Në intervistën e tij të parë pas zgjedhjes në Kryesinë e PD-së, Alizoti rrëfen për “Panorama” mënyrën se si është bërë pjesë e strukturave më të larta të forcës kryesore opozitare në Shqipëri dhe vlerësimet që ka për ekipin e ri të Lulzim Bashës.
Pavarësisht gabimeve që kanë ndodhur në të kaluarën, Alizoti vlerëson vendimin e kreut të PD-së për t’i shtrirë dorën demokratëve dhe thekson se problemi më i madh që sot shqiptarët kanë është Kryeministri Edi Rama.
Z. Alizoti, ju jeni zgjedhur në Kryesinë e Re të PD-së mes 50 kandidaturash. Si e vlerësoni ju këtë rezultat, duke marrë parasysh që më shumë se 1 vit më parë ju keni mbajtur qëndrime të forta ndaj kreut të PD-së, Lulzim Basha, madje kërkuat edhe largimin e tij?
Kritika në përgjithësi është parimore në demokraci. Sot, Shqipëria dhe të gjithë demokratët kanë nevojë për dinjitet dhe parime. Qëndrimet parimore nuk janë thjesht teorike. Janë mekanizma që çdo shoqëri e çojnë përpara. Pra, unë u qëndroj kritikave të mia, për çdo kryetar dhe jo vetëm për z.Basha. Do t’u qëndroj këtyre kritikave sepse Shqipëria mund të integrohet në BE vetëm përmes qëndrimeve të tilla. Më lejoni të tregoj mënyrën sesi unë jam bërë anëtar i Kryesisë. Dua ta filloj me zgjedhjen time si anëtar i Këshillit Kombëtar. Unë nuk isha në dijeni që do të isha pjesë e listës, por dija që të gjithë ish-anëtarët e Këshillit do të ishin sërish në listë për t’u votuar. Dua të kujtoj diçka, që unë kam qenë nga të vetmit në radhët e Kryesisë dhe Këshillit Kombëtar që kanë dhënë dorëheqjen. E dhashë dorëheqjen sepse isha i emëruar nga z.Basha. Nëse u rikthehemi deklaratave të mia të asaj kohe, kam thënë se do të vij sërish në strukturat e PD-së vetëm përmes votës së demokratëve. Unë mendoj se nuk ka asnjë lloj rikthimi. Unë jam po i njëjti. Kam bindjet dhe parimet e mia. Interpretimet, pastaj, janë të lirë t’i bëjnë si të duan.
Sipas të dhënave të Komisionit Zgjedhor në PD, rezulton se ju dhe zonja Tabaku jeni anëtarët më të votuar të Kryesisë së re. E shihni këtë rezultat si një mesazh të demokratëve për shtresat e ish-të përndjekurve politikë dhe ish-pronarëve që ju përfaqësoni?
Unë mendoj që Partia Demokratike e ka zanafillën tek antikomunizmi. PD nuk e ka fillimin vetëm në dhjetor me protestat studentore. PD është një forcë që ka shpirtin rebel, shpirtin për drejtësi dhe ka një histori të madhe. Është një parti që jeton nga fryma e ndryshimit. Është një parti dinjitoze. Shumë persona e kanë parë votimin tim si çudi dhe kanë shtruar pyetjen: Si ka mundësi të zgjidhet një kritik i kryetarit? Këtu nuk ka të bëjë fare kritika. Nuk ka kryetarë të pagabueshëm. Nëse njerëzit në Shqipërinë aktuale duan të jenë të suksesshëm, duhet të jetojnë me kritikën. Madje, edhe me kritikën drejtuar kryetarit. Për mua, në Partinë Demokratike, nocioni i kryetarit është kalimtar. Për mua, PD është shtëpia ime, shtëpia e të parëve të mi, të cilët nuk kanë varre, është shtëpia e shumë demokratëve njësoj si unë. Unë mendoj se kjo votë tregoi se në PD ka njerëz që nuk duan të dinë sa i pasur je dhe se kush je, por duan të dinë nëse je dinjitoz dhe parimor. Unë kështu e lexoj këtë votë. Unë, për të qenë i sinqertë, jam gjendur i surprizuar nga vetë rezultati, madje, unë nuk kam pasur asnjë kontakt dhe këtë mund t’ua vërtetojë edhe vetë Z. Basha. Siç jua shpjegova, në Këshillin Kombëtar emri u bë de facto dhe në Kryesi po ashtu. Isha skeptik, por nuk ndërhyra dhe nuk reagova për asnjë moment për procesin. Të vetmit individë, që kanë qenë vëzhgues në votimin dhe numërimin e votave për Kryesinë, kanë qenë ish-përfaqësuesit e Departamentit të ish-të Përndjekurve. Kjo është e gjithë e vërteta. Do t’i qëndroj çdo teze që mendoj dhe nuk ka lidhje me askënd tjetër. Unë jam falënderues ndaj çdo demokrati që më ka votuar dhe besuar të jem në Kryesi.
Çfarë ka ndryshuar pas 1 viti e gjysmë kur ju kërkuat largimin e Lulzim Bashës nga drejtimi i PD-së dhe deri në zgjedhjen tuaj si anëtar i Kryesisë?
Unë mendoj se kërkesa ime drejtuar z.Basha ka ardhur në një moment që ai humbi zgjedhjet. Vazhdoj të mendoj se ashtu siç ndodh në çdo vend demokratik, kryetari i ekipit duhet të mbajë përgjegjësi për rezultatin. Për më tepër, mënyra sesi u hartuan listat e Grupit Parlamentar ishte e gabuar dhe jodemokratike. Unë do të jem kundër çdo lloj kryetari që do të drejtojë PD-në, të cilët do të marrin vendime të tilla që bien ndesh me një realitet demokratik, i cili mund të çojë një forcë dhe një shoqëri drejt një fitoreje. Ju thoni çfarë ka ndryshuar? Unë mendoj se kjo gjë duhet parë. Ajo që unë vlerësoj është fakti që z.Basha ka shtrirë dorën dhe ka kërkuar një bashkëpunim me të gjithë demokratët. Mendoj se gjithçka duhet të ketë një kufi dhe nuk mund të jetë problemi i Shqipërisë, kryetari i opozitës. Kushdo qoftë ai. Unë mendoj se problemi më i madh sot në Shqipëri është Kryeministri që ne kemi, Edi Rama.
Si e shikoni ekipin e ri të Bashës të dalë nga zgjedhjet e brendshme në PD, pjesë e të cilit jeni edhe ju vetë? Pjesa më e madhe e sekretariateve përbëhet nga njerëz teknikë. A frymëzon ky ekip i ri, sipas jush?
Nëse është një ekip që frymëzon apo jo, kjo do të shihet në zgjedhjet e ardhshme kur do të jetë edhe rezultati i tyre i parë në raport me publikun. Është fjalë e madhe të thuash që frymëzojnë. Por pavarësisht se ju i konsideroni një pjesë të sekretarëve, teknikë, unë kam një konsideratë të veçantë dhe më duket një njeri shumë i nderuar Sekretari i ri i Përgjithshëm, z.Bardhi.
Është për ju bindës Lulzim Basha për largimin e qeverisë? Në mbledhjen e Këshillit Kombëtar të PD-së, Basha kërkoi mobilizimin e të gjithë demokratëve për të nisur një sezon protestash, të cilat do të kulmojnë me largimin e Edi Ramës. Sa të mundur e shikoni ju këtë?
Unë mendoj që për rrëzimin e Kryeministrit nuk mjafton vetëm z. Basha, por duhet të jenë të bashkuar të gjithë demokratët. Nëse shqiptarët dhe demokratët nuk kanë ndonjë inspirim ndaj Partisë Demokratike, kjo do të jetë shumë e vështirë. Por në këtë moment unë e shoh si të domosdoshëm largimin në mënyrë demokratike të një Kryeministri, i cili nuk prodhon më politikë dhe nuk ofron më asnjë lloj zgjedhjeje. Se sa bindës është z.Basha në tezat e tij politike, kjo nuk bëhet me vlerësime personale, por me rezultate në zgjedhje. Unë mendoj që, z.Basha duhet të tregojë se është në gjendje që mund ta çojë këtë ekip drejt fitores.
Duke nisur nga lista e propozuar nga Basha për anëtarë në Këshillin Kombëtar të PD-së, por edhe në kryesi, duket se ka një tentativë për të afruar sa më shumë kontribuues të PD-së në struktura të larta të partisë. A është tani më e bashkuar se më parë?
Partia Demokratike nuk mund të bashkohet vetëm me një ekip. PD është një parti e madhe, është një parti që ka nevojë për të gjithë demokratët. Në çdo parti në botë ka fraksione, por këtu partitë e kanë problem të kenë fraksione. Edhe në familje të vogla ka mendime të ndryshme, madje demokracitë jetojnë për shkak të këtyre mendimeve ndryshe. Unë mendoj se të gjithë ata që kanë mendime ndryshe duhet të jenë pjesë e PD-së sepse nuk mund ta bashkojë vetëm një ekip PDnë. Partia Demokratike ka një proces, aty ka pasur gjithmonë beteja të brendshme, ka beteja të brendshme dhe do të ketë gjithmonë. Kjo e bën Partinë Demokratike të ndryshme nga ish-Partia e Punës.
Pas zgjedhjes së kryesisë së re, ish-nënkryetarja e PD-së, Jozefina Topalli, ka vijuar me kritika të forta në drejtim të Lulzim Bashës, duke e cilësuar lidershipin e ri si pa identitet. Si i vlerësoni këto kritika të ish-funksionarëve demokratë Topalli, Imami, Patozi?
Mendoj se emrave që ju i referoheni janë njerëz me histori në Partinë Demokratike. Si të tillë ata kanë peshë të madhe në familjen tonë politike. Në vlerësimin tim edhe mendimi ndryshe i tyre është i vlefshëm. Unë jam i bindjes se mendimi ndryshe, Partisë Demokratike i bën vetëm mirë. Kjo është mënyra e tyre, që kanë zgjedhur ta thonë atë mendim që kanë. Por edhe njëherë theksoj se, PD ka nevojë për të gjithë.