Home KRYESORE Parathënie e botimit të dytë të Jane Eyre nga Charlotte Brontë

Parathënie e botimit të dytë të Jane Eyre nga Charlotte Brontë

Përktheu nga origjinali Elvis Zaimi

Një parathënie e botimit të parë të “Jane Eyre” ishte e panevojshme-nuk dhashë asnjë-ky botim i dytë kërkon ca të pakta fjalë si mirënjohjeje, ashtu edhe vërejtje dhe vëzhgime të llojllojshme.

Ndjehem e detyruar të falenderoj në tri drejtime;
Ndaj Publikut, për gatishmërinë dhe prirjen zemërgjerë dhe jokërkuese, duke parapëlqyer t’i vejë veshin një rrëfenje të thjeshtë dhe pa pretendime.

Ndaj Shtypit, për fushën e bukur që vota e tij e ndershmei i hapi një Aspiranti të humbur.
Ndaj Botuesve të mi, për ndihmën e tyre të shtrirë me takt, për energjinë dhe sensin e tyre praktik, si dhe për bujarinë e hapur dhe të sinqertë që i dhanë një Autori të panjohur dhe të parekomanduar.

Shtypi dhe Publiku nuk janë veçse personifikime të vagullta për mua, ndaj më duhet edhe t’i falenderoj nëpërmjet shprehjeve të vagullta, por se Botuesit e mi janë të përcaktuar, dhe njëlloj si ata janë edhe disa kritikë të fisëm dhe bujarë që më kanë inkurajuar ashtu si dinë të inkurajojnë një të huaj që përpiqet të çajë me mundim, vetëm burrat me zemër të madhe dhe mendje të lartë.Atyre, Botuesve të mi, dhe Rishikuesve të përzgjedhur të veprës sime u them, Zotërinj, unë Ju falenderoj përzemërsisht.

Pasi ua kam njohur kështu borxhin që u detyrohem atyre që më kanë ndihmuar dhe miratuar,po i kthehem një tjetër shtrese dhe niveli, e vogël për sa unë kam dijeni për të, por jo e tillë sa që për shkak të të qenurit e vogël, edhe për mos t’u vnë re dhe mos t’i dhënë vëmëndjen që i takon. E kam fjalën për të paktët gërnjarë keqdashës dhe të frikuar që vënë në dyshim prirjen e librave si “Jane Eyre”, për sytë e të cilëve çdo gjë që është e pazakontë është edhe e gabuar, veshët e të cilëve dallojnë në çdo protestë kundër fanatizmit prindin nga e ka prejardhjen krimi, një fyerje ndaj besimtarisë së thellë dhe përlëvdimit të përunjur, atij mëkëmbësi të Perëndisë mbi dhe.Do t’u sugjeroj këtyre shprehësve të mendimeve dyshimore të bëjnë disa dallime të qarta dhe të vetëkuptueshme; do t’u kujtoj atyre disa të vërteta të thjeshta.

Çfarë ka qenë bërë traditë apo zakon, nuk përfaqëson të moralshmen.Vetë-drejtësia dhe vetë-ndershmëria nuk përfaqësojnë religjionin.Të sulmosh i pari nuk është si të mësysh i fundit. Ta tërheqësh me guxim duke e qëruar maskën mbi fytyra e Fariseut, nuk është si të ngresh dorën pa respekt ndaj Kurorës me Gjemba.

Këto gjëra dhe vepra janë diametralisht të kundërta; ato janë po aq rë dallueshme sa c’është vesi nga virtyti. Njerëzit shumë shpesh i marrin ato për njëra-tjetrën por ato nuk duhet të ngatërrohen; dukja nuk duhet gabimisht të merret për të vërtetën, doktrinat e ngushta njerëzorëe që janë të prirura vetëm për t’i ngazëllyer disa, duke i bërë të ndihen krenarë dhe të madhërishëm një pakicë njerëzish, nuk duhet të zëvendësojnë kredon e shëlbimit të përbotshëm të Krishtit.Ka-dhe unë jam duke e përsëritur këtë-ndërmjet tyre një ndryshim, dhe është një veprim i mirë dhe aspak i keq, të shenohet gjerësisht dhe qartësisht linja ndarëse ndërmjet tyre.

