Home KRYESORE Mamaqi apo Rama, kush është kllouni! Nga Arian Galdini

Mamaqi apo Rama, kush është kllouni! Nga Arian Galdini

Prej ditës së parë të këtij janari ka nisur një furtunë debatesh e shkëmbimi të ideve dhe opinioneve  mbi promon që Ermal Mamaqi ka publikuar si njoftim për nisjen e Xingut 2019 me Edi Ramën.

Po i ndaj edhe unë nja dy mendime modeste me ju miqtë e mij, sepse e mendoj debatin mbi lirinë e medias dhe komunikimit publik, si tejet të rëndësishëm për tu zhvilluar hapatazi e pa doreza ndër të gjithë ne.
Së pari, duhet të them ndershmërisht se promo është shumë e bukur, gjetje, moderne dhe me shumë kumte brenda. Cilido që e ka ideuar dhe realizuar meriton një vlerësim të sinqertë.
Së dyti, Ermal Mamaqi nuk ka bërë as më shumë e as më pak sesa atë që bën çdo të shtunë.
Pse u dashka që ne ta ngremë kaq të lartë stekën e gjykimit pse servisin e javës së parë të 2019 ia ka taksur Edi Ramës?
Tani të vijmë tek debati i vërtetë.
Po e nis me mediat.
A nuk është Shqipëria vendi që shpenzon më shumë para në media, PR, fushata elektorale, se çdo vend tjetër në Ballkan e ndoshta më tepër se shumë vende të zhvilluara të BE?
Në një vend ku 2/3 e popullsisë jetojnë në minimumin jetik, ku 60% e banorëve të tij duan të ikin sot, ku 79% e të rinjve duan ta braktisin atdheun e tyre menjëherë, ku informaliteti kap gjysmën e ekonomisë, ku kursimet e shqiptarëve në Banka bien përsëri se Banka e Shqipërisë ka ndërmarë politika lehtësuese vetëm për shpëtimin e Bankave Tregetare me pronësi kryesisht të huaj apo nën pronësi klientele pranë Qeverisë, në kurriz të kursimtarëve shqiptare, ku këto banka në sajë të korrupsionit të brendshëm janë në nivele të frikshme të huave të këqija, ku në kurriz të kursimtarëve shqiptarë këto Banka kanë regjistruar fitime marramendëse të pamerituara pasi nuk kanë rritur kreditimin por kanë ulur borxhet e këqija duke i bërë write-off këtyre kredive korruptive (kryesisht të Oligarkëve dhe Pronarëve të mediave që janë klientelë e Qeverisë) të pakthyeshme falë këtyre fitimeve, ku Qeveria ul edhe dividentin, që këto fitime të nxirren jashtë me 8% taksë, ku zhvillohen të tilla politika të pastra antishqiptare dhe në dëm të kursimtarëve shqiptarë, ku kursimet bien, kredia në stanjacion dhe qeveria thotë se ne kemi rritje ekonomike e kjo është thjesht një shaka pa kripë, ku ngase kemi në krye të INSTAT limfat e Rilindjes mund të themi e besojmë se ne kalojmë me rritje ekonomike edhe Indinë pa pikën e problemit, ku rritja jonë ekonomike është e rreme, është thjesht artificë me keqaplikimin e deflatorit, ku me shumë gjasa në të vërtetë ne kemi rritje ekonomike nën 2% dhe vetëm si pasojë e rritjes së stokut të ndërtimeve të cilat në të ardhmen do të jenë një “drag” për ekonominë sepse këto ndërtime kryesisht të keqndërtuara do të kenë nevojë për mirëmbajtje, mbushje, aktivitet, e që mund të na mbeten si varreza gjigande krejt bosh, etj, etj…., pra në një vend të tillë hidhen shuma marramendëse për TV moderne, gazeta e portale pafund.
Nuk ka investime të huaja por kemi platformat më të zhvilluara dixhitale televizive.
Nuk ka prodhim por kemi nga një emision politik për çdo kokë shqiptari në të gjitha televizionet e mundshme.
Nuk kemi liri tregu, por kemi emisione pafund që bëjnë vetëm marketing llumi, tallavaje, boshi dhe politikanësh.
Nuk kemi bursë pot kemi portale.
Nuk kemi Shërbim Publik por kemi Marrëdhenie me Publikun.
Nuk kemi Shëndetësi të denjë por kemi Propagandë të plotë.
Nuk kemi Arsim të mirë, por kemi gazeta pafund.
Nuk kemi Siguri Ushqimore e as Ilaçesh, por kemi emisione investigative pafund që denden me para gjobash dhe benefiti politik.
Jemi vendi më qesharak në botë sepse çdo sezon i ti televiziv, kur bëhet merkato gazetarësh, emisionesh apo analistësh, përvec termave normale tregëtare të pagesave, reklamës, kushteve, etj është shtuar edhr zëri i Benefitit Politik.
Palët bien dakort mbi përqindjet apo kontrollin e benefitit politik.
Jemi vendi që nuk kemi zgjedhje, por bëjmë fushatat më të shtrenjta në Glob.
Kështu që të hapësh debat publik mbi faktin nëse Ermal Mamaqi është apo jo klloun oborri, është gjëja më pa vlerë dhe më e pandershme në botë.
Ermal Mamaqi ka siguruar një hapësirë televizive në TV Klan dhe kur kanë rënë dakort mbi termat, kanë rënë dakort edhe për benefitin politik. Se kush e ka kontrollin e benefitit politik, këtë nuk mund ta dimë, ndaj është e kotë ta spekulojmë.
Por që mediat në Shqipëri janë e vetmja industri ku hyjnë e dalin para pafund, kjo e ka një shpjegim pse.
Kjo ndodh sepse ne jemi vendi ku politikanët vetëm vjedhin, mashtrojnë dhe blejnë.
Vjedhin buxhetin e shtetit, vjedhin pronat tona, vjedhin xhepat tanë.
E na mashtrojnë duke na e shndërruar Shqipërinë në një shfaqje magjie të David Copperfield.
Kjo shfaqja magjike vjen nga mediat.
Aty ka analistë, modetatorë, gazetarë, humoristë, shfaqje, emisione të llojllojshme që ndërtojnë me detaje të mirëkuruara këtë megaskenën e Shqipërisë në shfaqje.
Aty në media ne magjepsemi.
Aty vjedhja nuk është vjedhje por trik artistik, akt bamirësie, humor, bingo, etj, etj.
Industria e vjedhjes dhe krimit ka vetëm median si pjesë integrale të zhvillimit të saj.
Askund tjetër nuk ka para.
As në shkolla, as në universitete, as në spitale, as në burime njerëzore, as në pensione, paga, askund.
Vetëm në media dhe në fushata elektorale ka para pafund.
Prandaj Politika, Oligarkët dhe Krimi blejnë vetëm media, emisione, analistë, moderatorë e gazetarë.
Media dhe gazetaria në Shqipëri janë pjesë integrale e industrisë së vjedhjes.
Jemi vendi ku lindin përditë televizione, portale e emisione por nuk ka asnjë fabrikë, ndërmarrje apo investim vendas a të huaj për të bërë lajm.
Ka vetëm rishpërbdarje të borxheve të këqija të Oligarkëve nëpërmjet koncensioneve, PPP-ve dhe tenderave publikë dhe pastaj prapë media.
Çfarë presim ne në këtë realitet?
Po pse Ermal Mamaqi do na e bëjë neve diferencën?
Pse i vendosni Ermalit kaq shumë pritshmëri apo kaq shumë sharje e mallkime?
Ermali është pjesë integrale e sistemit, nuk mund të bëjë asgjë ndryshe ngasa bëjnë të gjithë.
Madje edhe sharjet ndaj tij janë gjithësesi gjysmasharje e gjysmalëvdime, sepse ata që janë antiRama do ta urrejnë Ermalin e ata që e kanë Ramën Zot, do ta adhurojnë Ermalin.
Edhe kjo është pjesë e showt dhe industrisë.
Derisa Ermali të ftojë  Doktor Berishën, Lulzim Bashën, Ilir Metën apo Monika Kryemadhin. E pastaj të ndryshojne kahje gjysmat e sharjeve dhe lëvdimeve.
Që Ermal Mamaqi ka një emision si dyqan marketingu për “elitat e postkomunizmit” qofshin politike, artistike apo subartistike, këtë e dimë të gjithë.
Po a nuk janë të tilla pothuajse të gjitha emisionet e televizioneve shqiptare nga mëngjesi deri në mesnatë?
A nuk punojnë të gjitha me listëporositë dhe shoqnitë përkatëse?
Në cilin emision, a në cilën studio keni parë të ndodhë ndryshe?
A nuk janë çdo mëngjes, pasdite, mbrëmje, natë e mesnatë, vetëm 30 a maksimumi 50 vetë që shëtiten dhe spostohen nga studioja në studio, nga emisioni në emision, nga portali në portal, nga gazeta në gazetë?
Pse servisi i Ermalit ndaj KM duhet të na ngacmojë kaq shumë ndjeshmëri, kur çdo ditë e çdo natë e kemi servis ndaj tij të singjashmëve të tij?
Mjaft më me këtë harmoninë e hipokrizisë dhe servisin a emocionet ndaj palës tjetër.
Rreshtimi bazuar në palë dhe mallkimi i kësaj rradhe që kthehet në lëvdim pas pak puntatash, nuk ka asnjë vlerë e asnjë ndershmëri publike.
Debati kapet nga brirët.
Ose e shkëpusim dhe çlirojmë median nga industria e vjedhjes politike, oligarkia dhe krimi, ose asgjë e mirë nuk ka për të na ardhur më nga këto media që kemi, kështu si i kemi.
Sepse problemi nuk qëndron nëse Ermal Mamaqi është apo jo klloun oborri, problemi qëndrojnë se e gjithë media është një Shfaqja e turpshme magjie dhe cirku për të na e bërë vjedhjen magjepsëse.
E për të mbërritur tek Edi Rama.
Nuk e di pse na bën habi fakti që ai vishet e zhvishet, lahet e shplahet, e kështu me rradhë.
Ai është Kryeministri më komod në botë.
Na vjedh paratë e buxhetit, na vjedh pronat, na vjedh shpresën, na vjedh kohën, na vjedh të ardhmen dhe në fund na shet trupin e tij lakuriq si imazh për të mos i parë xhepat.
Kemi kaq ditë që meremi me Ramën dhe larjen a moslarjen e tij dhe ai qesh me ne.
Ne do qeshim 1 natë me të tek Cirku me Ermalin, por ai do të vazhdojë të qeshë me ne sa herë të shkojë në zyrën e Kryeministrit të Shqipërisë e tia nisë të shtyjë ditën në facebook.
Share: