Nga Kastriot Çipi
Pas 28 vjetësh tranzicion, post-diktatura shqiptare ka mbërritur në fundin e ciklit të saj. Sistemi politik që kemi, është përballë alternativës: ose të shembet përfundimisht dhe të zëvendësohet me një demokraci, ose të përsoset më tej si regjim diktatorial, me fasadë demokratike, sipas modeleve që zbatohen sot në Rusi, Uzbekistan, Turkmenistan, Azerbajxhan, Turqi, etj.
Opozita na thotë se sistemin e ka shkatërruar Rama. Unë refuzoj ta besoj këtë. Unë besoj ishte sistemi, që i dha mundësi Ramës të vinte në pushtet, të shpërdoronte pushtetin, pa iu trembur ndëshkimit nga institucionet e tjera.
Ndonëse unë i bashkohem opozitës në përpjekjen e rrëzimit me çdo kusht të Ramës, unë ngul këmbë se, bashkë me Ramën, duhet të rrëzojmë edhe sistemin. Nëse nuk duam, që një Ramë tjetër të vijë në pushtet, por edhe nëse vjen në pushtet, të paktën të mos jemi pa institucione, që e kontrollojnë, ne duhet të punojnë paralelisht për të dyja kauzat: rrëzimin e Ramës dhe projektimin e një sistemi demokratik për të nesërmen e rrëzimit të tij.
Sot askush nuk e di kur do të kemi zgjedhje parlamentare. Opozita thotë se nuk do të marrë pjesë në zgjedhje, nëse nuk kemi një qeveri tranzitore. Rama thotë se nuk ka ndërmend të japë dorëheqjen. Por një gjë është e sigurt: zgjedhjet e reja do të bëhen me të njëjtin sistem zgjedhor dhe me të njëjtin Kod Zgjedhor. 74 votat e “rilindjes” nuk mjaftojnë për të ndryshuar sistemin dhe Kodin.
Në këto kushte, e gjithë opozita e bashkuar, duhet të zotohet sot, se zgjedhjet e parakohshme do të pasohen nga të tjera zgjedhje të parakohshme, të cilat do të zhvillohen me një tjetër sistem zgjedhor dhe me një Kod të ri Zgjedhor. Ky duhet të jetë neni i parë i “kontratës” sociale që opozita duhet t’i ofrojë sot shqiptarëve, atyre që votojnë dhe sidomos atyre që nuk votojnë.
“Jemi në fushatë zgjedhore” tha Ylli Manjani në mbledhjen e Komitetit Drejtues të LSI, dy ditë më parë. Ndërkohë, anëtari i ri i Këshillit Kombëtar të PD, aktivisti i mirënjohur Aulon Kalaja, tha se me djegien e mandateve, PD i kishte rifituar 200 mijë votat e humbura si pasojë e zhgënjimit të elektoratit të saj, pas marrëveshjes Rama-Basha të 17 majit. Në këndvështrimin tim modest, me realist mes të dyve është Manjani.
“Këmbanën” së cilës i bie ai, duhet ta dëgjojë e gjithë opozita. Një ditë pas djegies së mandateve, natyrisht “aksionet” e opozitës në “bursën politike” janë rritur, por tani opozita lundron të “ujra që nuk janë në hartë”, siç thonë anglezët. Zgjedhjet e parakohshme mund të jenë në qershor, por mund të jenë edhe në shtator apo dhjetor, por kurdo që të ndodhin këto zgjedhje, që unë po i quaj “zgjedhjet e para të parakohshme”, ato do të bëhen vërtet pa Edi Ramën në qeveri, por ama do të bëhen me Arta Markun, Donika Prelën e Gent Ibrahimin në Prokurori, pa Gjykatë Kushtetuese e pa Gjykatë të Lartë, me po ata shefa policie e komisariatesh dhe… me po ato grupe kriminale, që do të synojnë të blejnë vota për “rilindjen”, siç paralajmëroi trafikanti shqiptar i intervistuar së fundmi nga televizioni publik italian RAI 2.
Duhet të jemi pra të qartë dhe të sigurt se zgjedhjet e para të parakohshme nuk do të jenë as të lira e as të ndershme, por kjo nuk do të thotë se nuk mund të fitohen nga opozita. Nëse krimi i organizuar në shërbim të “rilindjes” paguan 50 apo 100 euro ata që nuk do të votonin fare, për të votuar pro “rilindjes” dhe po 50 apo 100 euro ata që do të votonin opozitën, për të mos marrë pjesë në votim fare, qëllimi madhor i opozitës duhet të jetë të rrisë vlerën e votës në treg. Votuesi, që ka shpresë tek e ardhmja, nuk e shet votën apo abstenimin e tij për 100 euro. Nëse fleta e votimit përmban “rilindjen” të listuar vetëm si PS dhe përballë saj janë të gjitha partitë e tjera, pa përjashtim, të majta e të djathta, të vjetra e të reja, parlamentare e jashtëparlamentare, të bashkuara në një koalicion të madh, që angazhohet për ndryshimin e sistemit politik, jo thjesht rotacionin politik, atëherë po, PD do t’i rifitojë vërtet 200 mijë votat e humbura në 2017-n, ndërsa “rilindja” nuk do t’i blejë dot 20% të mandateve për një thes miell.
Opozita duhet të fillojë fushatën qysh sot. Por kjo duhet të jetë një fushatë krejt ndryshe nga ato që kemi parë deri më sot. Ajo duhet të fillojë me debate publike në sheshe qytetesh, pa flamuj partish e pa pjesëmarrje të kontrolluar militantësh.
Opozita duhet thjesht të shpallë vendin dhe orën e takimit dhe ta çojë mikrofonin dorë më dorë, tek secili qytetar, që ka kritika dhe kërkesa për opozitën, të bëjë “mea culpa” dhe katharsis, nëse i do vërtet votat e atyre që bojkotuan zgjedhjet në 2017, apo atyre që i shitën për 50 apo 100 euro.
Së dyti, opozita duhet t’i tregojë publikut se si do të jenë zgjedhjet e dyta të parakohshme, nga mënyra se si do të përgatisë zgjedhjet e para të parakohshme.
Opozita duhet të organizojë zgjedhje paraprake, me maxhoritar për çdo kandidat për kryetar bashkie dhe me proporcional me lista të hapura për kandidatët për deputetë e këshilltarë bashkiakë. Sorrollatja me retorika politike dhe hyrja në zgjedhje me lista të improvizuara nga kryetarët e partive, në minutën e fundit, siç ndodhi më 2017, do të jetë fatale për opozitën dhe gjithë kombin.
Së treti, opozita duhet të vijë në këto debate publike me një libër të bardhë në dorë, në vend të programit zgjedhor dhe të shënojë aty ato që kërkon shumica e pjesëmarrësve. Jo vetëm kaq, por opozita, me përfshirjen aktive të shoqërisë civile, duhet jo thjesht t’i përkthejë në objektiva konkretë, kërkesat e qytetarëve, por pse jo, të përgatisë të gjitha amendimet kushtetuese dhe ligjore që do të duhen për të ndryshuar sistemin politik, për t’i pasur gati për miratim, pas zgjedhjeve të para të përkohshme.
Një lëvizje e tillë mbarëpopullore, ku zbehen ndryshimet mes politikanëve dhe qytetarëve të angazhuar, si edhe mes partive të veçanta të koalicionit, ka potencialin të krijojë një front të fuqishëm, që nuk e korrupton e përçan dot krimi i organizuar dhe paraja e pistë.
Një koalicion i tillë, që nuk neglizhon asnjë votë, duhet të fitojë zgjedhjet e para të parakohshme, për të ndryshuar sistemin dhe përgatitur zgjedhjet e dyta të parakohshme, ku natyrshëm partitë mund t’i rikthehen koalicioneve të majta, të djathta e të qendrës ku edhe PS e pastruar nga “rilindja” mund të konkurrojë ndershmërisht.