Nga Bernd Riegert
Presidenti francez, Emmanuel Macron thotë se i vjen keq për provokimet e vazhdueshme të populistëve në Itali. Ai ka heshtur shumë kohë, por tani ai ka thirrur përkohësisht ambasadorin nga Palazzo Farnese, përfaqësia franceze e tij në Romë.
Deklarata e Pallatit Elysée për aksionin dënues diplomatik, që nuk duhet të ndodhte midis vendeve anëtare të BE-së, u morr shumë për keq.
Zërat thonë se marrëdhëniet midis qeverive të Parisit dhe Romës janë aq të këqija sa kurrë më parë pas Luftës së Dytë Botërore.
Reagimet e rrahjes populiste të ujit në havan priteshin. Ato tallen me “Napoleonin” ose me “pirësin e shampanjës”. Macron ofron një tabelë të mrrekullueshme qitjeje për fushatën elektorale që është duke u zhvilluar në Itali për zgjedhjet lokale, të cilat mbahen në maj.
Drejtuesi i “Lëvizjes së pesë yjeve” dhe ekstremistët e djathtë të “Legës”, Luigi Di Maio dhe Matteo Salvini, kanë gjetur tek Macroni liberal dhe përkrahës i BE një imazh ideal armiku.
Macron nuk mund të rrijë pa u futur në lojë, sepse Di Maio dhe Salvini bëjnë pakte hapur me armiqtë në politikën e brendshme të Francës, “Jelekët e verdhë”, dhe populisten e djathtë, Marine Le Pen.
Ngacmim i qëllimtë emocionesh
Populistët në Romë bëjnë atë që bëjnë populistët: Ata flasin me njerëzit sipas qejfit, ngacmojnë emocionet, përhapin akuza fallso, nxisin urrejtjen.
Akuzat kundër Francës në përgjithësi dhe Macronit në veçanti bien në tokë pjellore në Itali. Që para ndryshimit të qeverive në Romë dhe Paris, shumë italianë e shihnin veten më poshtë se francezët, që shihen si arrogantë.
Ka kohë që një tezë e pakuptimtë është përhapur në vend, ajo që BE preferon më shumë vëllanë e madh në Perëndim dhe mbyll një sy për të mos parë borxhet shtetërore.
Nuk është çudi që Di Maio dhe Salvini, që bëjnë aktualisht fushatë zgjedhore kundër njeri-tjetrit, të futen në garë kur godasin francezët. Deprimuese është sa të suksesshëm janë populistët me tonet e tyre të mprehta. Rreth 60 përqind e zgjedhësve italianë joshen prej tyre. Kurse presidenti Macron, është i dobët në vendin e vet. Përkrahja për të është përtokë, kursi i tij reformues është bllokuar dhe tani ai u fut edhe në grindje me partnerin e tij, Gjermaninë, për gazsjellësin Nord Stream 2.
Respekt dhe distancë nuk mund të pritet nga politikanët e papërgjegjshëm e në Romë. Për ata nuk ka rëndësi çfarë dëmesh i bëjnë marrëdhënieve afatmesme francezo- italiane.
Paralajmërimet e bëra nga shoqatat e sipërmarrjeve, që të mos dëmtojnë marrëdhëniet ekonomike, përfundojnë në erë. Italia i ka borxhe të mëdha Francës.
Ekzistojnë shumë investime në të dy anët e kufirit. Në kompanitë ajrore Alitalia, portet, projektet e transportit, telekomunikacionit dhe furnizimit me energji lidhjet janë të forta. A duhen vënë të gjitha këto në rrezik?
Angela Merkel si ndërmjetësuese?
Mënyra se si sillen të dy qeveritë me njera-tjetrën, nuk është ajo e dy vendeve mike anëtare të BE. Kancelarja gjermane mund të ndërmjetësojë mes tyre.
Deri tani ajo nuk i ka kritikuar populistët e Romës. Por ministrin e Brendshëm, Horst Seehofer e ka vënë në çështjet e politikës së migracionit një kallëp politik me Salvinin. Ekziston droja se para zgjedhjeve europiane të dy palët nuk mund të pajtohen. Kjo është armë e mirë për zgjedhjet: dueli nacionalistët kundër progresistëve.
Ky polarizim është helm për konsesusin dhe kompromisin ku mbështetet Bashkimi Europian. Shtetet duhet të bashkëpunojnë dhe të mos bien në darën e shteteve nacionaliste.
Çfarë do të ndodhë pas tërheqjes së ambasadorit? Ndërprerje e marrëdhënieve diplomatike? Mobilizim? Deklarim lufte? Sigurisht që jo! Matteo Salvini dhe Emmanuel Macron duhet të takohen në duel televiziv dhe t’ i prezantojnë njerëzve mënyrën si e kuptojnë politikën.(DW)