35-vjeçari Altin Balliu humbi jetën për një sherr të momentit në lokal. Policia ka mundur të mbledhë dëshmitë e personave në vendin e ngjarjes për të zbuluar arsyet që çuan në krimin e rëndë.
Altin Balliu mbeti i vrarë me plumb në kokë. Autori është identifikuar dhe shpallur në kërkim nga policia. Ai është Olger Mustafaj, banori i lagjes nr 10 në Korçë (vendi ku ndodhi ngjarja).
Mësohet se autori është person me rrezikshmëri të lartë. Burime nga policia thanë për Opinion.al se “Mustafaj ka precedent te mëparshëm në fushën e krimit kundër personit. Ai ka qenë i dënuar për vrasje dhe plagosje të rëndë”.
Ngjarja
Viktima dhe shokët e tij kanë qenë në një bar-kafe në brendësi të bllokut të banimit në lagjen nr. 10. Rreth orës 21:00 ata janë konfliktuar verbalisht me autorin e krimit. Para lokalit, gjendej makina e shokëve të Balliut, e cila kishte bllokuar rrugën. Autori, Olgert Mustafaj kërkonte të kalonte, por rruga ishte e zënë. Pikërisht këtu ka nisur sherri për bllokimin e rrugës, kanë treguar dëshmitarët.
Pas konfliktit, autori ka dalë nga lokali dhe është kthyer pas disa minutash me një pistoletë në dorë. Ai e ka gjetur 35 vjeçarin vetëm në lokal dhe e ka qëlluar disa herë, në kohën kur ai po shkonte drejt mjetit ku ndodheshin shokët e tij. Dy prej plumbave e kanë goditur Balliun në kokë dhe trup, duke i shkaktuar vdekjen e menjëhershme. Altin Balliu ishte person pa precedente penal dhe jetonte në fshatin Slabinjë të Pogradecit. Ai punonte në hapjen e puseve, sëbashku me vëllezërit e tij.
/Opinion.al
*Në foto viktima Altin Balliu
*Pamje nga vendi i ngjarjes