Bota mund të mos ta pëlqejë t’i shohë të shkëputen dhe ndahen këto ide nga njëra-tjetra, sepse prej një kohe të gjatë e ka bërë zakon t’i përziejë; duke i ardhur më për shtat dhe e gjetur të rehatshme që shfaqja e jashtme tek një person të merret si shkëlqimi i plotë dhe i përpiktë tek ai i standarteve më të larta morale- njëlloj si të dilte dorëzanë për të garantuar se muret e zbardhura me gëlqere vlejnë njëlloj sa tempujt e shenjtë dhe të panjollë. Ajo mund ta urrejë, siç në fakt do të bëjë, çdonjerin që guxon të shqyrtojë me kujdes deri në hollësi, dhe mandej të ekspozojë gjetjet e hulumtimit të tij, duke qërruar dhe pastruar varakun me shkëlqim të praruar për të nxjerrë poshtë tij fundin me metal të zakonshëm, atë që kuturis të hyjë në varr për të nxjerrë prej tij reliket e një trupi të pashpirtëzuar- por edhe pse me siguri ka për ta urryer, ajo është në borxh me të.

Ahabi nuk e pëlqente Micaiah, sepse ai asnjëherë nuk profetizoji ndonjë të mirë për të, ka të ngjarë që ai pëlqente më shumë të birin lajkatues të Cheenaannah , edhe pse do të kishte mjaftuar për Ahab-in që për t’i shpëtuar vdekjes së përgjaktë vetëm sa t’i kishte mbyllur veshët për lajkatimet mikluese, për t’i hapur ata ndaj këshillave besnike.

Ka një njeri në ditët tona fjalët e të cilit nuk janë dekoruar si stoli e këndshme pët veshë delikatë, dhe i cili, për mendimin tim, vjen përpara të mëdhenjve në shoqëri ashtu si i biri i Imlah vinte përpara mbretërve të fronëzuar të Judah dhe Izraelit, dhe i cili flet për të vërtetën me thellësi, me forcën jetësore si të një profeti, me dukje të guximshme dhe shprehi të patrembura, A është satiriku i ‘Vanity Fair” i admiruar në tempujt e shenjtë të adhurimit?

Nuk mund ta them, por mendoj se nëse disa nga ata të cilëve u trazon urët e zjarrit Grek me sarkazmën e tij, dhe mbi të cilët ai flakëron duke hedhur rrufetë e denoncimeve të tij, do t’ië kishin marrë këto paralajmërime në kohë, ato ose fara e tyre mund t’i kishin shpëtuar një Ramothi në Galaad fatal.

Përse unë kam aluduar për këtë njeri? Kam aluduar për të, Lexues, sepse mendoj se shoh në të një intelekt më të thellë dhe të pashoq në krahasim me bashkëkohësit e tij, ndonëse ende kjo nuk është bërë e njohur dhe të jetë pranuar.Aludova për të edhe sepse e konsideroj përtëritësin më të parë shoqëror të kësaj kohe, si mjeshtrin më të mirë të korpusit të punëtorëve që do t’i kthejnë drejtpeshimin e ndershëm sistemit të shtrembëruar dhe të spërdredhur të gjërave; sepse mendoj se asnjë komentues i shkrimeve të tij nuk e ka gjetur ende krahasimin që i përshtatet, fjalët që kërkohen për ta karakterizuar siç duhet talentin e tij.Thonë se ai është si Fielding, flasin për mendjemprehtësinë, humorin, dhe forcën komike të tij .Ai ngjan Fielding-ut sa një shqiponjë I gjason një hute, Fielding mund të sulej poshtë mbi kërmat, por Thackeray, kurrë.

Zgjuarsia e tij është plot dritë, humori i tij është tërheqës, dhe të dyja këto cilësi tek ai mbartin të njëjtën marrëdhënie me gjenialitetin e tij serioz, i cili njëlloj si luhatjet e rrufeshme nga perdja e vetëtimave flakëruese të shpërthyera zhurshëm dhe me shkundullimë nga reja e verës, mund të të bëjë të fshihesh në mitrën e nënës nga frika e përshkënditjeve të tij elektrike vdekjeprurëse.Së fundimi, kam aluduar për z.Thackaray, sepse atij-nëse do ta pranonte homazhin e një personi kretësisht të huaj për të-unë i dedikoj këtë botim të dytë të “Jane Eyre”.

21 Dhjetor 1847 Currer Bell (pseudonimi me të cilin Charlotte Brontë boti romanin “Jane Eyre”)

Share: