Home KRYESORE Video-skandali, flet polici: Jam i shokuar, nuk ia uroj as armikut

Video-skandali, flet polici: Jam i shokuar, nuk ia uroj as armikut

Polici i Malësisë së Madhe, Berhan Bajrakurti i akuzuar për ngacmimin e një minoreneje me anë të videove intime, ka folur sot në “News 24” për ngjarjen që tronditi opinionin publik.

“Videon e kam parë në momentin që kam hyrë në zyrën e Drejtorit të Policisë së Shkodrës. Më thanë që kam ngacmuar një minorene, që bashkë me nënën e saj e kam ngacmuar në makinën time, që e paskam ndjekur me makinë mbrapa. Jam shokuar totalisht. Nëse këto janë të vërteta, unë dua 100 vjet burg. Jam i gatshëm të përballem me këdo, thirrje gjithë Malësisë së Madhe, vetëm të dalë nëna e saj, baba dhe vajza që të thonë se mua më kanë parë duke i shkuar mbrapa, unë e kam dënimin”, tha Bajrakurti.

Duke folur për periudhën kur qëndroi në burg, Bajrakurti tha se këtë gjë nuk ia uronte as armikut. Ai i ka kërkuar falje familjes dhe kolegëve për ngjarjen e stisur ndërsa ka shtuar se nuk ka asnjë ide se kush mund ta ketë nxjerrë videon. “Dua t’i kërkoj falje familjes sime për momentet tronditëse që ndodhën në familjen time. Falje komisariatit të Malësisë së Madhe, për prishjen e imazhit. Falje edhe farefisit për situatën dashakeqëse që inskenuan dashakeqësit” ka thënë ai.

“Shoqërimi ishte shokues, por nuk i vë faj. Nuk më ka besuar as vëllai. Gjëja e parë që kam thënë, “grua mbaj fëmijët, por do përballem”, kaq kam thënë”, është shprehur Bajrakurti, që është baba i tre vajzave dhe një djali.

Bajrakurti u arrestua nga policia për ngacmimin e një minoreneje, por pas hetimeve rezultoi se videoja i përkiste vetëm familjes, sepse ai e ka bërë për bashkëshorten e tij. Ende sot nuk është gjetur se kush e ka bërë denoncimin, ndërsa minorenia 15-vjeçare që pretendohet se është ngacmuar, nuk është identifikuar./Opinion.al

Share: