Home KRYESORE Opozita kërkon pezullimin e Arta Markut, ngre padi për shpërdorim detyre

Opozita kërkon pezullimin e Arta Markut, ngre padi për shpërdorim detyre

Partia Demokratike dhe Lëvizja Socialiste për Integrim kanë paditur Prokuroren e Përgjithshme të Përkohshme Arta Marku për veprën penale të “Shpërdorimit të detyrës”. Po kështu kërkohet që Marku të pezullohet nga detyra deri në përfundim të hetimeve. Sipas tyre, Arta Marku propozoi Bujar Shoshin në KLP në kundershtim me ligjin, pa pritur konfirmimin e Autoritetit të Dosjeve. Shoshi u deklarua bashkëpunetor i Sigurimit të Shtetit, pasi ishte emëruar në Këshillin e Lartë të Prokurorisë.

Dy kryetarët e grupeve parlamentare PD dhe LSI, përkatësisht Spaho dhe Vasili bëjnë paraqitjen e kërkesës për marrjen e masës ndaluese “pezullimi i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik” apo “ndalimi i përkohshëm i ushtrimit të veprimtarive të caktuara profesionale”, për personat e kallëzuar në këtë Kallëzim Penal, të cilët nëse vijojnë punën mund të prishin provat apo pengojnë hetimin.

Në padinë, ndër të tjera thuhet se : “Prokurori i Përgjithshëm Arta Marku, nuk e priti pergjigjen e Autoritetit edhe pse ishte e detyruar ta priste, me qëllim verifikimin e përmbushjes së një kriteri ligjor të detyrueshëm për kualifikim. Nese do te dilte me problem ky subjekt, ai nuk do kualifikohej dot per te kandiduar per KLP. Prokurorja e Përgjithshme thirri Mbledhjen e Përgjithshme të Prokurorëve në datën 11 dhjetor 2018. Ajo ka paraqitur listën e kandidatëve, duke përfshirë edhe prokurorin Bujar Sheshi. Në këtë mënyrë, Arta Marku nuk ka përmbushur përgjegjësinë ligjore për verifikimin paraprak të kushteve ligjore të kësaj kandidature (qenia ose jo bashkëpunëtor i sigurimit te shtetit).

Prokurorja Arta Marku, ka shkelur rëndë ligjin, duke mospërmbushur detyrimin ligjor të parashikuar në nenin 279 pika 3 e ligjit nr. 115/2016 “Për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë.

Duke vlerësuar se ndërmarrja e veprimeve të tilla me dashje direkte dhe në shkelje kaq flagrante të Kushtetutës e të ligjit,

Arta Marku ka ndërmarrë veprime në dëm jo vetëm të ligjshmërisë së përbërjes së Këshillit të Lartë të Prokurorisë, por edhe në dëm të vet interesave të ligjshme të shtetit, për shkak se në këtë mënyrë cenohet besimi i publikut tek organi i prokurorisë. Për pasojë, e kallëzuara nga ana jonë, ka konsumuar tërësisht elementët e veprës penale të “Shpërdorimit të detyrës”, parashikuar në nenin 248 të Kodit Penal”./Ri-De

Share: