Në një nga tubimet elektorale, Tsipras kishte thënë frazën që mbeti e paharruar, sidomos për kundërshtarët e tij:
“Kthehu mbrapa, zonja Merkel! Kthehu mbrapa zoti Schauble!… Greqia nuk është kavie për eksperimente…”.
Por pas ardhjes në pushtet, Tsipras gradualisht u shndërrua në një partner të rëndësishëm e të besueshëm për kancelaren gjermane.
Në këtë transformim luajti padyshim rol pragmatizmi i kryeministrit majtist radikal, që zbatoi me përpikmëri programin e tretë të shpëtimit, me masa shumë të ashpra.
Por po aq i rëndësishëm ishte vendimi i zonjës Merkel që t’u hapë dyert refugjatëve sirianë, gjë që shkaktoi zemërimin e populistëve të djathtë në Gjermani. Në betejën e kancelares për mbijetesë politike, Tsipras u dëshmua një aleat plot kredibilitet, duke pranuar marrëveshjen me Turqinë në maj të 2016-s dhe duke mbështetur iniciativat e zonjës Merkel për një zgjidhje mbareuropiane në krizën e refugjatëve.
Tsipras është pritur disa herë në Berlin, me nderime të mëdha.
E njëjta pritje mendohet se do t’i rezervohet tashmë edhe zonjës Merkel në Athinë.
Një pritje që parashikohet të jetë krejt e ndryshme nga sa në vizitat e mëparshme. Atëherë kur prania e kancelares gjermane në kryeqytetin helen i vinte zjarrin zemërimit mbarëpopullor.
Angela Merkel mbërrin në Athinë pasditen e të enjtes, kur do të takohet me kryeministrin Tsipras.
Të premten, kancelarja gjermane do të pritet nga presidenti i Republikës, Prokopis Pavlopulos dhe pastaj do të takohet me kryetarin e demokracisë së re të opozitës, Kyriakos Mitsotakis.
Burime diplomatike në Athinë thanë se kancelarja Merkel vjen me një synim të dyfishtë:
Së pari për të përcjellë një mesazh vlerësimi ndaj përpjekjeve të Greqisë pas finalizimit të programit të shpëtimit.
Dhe së dyti, t’i ofrojë mbështetje kryeministrit Aleksis Tsipras, në prag të procedurës parlamentare për votimin e marrëveshjes së Prespës edhe në parlamentin grek.
Të njëjtat burime shtuan se jo më kot zonja Merkel vjen në Athinë 24 orë pasi në parlamentin e Shkupit fillon faza përfundimtare për miratimin e ndryshimeve kushtetuese.
Masa të rrepta sigurie
Në pritje të mbërritjes së kancelares gjermane, qeveria greke ka miratuar zbatimin e masave të rrepta të sigurisë.
Më shumë se 2.000 policë do të jenë të mobilizuar në operacionet e sigurisë, ndërkohë që pritet të ketë dhe ndalim të qarkullimit në rrugët nga do të kalojë zonja Merkel gjatë qëndrimit dyditor në Athinë.
Sipas të dhënave më të fundit, policia po shqyrton ndalimin e tubimeve të paralajmëruara për në orën 18,00 të së enjtes.
Tubime kundër pranisë së kancelares gjermane në Athinë kanë njoftuar se do të organizojnë Agimi i Artë, Antarsia dhe partia Uniteti Popullor (LAE).