Më mjafton gjuha Naimit…
Nga Behar Gjoka
Dëgjon të thuhet nga gjuhëtarët dhe akademikët e Akademisë së Shkencave të Shqipërisë (Azili i Pleqëve dhe Plakaruqeve Zemraker), me një fodullëk të shpifur dhe jaragvitës…
– Po gjuha e Buzukut, Budit, Bardhit dhe Bogdanit që hodhën themelet e librit shqip?
– Po gjuha e Matrëngës, Varibobës, De Radës, Skiroit, etj. , që promovuan arbërishten e përkorë?
– Po gjuha e Fishtës, Mjedës, Pashko Vasës, Shirokës, Gurakuqit, Koliqit, Migjenit etj?
– Po gjuha e Konicës, Lasgushit, Mitrushit, Markos, Spasses, Xoxes etj?
Po këta gjuhëtarë e akademykër, të akademizmit të lodhur, shkruajnë e thonë, pa grimën e kujdesit shkencor:
Na mjafton gjuha e Kadaresë, gjuha e Agollit, gjuha e Qoses, dhe vitet ua bëjnë shekull, e shekujt epoka, vetëm pse u emëruan gjeni në kohën e Realizmit Socialist.
– Po gjuha e Camajt, Pipës, Rreshpes, Pashkut, Shkrelit, Trebeshinës, Xhaferrit?
Pjesa nuk zëvëndëson kurrën e kurrës tanësinë, o mendjendritur e trushkulur! Gjuha shqipe është sistem që nuk përjashton asnjë autor, pavarësisht rrethanave. Çlirohuni nga marrëzia e dehjes së fitimtarëve të ideologjisë komuniste, të periudhës së rrumpallës, ku kemi më shumë prof. dr. se sa hidraulikër. Kur përjashton gjuhën e një autori gjuha thahet, e jo më të përjashtosh një dyzinë, mjeshtrash të fjalës, mjerimi ulet këmbëkryq. Kjo rrethanë më kujton shprehjen e Sartrit, kur shkruante: Qentë e gjallë kafshojnë luanët e vdekur!
Në fakt janë zgjatim i pushtetit të djeshëm dhe të sotëm, që edhe gjuhën dhe letërsinë e ndan në gjuhë alpine dhe moçalishte…
Lexoni dhe shijoni autorët që ju pëlqejnë! Ama, mos harroni që shqipen e shkruar e zuni fill Pal Engjulli, me Formulën e Pagëzimit dhe i vuni kunorë Gjon Buzuku me Mesharin…