Home KRYESORE Rrëfimi i Mustafa Xhepës: Petro Zheji mbajti mbi shpinë krevatin e tij...

Rrëfimi i Mustafa Xhepës: Petro Zheji mbajti mbi shpinë krevatin e tij dhe ia fali djalit që po i vdiste nëna, i tha…

Conecticat.

Nga Mustafa Xhepa/ 

Ndaluam me vështirësi. Akull i zi. Temperatura shënon 9°F, – 13°C. Sinjali i kryqëzimit në daljen 33, e cila lidh unazën me aveniunë Konektikat, zgjat më tepër se të tjerët. Afrohet pranë makinës një burrë i vjetër, veshur me rroba të grisura – kamuflazh ushtrie, mjekër të gjatë, të zbardhur, në kokë kapele këmbësorie, dridhet, në duar tabelë kartoni të grisur nga kuti e vjetër ambalazhi. Me gërma dore të mëdha shkruhet, VETERAN, me ngjyrë të zezë. Poshtë saj – Nëna është sëmurë, ndihmomë të paguaj spitalin, shkruar me të kuqe, gjaku. Ula xhamin. Më kapën emocione të forta. Më dridheshin duart, nxorra me zor një pesë dollare bankënotë. Ai shikonte i mallëngjyer. U afrua. Nuk po u besonte syve. Zgjati dorën, e mori, e vuri pranë zemrës.

“May the love of God always shine in your life”!
Lotët e formuar nuk më linin ta shikoja qartë fytyrën e dhimbshme. Gëlltita me vështirësi dëshpërimin, që më kishte mbërthyer grykën.
“Zoti të bekoftë ty – my friend”!
Urova me emocion. Veterani kishte shkelur mbi pjesën burrërore, atë të ushtarit, që lufton në front pa u përkulur. Dashuria për nënën e kishte sjellur aty, në kryqëzim, në ditën më të ftohtë të vitit. Kërkonte ndihmë, në një formë tjetër. Hapur. Jo zyrave të burokracisë. E kisha provuar vetë. “Billi-i” i spitalit është maramendës. Kur trokita në zyrat e burokracisë, përgjigja ishte kategorike e prerë.
“Jo, nuk të ndihmojmë dot! Jeni ju garantuesi i shërbimeve shëndetësore të babait tuaj”.

Në shkallën e parë të shtëpisë Zotit, xhamia në qendrën e kryeqytetit, të cilën “Çlirimtarët” e mbajnë të mbyllur me kyç, rri ulur një i ri me këmbë të prerë. Njëra këmbë e pantallonave, të dalë boje, lidhur nyje mbi gjurin e djathtë, të krijon trishtim, kur kalon pranë tij. Ngjitur, patericë, e drunjtë, e bërë vetë. Djali të përshëndet dhe po t’i japësh diçka, të mbulon me urata.
Afrohet Petro, Petro Zheji, djali nuk i flet, e shikon në sy. E njeh zemërgjërsinë e Zhan Valzhanit. Petro nxjerr një tre lekëshe letër, djali e kundërshton me dorë.
“Merre biri im, ta jap me gjithë zemër”!
Petro afron dorën. Djalit i rrjedhin lotë.
“Më thuaj çfarë të mundon biri im”?
Petro ulet në gjunjë.
“Nëna po më vdes, jo në shtrat, por në dhe, në baltë”?
Djali ul kokën, fshin lotët me shpinën e dorës.
“Si në dhe”?
Petro afron veshin ta dëgjojë më mirë.
“Nuk arrita kurrë t’i bleja shtrat. Më ka bërë kokën. As prej druri nuk ia bëra dot”.
I riu godet këmbën e prerë, sikur t’ia ketë fajin ajo.
“Më prit këtu, nuk do të vonohem”!
Zhan Valzhani niset menjëherë për në shtëpi. Mëngjes, fillim pranvere, ditë me diell. Në dhomën nën dhe, me fare pak orendi, Petro Zheji hedh mbi shpinë krevatin e tij, të vetëm. Rrugës në kthim njerëzia ndalon, vështron e habitur gjigantin e djersitur, që çan përpara. Djali nuk i beson syve, kur Petro shfaqet para tij. Kërcen mbi këmbën e mirë. Kërkon ta rrokë në qafë. Qan me zë.
“Nëna do të flejë në krevatin e saj sonte”.
Thotë Petro, ndërsa djali s’pushon së uruari i prekur.
“Më ler ta mbaj unë, e mbajmë bashkë”!
Lutet dhe përpiqet të arrijë Zhan Valzhanin.
“Jo, ti e ke bërë të tënden. Shumë bile ke bërë. E ke mbajtur pranë. Atë që këta s’e bëjnë kurrë”.
Petro e kishte fjalën për njeriun e ri, që edukohej tek Pallati Kulturës, me antikulturën e “Çlirimtarëve”.
“Ke mbajtur gjallë nënën. Këta për ‘Plehun’ e hedhin vetë në gropë nënën e tyre dhe e lënë zmbuluar ta hanë qentë”.
Afrohen tek rruga, e cila ndan Pallatin e Kulturës me Hotel Tiranën. Një grup turistësh, marksistë-leninistë, shikojnë të habitur. Hamalli me sustën në kurriz është i veshur mirë, me xhaketë, këmishë, pantallona të hekurosura stofi, këpucë me bojë, ndërsa i zoti mallit zbathur. Kalojnë rrugën. Hoteli madhështor në ballë. Aty pranë pallati modern i poetëve të diktaurës. I veçantë, me hyrje eksuberante, si në perëndim. Arkitektin e kanë burgosur për modernizëm. Në Spaç, rrethin e fundit të Infernos komuniste. Jo poetët, ato i këndojnë me dashuri krimit. Marrin kthesën për nga stacioni i trenit. Pranë i afrohet një xinkfu, makinë që sjell vdekje, ngadalson shpejtësinë, xhaketa gri hap xhamin.
“Nuk e do ti më shumë se partia atë, po zhduku bashkë me krevatin”!
Gjiganti nuk trembet. E kanë torturuar, por thyer jo. Antikomunisti i vendosur nuk e njeh frikën. Ecën i palëkundur në Via Dolorosa-n komuniste, si biri i Zotit.

Uashington. Interval pushimi për Petron. Është duke shkruar veprën madhore, “Shqipja dhe Sanskritishtja”. Dalim në ballkonin e vogël të shtëpisë sime mbuluar me pjergull rrushi. Është fillim qershori, ditë e këndëshme pë të pirë kafenë jashtë. Petros i pëlqen ta pijë në ballkon. Flasim për dëbimin e dhunshëm të shqiptarëve nga Dardania.
“Është e rëndësishme të dokumentohen gjërat. Ke bërë mirë që ke mbajtur shënime. Tani fillo e vëri në letër ato”.
Në fakt ishte Petro, që më kishte këshilluar në rininë e hershme të mbaja shënime.
“Por nuk jam shkrimtar Petro”.
Tund kokën.
“E vërteta nuk ka nevojë për yndyrë”.

Petro Zheji vlerësonte mjaft romanin historik, “Grabjani rrëzë kodrave” të shkrimtarit Lekë Tasi. Leka më ka thënë, se Petrua vetë e kishte shtyrë të dokumentonte jetën në fshatin e internimit Grabjan. I kishte bërë edhe parathënien librit. U gëzua, kur At Zef Pllumi shkroi trilogjinë, “Rrno vetëm për me tregue”. I përktheu në anglisht librin e parë. La punët e veta mënjanë. E botoi, këtu, në Amerikë. Por, nuk i erdhi mirë, kur At Zefi pranoi çmimin. E mori në telefon.
“Ç’bëre At? Pranove çmimin e plehrave”!
I shkroi parathënien veprës monumentale të poetit Uran Kostreci, “Epopeja e karkalecave”. Në kohë pushimi lexonte vargje me zë dhe kënaqej. Kishte lexuar pjesë nga shkrimtari Visar Zhiti.
“Ja Visari. Po ta ngjyejë penën me gjak – jo bojë. Nuk më mbetet merak. Ai do ta shkruaj të tërën”.
Visari tregonte si iknin me prindërit në kurriz shqiptarët e Dardanisë. Cili komb e kishte bërë këtë? Jepte bisedën me një të huaj, që ishte prekur thellë, kur kishte parë skena tragjike të tilla. Biblike. Kishte ndryshuar mendimin për shqiptarët. Dashurinë për prindërit shqiptarët e ruanin të shenjtë.

voal.ch

Share: