Nga Prof. Asoc. Dr. Enver Bytyçi
Nesër bëhen 13 vite kur Dr. Ibrahim Rugova shkoi në hamshim. Ishte dita më e ftohtë e vitit 2006 e megjithatë me dhjetramijë qytetarë të Kosovës pritën me orë të tëra në radhë për t’i dhënë lamtumirën e fundit njeriut të dijes, kulturës, urtësisë, mprehtësisë, kujtesës historike e shpresës për të ardhmen, refuzuesit të pashoq të sundimit serb, arkitektit të pavarësisë dhe mbretit të lirisë së Kosovës!
Ibrahim Rugova ndërroi jetë si politikan, si presidenti i parë dhe historik i Kosovës së lirë! Por ai pati dimensionet e një gjeniu. Siç shkruan Dom Lush Gjergji, ai “Ishte studiues dhe krijues burimor, njohës i thellë i traditës dhe kulturës sonë të lashtë, kritik letrar me aftësi të rralla shkoqitëse, me njohuri të sakta, stil elegant, qëndrime gjithnjë optimiste për kontekstin shoqëror dhe hapësinor shqiptar.
Mbi të gjitha ishte strategu i politikës paqësore, do të thoja edhe më tepër, Profeti i Paqes, Gandi i ditëve tona në dimensione kombëtare dhe ndërkombëtare”.
Sot pas 13 vitesh të ndarjes së tij nga jeta, por edhe mbas 130 apo 1300 vitesh, Ibrahim Rugova do të përmendet në historinë moderne të shqiptarëve, të rajonit e të Europës si modeli i lidershipit demokrat, të vendosur e të pakompromis me veset e sunduesve mizorë e hipokritë! Ai do të shënohet në histori si gjeniu që pa ushtri, pa polici, pa gardë, pa mjetet e dhunës shtetërore ndërtoi institucione paralele me ato të pushtuesit të vendit të tij, serbët. Do të shënohet në histori si njeriu që ruajti harmoninë dhe ekuilibrin e mrekullueshëm të dy milion qytetarëve të vendit të tij! Kurrë në historinë e njerëzimit nuk kishte ndodhur më parë që një vend të promovonte paqen, solidaritetin, balancën njerëzore e harmoninë kombëtare si Kosova e Ibrahim Rugovës!
Në kontrast me të sotmen figura dhe vepra e Ibrahim Rugovës merr përmasat e të jashtëzakonshmes. Ibrahim Rugova ishte i pakompromis dhe imponues. Argumentet e tij bënë të mundur ndërhyrjen e bashkësisë ndërkombëtare për çlirimin dhe lirinë e Kosovës, aq sa Lordi Robertson do të shprehej se “pa rolin e Rugovës dhe pa ndërhyrjen e NATO-s nuk do të kishte një Kosovë të lirë”! Ndërsa sot dikush në krye të Kosovës ka marrë flamurin e zhbërjes së investimit të atëhershëm për këtë vend.
Rugova dinte të imponohej edhe te kundërshtarët e arqmitë e popullit të tij, ashtu si te kundërshtarët politikë brenda vendit. Me shallin e vet të përhershëm lidhi dhe paralizoi propagandën serbe të viktimizimit të saj prej shqiptarëve dhe zbuloi të vërtetat e mëdha e të thjeshta lidhur me vuajtjet e tmerrshme të tyre nga regjimi gjakatar i Milosheviçit. Ndërsa sot presidenti i Kosovës dhe kryeministri i Shqipërisë bëjnë pazare në dobi të interesave të Beogradit për krijimin e Serbisë së Madhe.
Rugova loboi fuqishëm dhe iu imponua me argumente të pakundërshtueshme qendrave të kancelarisë së botës, Uashingtonit, Londrës, Berlinit, Parisit, Romës e madje edhe Madridit, që bota demokratike të angazhohej për lirinë e Kosovës dhe nuk u ndal asnjë çast në këtë rrugë. Ndërsa Presidenti i sotëm i Kosovës dhe kryeinistri i Shqipërisë lobojnë fuqishëm në këto kancelari për ndarjen e vendit në interes të Serbisë së bashkëpunëtorëve të Milosheviçit!
