lësh brenda një gote uji dhe t’ia ndërrosh ujin , ashtu siç mund t’u ndërrosh ujin luleve.
Nëse procesi i “ ngrënies së dhëmbëve” do të ishte i mundur për shumë organe, atëherë do të kërkoja që:
-Veshët të m’i “ hanin” aq sa mos të më quanin të shurdhër.
-Sytë të m’i “ hanin” aq sa të mos më quanin të verbër.
– Mendjen të ma “hanin” aq sa të mos më quanin të marrë.
E ndoshta kështu jeta do të bëhej më e lehtë në këtë vend, e nuk do të kisha nevojë ta dëgjoja me ndërprerje intervistën tënde, por mund ta dëgjoja me vëmendjen kureshtare të një nxënësi të ulur në bankën e parë.
Sidoqoftë, Zotërinë, për të cilin të fola pak më sipër e shoh çdo ditë , kur shkoj në punë. Ka gjasa që banesa e tij të jetë pranë vendit , ku unë punoj.
Vjen shpesh edhe tek Sheshi i Teatrit. Edhe ai është në grupin e “ atyre” siç i quan ti.
“ Ata” mblidhen çdo ditë në Sheshin e Teatrit në orën gjashtë pasdite. Më datën 8 shkurt , 2019 do të mbushet plot 1 vit që “ata” protestojnë.
Dhe duke qenë se edhe unë jam pjesë e “ atyre” nuk mund të mos shkruaj diçka për “ata”.
-Teatri Kombëtar nuk është veçse një kauzë. Është testi moral i pashmangshëm për çdo shoqëri të sëmurë që e ka të nevojshme fillimisht të diagnostikohet, të mjekohet dhe së fundmi të shërohet.
Jemi tjetërsuar aq shumë si shoqëri, sa mendimi ynë dënon më shumë një besimtar se një Pushtetar që shkel ligjin.
Çfarë dua të them me këtë?!
Disa kohë më parë, kam lexuar një testament shpirtëror të Ernesto Sabatos të titulluar “ Përpara fundit”. Ishte një rrëfim i qashtër dhe i kulluar. Kur të rinjtë e pyesnin se çfarë librash duhet të lexonin ai përgjigjej se duhet të lexonin ata libra që i pasiononin dhe i ndihmonin për të përballuar dhimbjen e ekzistencës.
Dhe ka fort të drejtë Sabato. Ekzistenca është e dhimbshme dhe njeriu gjen formën e tij për ta përballuar.Dikush e gjen duke kënduar, dikush tjetër duke shkruar, dikush duke hipur majë një mali, dikush duke pikturuar, dikush duke lexuar , dikush duke aktruar e së fundmi dikush duke besuar.
E kam vënë re që shoqëria jonë, individët që e gjejnë forcën tek besimi fetar, i paragjykon.
Ka gjithmonë një buzë që rrudhet dhe një gjymtyrë që tkurret ,qoftë edhe në heshtje, kur bie rasti të flitet për një individ që kryen rregullisht ritet fetare.
Ndonëse unë nuk hyj tek besimtarët që shkojnë rregullisht në kultet fetare, e shoh thjesht si një formë të shëndetshme, që dikush zgjedh për të përballuar dhimbjen e ekzistencës.
Dhe krejt e kundërta ndodh kur flitet për një Pushtetar që shkel Kushtetutën e vendit të tij.
Çuditërisht, këtu përballesh me qënie të dorëzuara dhe jo të shtypura. Sepse një njeri i shtypur është një njeri , revolta e të cilit, është shtypur. Ndërkohë, një njeri i dorëzuar është një njeri, që as me mendim nuk e ka takuar revoltën.
Sheshi i Teatrit Kombëtar po kryen atë proces që duhet të ishte kryer në vitin 1990. Duhet të ishin hapur dosjet dhe shoqëria duhej të ish vendosur lakuriq përballë të vërtetave të saja.
Çdo viktimë në varrin përkatës, çdo spiun në dënimin përkatës, çdo idhull në shkatërrimin përkatës.
Do të kish qenë mirë që idhujt e rremë të asaj kohe të mos ishin krijuar kurrë dhe viti 1990 të kish qenë viti i shkatërrimit të tyre.
Do të kish qenë e dhimbshme për ata që i krijuan këta idhuj dhe për idhujt vetë, por nuk do të gjendeshim kurrë në dilemën e frikshme pas 29 vitesh – Do të shembet apo nuk do të shembet Teatri Kombëtar; Do të shkelet apo nuk do të shkelet Kushtetuta e Shqipërisë?!
Teatri Kombëtar përbën një ngjarje kyçe në vend. Krejt natyrshëm ai do të kthehet në njësi matëse të vlerësimit për një individ, apo për një tjetër në situata të jetës së përditshme. Ka disa ngjarje në historinë e një vendi që shndërrohen në argumente të përjetshëm.
Firma për shembjen e Teatrit Kombëtar dhe për Shkeljen e Kushtetutës, do t’i shoqërojë gjithmonë firmëtarët, në çdo bisedë, në çdo rol, në çdo qëndrim dhe së fundmi në çdo shfaqje, sikundër do t’i shoqërojë gjithmonë deputetetët e tu, ngritja e atij kartoni të kuq kundër Kushtetutës.
Post scriptum- Unë nuk jam profete dhe nuk e di se çfarë do të ndodhë me Teatrin Kombëtar, por di që me praninë time të përditshme në atë Shesh kam firmosur si shumë qytetarë të tjerë në Shqipëri, kundër instalimit të një diktature moderne në këtë vend.
Elona Caslli
Njëra prej tyre .