Një qytetar që ka vuajtur dënimin për armë pa leje në burgun e Rrogozhinës thotë se i kanë vjedhur 540 mijë lekë në burg. Xhelo Kumria ka denoncuar në emisionin “Stop” dhe thotë se paratë ia ka vjedhur vetë institucioni. Jo vetëm kaq! “Stop” arriti të hyjë me kamera të fshehtë në burgun e sigurisë së lartë. Financieri kapet nga kamera e fshehtë duke thënë se personat që kanë kryer vjedhjen (ish-arkëtarë të burgut) janë në proces gjyqësor.
Denoncuesi Xhelo Kumria- Kam qenë i dënuar nga viti 2014 deri në vitin 2015 për armëmbajtje pa leje. Fajet e mija nuk diskutohen, ligjet janë ligje. Gjatë kësaj kohe familjarët e mi vinin në takim dhe më dërgonin të ardhura sipas mundësisë së tyre. U bë një shumë parash sa unë nuk mund ti shpenzoja të gjitha dhe kur u lirova kërkova paratë e mija, por më thanë se nuk ka para tek arka.
Ngelën 540 mijë Lekë. Unë kam këtë dokument dhe e vërtetoj që kam pasur këto Lekë. Jam interesuar dhe më kanë thënë që nuk ka para arka. Ky rast është një vjedhje e pastër, paratë janë vjedhur nga vetë institucioni i burgut, është një vjedhje e pastër shtetërore.
Ekonomisti i burgut, thotë në një video-regjistrim, se arkëtarët, që kanë vjedhur paratë janë shkarkuar dhe janë në gjyq, por sot arka nuk ka para, për t’ia kthyer Kumrisë.
Shefi i Financës: “Ore, nuk është vetëm ky. Janë shumë veta! Tani, nuk ka më arkë të dënuarish. Ata personat janë në gjyq, që janë përgjegjësit e arkës, që kanë qenë përpara”. /Ri-De