Rugova ishte ftuar disa herë nga Presidenti i Rusisë për vizitë në Moskë, ndërkohë që ai e refuzoi pamëdyshje atë. Presidenti i sotëm i Kosovës mburret me takimet e tij me kryeministrin dhe presidentin rus! Kur Tirana zyrtare bashkëpunonte me Milosheviçin ose dilte kundër ideve të Rugovës, presidenti historik dinte t’ia tregonte edhe asaj vendin me refuzimin e tij mistik e klasik. Ndërsa presidenti i sotëm i Kosovës “së lirë” merr urdhëra nga kryeministri i Shqipërisë për të bashkëpunuar me ish-ministrat e Milosheviçit në Beograd!
Ndërkaq të dy këta (Edi Rama dhe Hashim Thaçi) spekullojnë me një deklaratë të presidentit historik të vitit 1994, kur ai paska shpreh si një nga opsionet e mundshme të zgjidhjes së çeshtjes së Kosovës këmbimin e territorit të Leposaviçit me ato të Luginës së Preshevës. Me këtë spekullim banal Kryeministri i Shqipërisë dhe presidenti i sotëm i Kosovës kanë për qëllim që të përligjin angazhimin e tyre për projektin serbo-rus që veriun e Kosovës, përfshirë Trepçen dhe Ujmanin, t’ia falin mikut të tyre, Aleksandër Vuçiq?! Spekullimi me Rugovën sa i përket çeshtjes së ndjeshme të ndryshimit të kufijve është i paskrupullt. Së pari, sepse ajo deklaratë është përmendur në kushtet e kërkesës së zgjidhjes së krizës pa dhunë. Pas dhunës së Milosheviçit në vitet 1998-1999 askush nuk e ka menduar një zgjidhje të tillë. Madje Rugova është shprehur shumë qartë se “Nuk pranon asgjë mmë pak se pavarësinë, ndryshe, ka paralajmëruar ai, mbetet si I vetmi opsion bashkii me Shqipërinë. Kjo dramë e re që Rama, Vuçiq dhe Thaçi përpiqen ta ringjallin në rajonin tonë duhet të marrë fund. Atyre nuk ju vjen në ndihmë Ibrahim Rugova.
“Rugova ishte nacionalist racional, shkruan Halil Matoshi. Kur populli ynë vuante nën shtypje dhe pothuajse po i shuheshin shpresat ai besonte tek NATO-ja”, Këtë qëndrim presidenti Rugova e ka shprehur që në vitin 1992 në revistën prestigjioze gjermane “Spiegel”. Duke iu përgjigjur pyetjes së gazetarit për opsionin e ndarjes së Kosovës, Rugova thoshte: “Atëherë prapë do të jetonin një milion shqiptarë jashtë mëmëdheut. Gjithashtu serbët shikojnë me këtë “ndarje”, që secila tokë me pasuri natyrore t’i takojë asaj. Atëherë neve do të na mbetnin vetëm tokat pa vlerë. Ne nuk biem pre e këtyre politikave. Do pranonim një protektorat të përkohshëm të OKB-së, sepse do të ishte qesharake të mendohej se 8% e minoritetit serb të sundonte dhe të mundte me dhunë 2 milionë shqiptarë”.
Ceshtjen e Kosovës dhe zgjidhjen e saj Ibrahim Rugova nuk e pati kurrë në jetën e tij intelektuale dhe politike si agjendë serbe. Përkundrazi ai këmbnguli gjithmonë për formulën e njohur që “Kosova fillimisht të të vendosej nën protektoratin ndërkombëtar e më pas të bëhej shtet i pavarur, neutral, I hapur për Serbinë dhe Shqipërinë. Kjo formulë zgjidhjeje erdhi në jetë në të gjallë të tij. Para 20 vitesh Kosova u bë protektorat ndërkombëtar e para 11 vitesh u bë e pavarur.
Detyra e brezit të sotëm është ta ruajë këtë trashëgimi të jashtëzakonshme që Rugova i la kombit shqiptar. Ata që duan ta shkatërrojnë projektin e Rugovës për shtetësinë e Kosovës, qoftë dhe në emër të “bashkimit të pjesës së mbetur me Shqipërinë”, ata nuk bëjnë tjetër veçse një shërbim historik për Beogradin. Nëse presidenti i Kosovës dhe kryeministri I Shqipërisë do ia arrijnë ta ndajnë Kosovën, ata do të mund të përkujtohen me buste e monumente në Beograd dhe qytete të tjera të Serbisë, ndërkohë që në Shqipëri e në Kosovë do të kenë fatin e Esat Pashë Toptanit, në varrin e të cilit në Paris përulen ende udhëheqësit e sotëm të Serbisë!
Tiranë, më 20 janar 2019
Ndalohet botimi pa lejen e autorit!