Kryetari i komunës së Gostivarit dhe sekretar gjeneral i ASH, Arben Taravari përmes një shkrimi ka nënvizuar idenë e hartimit të një Platforme panshqiptare nga Tirana-Prishtina-Shkupi. Ja shkrimi i plotë:
Pasi që ndodhemi në prag të konstelacioneve të reja gjeostrategjike, ku ne shqiptarët jemi mu në kufirin e përballjes së interesave të Fuqive të mëdha botërore. Të gjendur gjithnjë nën syrin e gërshërve të mprehta të fqinjëve dhe miqve të tyre, shqiptarët janë strukur gjithnjë e më shumë në trojet e tyre, por si thotë edhe Frojdi, çdo gjë e shtypur kthehet në një tullumbac që shpërthen, dhe duket se ky është momenti i një Pranvere Shqiptare në Ballkan.
Është momenti ku Tirana – Prishtina – Shkupi të kthehen në një trinom me qëllim të njëjtë.
Duke angazhuar insitucionet e tyre më serioze dhe kredibile, natyrisht Akademitë e Shkencave dhe Arteve apo më qartë akademikët, sugjeroj që do të ishte e mënçur të hartohej një lloj Platforme panshqiptare. Disa nga pikat e saj mund të jenë si më poshtë:
1. Dekriminalizimi i politikës;
2. Depolitizimi i shoqërisë dhe institucioneve publike;
3. Hartim i një strategjie për forcimin e shteteve shqiptare dhe shqiptarëve në Ballkan;
4. Shkëmbim i menjëhershëm i subkulturave, traditave dhe zakoneve;
5. Themelim i një Ministrie të veçante me seli në Tiranë e cila trajton vetëm çështjen e shqiptarëve në Ballkan;
6. Abetare dhe program mësimor i përbashkët;
7. Strategji për zhvillim me standarde europianë të arsimit, shkencës dhe kulturës;
8. Jurisprudencë kredibile me standarde europiane;
9. Strategji zhvillimore ekonomike;
10. Vizion të qartë politik kombëtar për periudhën e globalizimit…
Dhe pika të tjera të cilat do të pasurohen nga mendjet inteligjente shqiptare të cilat do të merren profesionalisht me këtë platformë. Është akut jo vetëm përpilimi i saj por edhe zbatimi sa më i shpejtë pasi është momenti ynë, të cilin ose e shfrytëzojmë tani ose ndryshe një pjesë e mirë e shqiptarëve do të rrezikojnë të asimilohen duke u kthyer në një histori e më vonë përrallë e trishtuar për t’ia rrëfyer fëmijëve para gjumit!/tetova news