Teksa media tregoi kujdes me rastin e abuzimit seksual të 13-vjeçares në Kavajë, duke mos zbuluar as emrin dhe as fytyrën e saj dhe të prindërve, ka qenë kryeministri Rama që i ka bërë publike.
Ai ka publikuar një video, ku shfaqeshin vetë prindërit e së miturës, me zë dhe figurë gjatë një vizite që ministrja Elisa Spiropali zhvilloi në shtëpinë e tyre.
Ka reaguar ditën e sotme ministrja Elisa Spiropali, në lidhje me rastin në fjalë, ku veprimi nuk ka vend për reflektim.
Pavarësisht dëmit që mund të ketë shkaktuar ajo është kapur sërish me ish-kryeministrin Sali Berisha, por edhe me mediat, ndërsa justifikohet duke thënë se ishte pikërisht gjyshi i të miturës ai që kërkoi të dilnin publikisht.
“..të nesërmen më ra telefoni dhe në emër të prindërve të vajzës, gjyshi më ftoi në shtëpi, vorbulla e dilëmes u rikthye edhe më e fortë. Ty të faleminderit edhe njëherë tha, po ne s’jemi të qetë! Nuk na mjafton se po na del shpirti nga sulmet e tyre që po na e tresin vajzën para syve!
Duam të bëjmë një apel publik, por nuk duam të merremi as me ndërmjetsit që na cojnë ata të opozitës as me ata që na vrasin natën nëpër studio dhe na qajnë ditën, duke na u lutur të dalim me ta në televizor”,- shprehet Spiropali.
Për t’u justifikuar ajo thekson se pasi ka bërë publike me figurë prindërit, ka marrë një telefonatë falënderuese prej gjyshit.
“Telefonata e gjyshit pasi u publikua biseda jone ishte kapaku që s’mund të mos e ndaja sot me të gjithë. Mos u mërzit për çfarë do dëgjosh më tha, neve s’ta harrojmë që na dhe mundësinë të clirohemi! Pas gjithë këtyre ditësh e netësh terrori ku të gjithë kanë folur c’kanë dashur për ne, ne sot folëm në emrin tonë. Ne nuk kemi frikë nga fytyra jonë dhe jemi krenarë për vajzën tonë, ndërsa turpin le ta mbajnë ata që dihet kush janë”.